Detajet/ Fatmir Limaj refuzoi postin e kryeministrit, zbardhet plani për qeverinë Thaçi-Rama-Vuçiç

0
151

Zëvendëskryeministri në dorëheqje i Kosovës, Fatmir Limaj, e ka pasur një shans për t’ia zënë vendin Ramush Haradinajt, pas dorëheqjes së këtij të fundit. Por, lideri i Nismës Socialdemokrate, e ka refuzuar ofertën.

Mësohet nga burime të besueshme se Presidenti Hashim Thaçi, ka bërë çmos që vendi të mos shkojë në zgjedhje dhe parlamenti të mos shpërbëhet. Megjithatë, përpjekjet e tij dhe bashkëpunëtorëve në Tiranë, Beograd e Prishtinë, kanë dështuar. Me 22 gusht Kuvendi do të shpërbëhet dhe brenda  45 ditëve , organizohen zgjedhjet e jashtëzakonshme.

Raportohet se Thaçi nuk ka lënë gur pa lëvizur, përmes ndërmjetësit të tij Baton Haxhiut, për ta krijuar një qeveri të re me votat e Listës serbe të dirigjuar nga Beogradi, që do të udhëhiqej nga Fatmir Limaj, në rast se ky i fundit do të pranonte.

Presioni ka ardhur edhe nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, që duke përdorur deputetin e PSD-së, Dardan Molliqaj, është përpjekur ta joshë Limajn ta pranojë ofertën. Ata i kanë treguar, gjoja emaila të zyrtarit amerikan Palmer, ku i kërkohet Limajt ta shpëtojë Kosovën nga zgjedhjet dhe ta bëjë qeverinë me votat e serbëve.

Kuptohet, aty do të ishin edhe votat e partisë së Shpend Ahmetit, që do të zëvendësonin ato të AAK-së së larguar tashmë nga qeveria.

Kësisoj, presidenti që po negocionte ndarjen e Kosovës, tentoi ta krijojë qeverinë Thaçi-Rama-Vuçiq, me kryeministër Fatmir Limajn, por dështoi.

Lideri i Nismës, refuzoi, sipas burimeve tona, ta marrë pozitën e kryeministrit në këtë formë e rrjedhimisht, kryesia e Kuvendit caktoi datën e shpërbërjes së Kuvendit, duke i dhënë një shans qytetarëve kosovarë, të votojnë për qeverinë e ardhshme.

Syri.net Kosova

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here