Kryebashkiaku Bime dyshohet se ka firmosur lejen e një pallati 7-katësh, kur drejtonte Këshillin e Rregullimit të Territorit të këtij qyteti
Pas kryebashkiakut të Vlorës Shpëtim Gjika, një tjetër drejtues Bashkie i së majtës dërgohet në Prokurori. Këtë herë radhën e ka kreu i Bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Bime. Kallëzimi regjistrohet nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, vetëm pak muaj para zgjedhjeve lokale. Burime nga Prokuroria bëjnë me dije se në kallëzimin e dërguar pranë këtij institucioni, thuhet se shkak është bërë dhënia e një leje për ndërtimin e një pallati 7-katësh në lagjen “18 Tetori” në kundërshtim me legjislacionin shqiptar.
Leja
Leja është dhënë me afat një vit në vitin 2009, por më pas në kundërshtim me çdo të dhënë urbanistike dhe të ligjeve është lejuar edhe një shtesë prej 5 katesh, thuhet në njoftimin për shtyp. Vendimet janë dhënë pa pasur më parë dhe pa u bazuar në asnjë plan rregullues dhe asnjë studim urbanistik pjesor sipas IKMT-së. Së bashku me Bimen është kallëzuar edhe kryeinspektori dhe inspektorët e Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit të Bashkisë së Gjirokastrës. Këta janë Ilir Çumaku dhe Antoneta Çako, dy ish-sekretarët e KRRT-së së qytetit, si dhe ish-anëtarët e Sekretariatit Teknik të KRRT Bashkia Gjirokastër. Akuza për të gjithë është “shpërdorim detyre në bashkëpunim”. Ndërkaq, pak ditë më parë u ngrit një tjetër padi për kryebashkiakun e Vlorës, Shpëtim Gjika për të cilin u dha edhe urdhër arresti. Duket se qeveria Rama ka nisur betejën me kryetarët e bashkive të majta, me qëllim pastrimin e tyre para zgjedhjeve, duke i hequr të drejtën e kandidimit.
Të majtët
Dihet aktualisht se cilët janë kryetarët që drejtojnë bashkitë dhe të zgjedhur nga radhët e së majtës. Pas Bimes dhe Gjikës me shumë mundësi radhën për të lënë vendin e kryebashkiakut mund ta ketë kryetari i Bashkisë Fier dhe ai i Beratit. Për dy të fundit në zgjedhjet e ardhshme lokale të 21 qershorit flitet se kandidatë potencialë mund të jenë ata të zgjedhur nga radhët e LSI-së.
Korçë/ Dhuna ndaj Mishës në Korçë, shkarkohen efektivët e policisë
Dhuna mbi të riun Tomi Misha në Korçë ka sjellë pasoja të rënda për nëndrejtorin e Policisë së Korçës dhe vartësit e tij. Nëndrejtori i Policisë së Qarkut Korçë, Arben Hyseni, dhe dy punonjësit e policisë, Nevzat Blushi dhe Robert Memelli, janë përjashtuar nga radhët e Policisë së Shtetit. Në njoftimin e saj, Policia e Shtetit thotë se ky vendim është marrë pas videos së publikuar, ku 33-vjeçari dhunohej nga policia, pasi kishte aksidentuar, duke gërvishtur automjetin e nëndrejtorit të Policisë, Arben Hyseni. Në videon e publikuar, dy efektivët e përjashtuar nga policia shihen duke dhunuar të riun. Tomi Misha ndodhet aktualisht në spital pas dhunës së ushtruar ndaj tij, ndërsa ditën e djeshme në ngarkim të tij u vendos si masë sigurie “Detyrim paraqitjeje”. Në komunikatën e Policisë thuhet “Fillimi i hetimit për veprën penale “Kryerja e veprimeve arbitrare”, në ngarkim të punonjësit të Komisariatit të Policisë, Robert Memelli, parashikuar nga neni 250 i Kodit Penal dhe ndaj zv.drejtorit të Policisë Arben Hyseni, për veprat penale “Kryerja e veprimeve arbitrare” dhe “Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme”, parashikuar nga nenet 250 dhe 251 të Kodit Penal. Por për të hetuar këtë çështje është investuar edhe Avokati i Popullit Igli Totozani. Avokati i Popullit ka filluar me iniciativë rastin e bërë publik në median vizive, ngjarje e ndodhur në datën 20 shkurt 2015, në qytetin e Korçës kur nga punonjësit e policisë keqtrajtohet qytetari Tomi Misha.
Mbi këtë shqetësim, është urdhëruar kryerja e një hetimi të pavarur administrativ dhe ndihmëskomisioneri i Avokatit të Popullit ka shkuar në qytetin e Korçës, ku ka kryer veprime të ndryshme në funksion të hetimit.
Korçë/ Dhunoi gjyshen, shoqërohet në polici nipi
Një grua e moshuar ka bërë denoncim në polici ndaj nipit të saj, duke e akuzuar se e ka dhunuar. Gjatë ditës së djeshme, u plotësua kërkesëpadia për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme për 76-vjeçaren M. F., banuese në lagjen nr. 14 të Korçës, sepse nipi i saj M. L., 26 vjeç, ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj saj. Nga të dhënat paraprake bëhet e ditur se e moshuara me të riun kishin debatuar për motive pronësie dhe se ky i fundit e kishte dhunuar. Mësohet se një veprim i tillë është i përsëritur, çka e ka detyruar të moshuarën që të bëjë denoncim.
Librazhd/ Grabisin 40 mijë lekë, policia në kërkim të autorëve
Një grabitje me dhunë është shënuar në Librazhd, më konkretisht në fshatin Pishkash. Dy persona të pa identifikuar gjatë ditës së djeshme kanë ndaluar mjetin tip “Mercedes-Benz” furgon me targa EL 7673 A, me drejtues shtetasin M. T., me banim ne Elbasan dhe pasi e kanë goditur i kanë marrë rreth 400 mijë lekë të vjetra, që ai i kishte me vete. I dëmtuari ka bërë denoncimin në polici sapo ka shpëtuar prej grabitësve, ndërsa nga ana e uniformave blu vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e tyre.
Tiranë/ Parandalohet një vrasje, vihet në pranga një 24-vjeçar
Policia e kryeqytetit ka parandaluar një vrasje. Ngjarja e rëndë u parandalua mesnatën e kaluar kur u vu në pranga 24-vjeçari Erind Kavalli. I riu u ndalua gjatë një kontrolli në zonën e Institutit Bujqësor në Kamëz, ku iu gjet një pistoletë, e cila mendohet se do të përdorej për krimin. Kavalli ishte nisur nga Durrësi, vend ku dhe jetonte, në drejtim të Tiranës për të kryer krimin. Nga ana e uniformave blu nuk bëhet ende i ditur objektivi i të riut, ndërkohë që vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të këtij rasti. Më datë 23.2.2015, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Erind Kavalli, 25 vjeç, banues në Kodër-Kamëz, sepse gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, ju gjet e sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë e markës “Bereta”, me një krehër pa fishek, të cilët e posedonte pa mbante pa leje.