Shtyhet 10 ditë afati i përditësimit të kodeve pranë QKR-së

0
156

Shtyhet 10 ditë afati i përditësimit të kodeve pranë QKR-sëDrejtoria e Përgjithshme e Tatimeve pati vendosur datën 1 mars si afati i fundit për përditësimin e kodeve ekonomike pranë QKR-së nga ana e bizneseve. Por, duke qenë se fluksi ka qenë i madh nga ana e bizneseve dhe në tri ditë të mbetura nuk mendohet se përballohet, Tatimet shtyjnë afatin në datë 10 mars 2014. Pa përditësimin e kodit, bizneset rrezikojnë gjobë nga 10.000 deri 15.000 lekë.

Këto masa bëjnë pjesë në dënimet e reja administrative, të parashikuara me ligj.

Në to bëjnë pjesë edhe ato që, kur konstatohet mosinstalim, herën e parë gjoba do të jetë 50.000 lekë. Ndërsa në rast se subjekti gjendet rishtas pa kasë fiskale, do të ketë konfiskim malli.

Sipas bizneseve, “kërkesa është dërguar ultimative brenda një kohe të shkurtër dhe të pamjaftueshme për të lejuar bizneset të pajisen me kodin përkatës”, ndaj Tatimet u përgjigjën me shtyrje të afatit kërkesës së tyre.

Nëse nga verifikimi dhe kontrolli në vendndodhjen e biznesit rezulton se tatimpaguesi nuk ka të deklaruar në organin tatimor çdo të punësuar, që fillon punë për herë të parë te tatimpaguesi apo të punësuar rishtazi pranë tij, të paktën një ditë kalendarike përpara fillimit të punës (përfshirë dhe punonjësit e papaguar të familjes së të vetëpunësuarit me të cilët ai punon e bashkëjeton), përveç detyrimit për pagimin e shumës së detyrimeve tatimore dhe kontributeve të papaguara të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, detyrimi është një gjobë në masën 50.000 lekë për çdo rast mosdeklarimi.

Ndërsa, për tatimpaguesit e regjistruar njëkohësisht për tatimin mbi vlerën e shtuar dhe tatimin mbi fitimin, gjoba është 500.000 lekë për çdo rast mosdeklarimi.

Në rast konstatimi për moslëshim kuponi tatimor për qarkullimin e realizuar të mallrave apo të shërbimeve, për çdo konstatim të kryer, dënimi është me gjobë në masën 200.000 lekë për tatimpaguesit e regjistruar si subjekte të tatimit mbi fitimin, dhe gjobë në masën 50.000 lekë për tatimpaguesit e tjerë;

për çdo konstatim tjetër pas verifikimit të parë, ku konstatohet se tatimpaguesi vazhdon të mos e lëshojë kuponin tatimor për të dokumentuar qarkullimin e realizuar të mallrave apo të shërbimeve, i nënshtrohet një dënimi administrativ me gjobë në masën 300.000 lekë për tatimpaguesit e regjistruar si subjekte të tatimit mbi fitimin dhe gjobë, në masën 100.000 lekë për tatimpaguesit e tjerë.

Për çdo konstatim të përsëritur të moslëshimit të kuponit tatimor, pas aplikimit të dy dënimeve administrative konsiderohet evazion tatimor dhe administrata tatimore ushtron të drejtën të bëjë kallëzim penal për tatimpaguesin.

 

Mario Blejer, këshilltari i ri i guvernatorit të BSH

Mario I. Blejer do të jetë konsulent i guvernatorit të Bankës së Shqipërisë. Ai është i njohur si ekonomist dhe si opinionist i rangut ndërkombëtar për shkrimet e tij mbi ekonominë botërore dhe në veçanti për ekspertizën për vendet e botës në zhvillim. Emri i tij u përfol së fundmi si kandidat i mundshëm për guvernator të Bankës së Shqipërisë.

Studimi i tij i mëparshëm për Shqipërinë sugjeronte se problemet ekonomike të Shqipërisë komuniste ishin prezente që nga fillimi, por këto probleme fillimisht qenë fshehur nga financimet e Bashkimit Sovjetik e më pas, nga ato të Kinës, kohë, gjatë së cilës Shqipëria krijoi një rezervë valutore të konsiderueshme. Problemet u bënë evidente pas prishjes së marrëdhënieve me Kinën, në vitin 1978, por sërish komunizmi qe në gjendje të mbijetonte edhe për një dekadë tjetër, duke përdorur rezervën valutore të krijuar më herët, sipas Blejer. Studimi sugjeron se goditja e fundit iu dha regjimit komunist nga një valë thatësirash në vitet 1987 dhe 1988,si dhe një thatësirë edhe më e madhe në vitin 1990.

Blejer, argjentinas 66 vjeçar, ndonëse i huaj, ka një lidhje me Shqipërinë. Në vitin 1991, pak para se Shqipëria të anëtarësohej në grupin e institucioneve financiare ndërkombëtare, ai erdhi në Shqipëri si ekspert i Bankës Botërore dhe udhëhoqi grupin e ekspertëve ndërkombëtarë, që analizuan ekonominë shqiptare para anëtarësimit të Shqipërisë në këto institucione.

Blejer ka lindur në Kordoba të Argjentinës në vitin 1948. Ai ka studiuar ekonomi dhe histori hebraike në Universitetit Hebraik të Jeruzalemit në vitin 1970, si dhe ka marrë master në ekonomiks nga i njëjti institucion në vitin 1972. Ai fitoi doktoratën në ekonomi në Universitetin e Çikagos në vitin 1975 dhe dha leksione në Universitetin e Bostonit deri në vitin 1980. Në këtë vit u filloi të punojë në Fondin Monetar si këshilltar në politikat monetare, kursin e këmbimit dhe politikat fiskale. Në vitin 1992 ai punoi si Këshilltar i Lartë në Bankën Botërore për Politikat e Evropës dhe Azisë Qendrore. Këto qenë vitet e rënies së komunizmit dhe të Bashkimit Sovjetik. Ai shërbeu te sektori i studimeve dhe Bordi Editorial i Studimeve të FMN-së deri në vitin 1996.

Blejer u kthye në Argjentinë në momentin kur vendi i tij hyri në krizën e borxheve sovrane në vitin 2001 kur pranoi ofertën e presidentit Fernando de la Rúa për të punuar si zëvendëspresident i Bankës Qendrore të këtij vendi, gjë që i dha fund karrierës së tij 21-vjeçare në institucionet financiare ndërkombëtare.

Blejer u largua shpejt nga posti i Guvernatorit të Bankës Qendrore të Argjentinës, pasi u përball me krizën e thellë monetare dhe financiare të vendit, që detyroi qeverinë të imponojë kufizime në tërheqjen e depozitave bankare, si dhe të zhvlerësojë monedhën e vet.

Ai punoi pas kësaj në Qendrën për Studime mbi Bankingun Qendror në Bankën e Anglisë dhe u kthye në Argjentinë në vitin 2010, kur u përfol sërish si kandidat për guvernator të Bankës Qendrore të Argjentinës. Që nga ajo kohë, bën analiza mbi ekonomiksin në disa publikime të rëndësishme ndërkombëtare.

 

Bllokohet projekti i aeroportit të Sarandës

Raundi i radhës i negociatave me koncesionarin e aeroportit të Rinasit për lejuar ndërtimin e një aeroporti tjetër në jug të vendit ka dështuar. Burimet në Ministrinë e Transporteve bënë me dije se Rinasi do të vijojë të gëzojë të drejtat e monopolit për fluturimet ndërkombëtare, që rrjedhin nga kontrata e koncesionit, të nënshkruar nga qeveria “Nano” vite më parë.

Qeveria shqiptare në vitin 20014 formuloi së bashku me kompaninë koncesionare “Tirana Airport Partners”, një marrëveshje për ndërtimin dhe menaxhimin e aeroportit të ardhshëm ndërkombëtar të Rinasit, që parashikonte një klauzolë bllokuese. Sipas së cilës, “gjatë periudhës së koncesionit, asnjë aeroport tjetër nuk do të licencohet për fluturime komerciale (mallra apo pasagjerë), në territorin e Republikës së Shqipërisë”. Më tej thuhet se do të lejohen ulje avionësh të linjave ndërkombëtare në aeroporte të tjera, veç atij të Rinasit, vetëm në rastet e emergjencës, ose në kohë katastrofash.

Që prej datës 23 prill 2005, Tirana International Airport “Nënë Tereza” menaxhohet dhe operohet nga shoqëria private Tirana International Airport SHPK (TIA). TIA do të drejtojë të gjitha aktivitetet e Aeroportit deri më 2025.

Pavarësisht zgjerimit edhe me dy porta dhe një terminal të ri, tarifat e larta aeroportuale bëjnë që Shqipëria të ketë çmimet më të larta të biletave në rajon. Sipas bilancit të saj, në vitin 2013, kompania rezultoi me një qarkullim vjetor prej 33 milionë eurosh, me një rritje prej 3.5% me bazë vjetore. Gjithashtu, për shkak të transferimit të monopolit të shërbimeve nuk po aktivizohen as aeroporti i Kukësit, që ka vite duke u “dergjur” kot, si dhe të tjerë në jug të vendit.

Sakaq, qeveria shqiptare nuk ka rishikuar as tarifat, ndërkohë që kontrata detyron rishikimin e tyre çdo 3 vjet.