Erneta Shevroja
Kërkesa me firmat e deputetëve të opozitës u dorëzua dje në Kryesinë e Kuvendit. Është Konferenca e Kryetarëve, e cila kryesohet nga Meta, që do të vendosë kur do të zhvillohet debati në Parlament
Partia Demokratike kërkon shkarkimin e Ilir Metës nga Kuvendi. Kërkesa është dorëzuar dje nga e djathta në Kryesinë e Kuvendit dhe do të jetë vetë kreu i Parlamentit që do të vendosë kur të merret në shqyrtim kërkesa për shkarkimin e tij nga kryesimi i Kuvendit. Kjo kërkesë është firmosur nga deputetet e opozitës një ditë pasi deputeti i përjashtuar nga PS-ja, Tom Doshi, deklaroi se kreu i Kuvendit ka porositur kundrejt një pagese eliminimin e tij fizik. Dje pas mbylljes së fjalës së kreut të opozitës, Lulzim Basha, në mbledhjen e grupit të PD-së, deputetët e opozitës firmosën kërkesën për shkarkimin e Kryeparlamentarit nga ky post. Burime për gazetën bënë me dije se të gjithë deputetët ishin të një mendjeje për shkarkimin e Metës dhe kanë vendosur firmat pro kërkesës, duke kërkuar që kjo kërkesë të merret në shqyrtim për diskutim sa më shpejt të jetë e mundur. Argumentet për depozitimin e këtij mocioni janë dy: së pari të largohet nga drejtimi i Kuvendit derisa çështja të qartësohet nga drejtësia dhe së dyti të ndjekë precedentin e katër viteve më parë, kur pas videos së publikuar nga Dritan Prifti dha dorëheqjen derisa foli drejtësia. Ndërkaq, mësohet se në ditët në vijim demokratët do të fokusohen në debat të ashpër në Parlament, duke pasur në fokus kërkesën për largimin nga drejtimi i Kuvendit nga ana e Ilir Metës. Në vijim, do të jetë Konferenca e Kryetarëve që kryesohet nga Ilir Meta, ajo që do të vendosë se në seancën e cilës të enjte do të zhvillohet debati lidhur me shkarkimin e tij nga kryesimi i Parlamentit. Ky është mocioni i parë ndaj kësaj qeverie që kërkon shkarkimin e Ilir Metës, ndërkohë kjo kërkesë është bërë edhe nga opozita e djeshme në vitin 2010. Para 5 vitesh kanë qenë deputetët e majtë që kërkonin mocion për shkarkimin e ish-kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, për mosdrejtim korrekt të Parlamentit. Ndërkaq, gjatë mbledhjes së grupit demokrat, kreu i PD-së deklaroi se tashmë Kryeparlamentari Ilir Meta duhet të kishte dhënë dorëheqje. “Në vend që të trokiste në Prokurori, del e kapardiset para kamerave me deklarata të mjera kundër opozitës. Kjo nuk ka për ta shpëtuar Ilir Metën, duhet të japë dorëheqjen e të vihet në dispozicion. Populli nuk e njeh më si Kryetar Kuvendi. Edi Rama, në vend që të shkojë në Prokurori si dëshmitari në krim, thërret prokurorin në zyrë. Duhet të dëshmojë se çfarë di për vrasjen e dy deputetëve”, – deklaroi Basha në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar i PD-së.