Propozimi i Ramës/ Analistët: Propozim spontan të ardhur për shkak të kontekstit, “lepuri fle diku tjetër”

Analistët Afrim Krasniqi dhe Aleksandër Çipa, e cilësojnë si të pamjaftueshëm propozimin e kryeministrit Edi Rama për të zgjatur afatet e verifikimit të kandidatëve për poste publike, para se të bien në rrjetën e dekriminalizimit.

”Akti i kryeministrit nuk zgjidh asgjë sepse ne sot kemi në fuqi ligjin e dekriminalizimit që në nenin nr.7 i njeh të drejtën partive që të gjitha kandidaturat e tyre për deputetë t’i dërgojnë paraprakisht në prokurori. Kjo është e drejtë ligjore dhe nuk ka pse bëhet një ligj i ri për të njohur këtë të drejtë ligjore”, shprehet Krasniqi.

Nga ana tjetër, Çipa propozimin e Ramës e cilëson si propozim spontan të ardhur për shkak të kontekstit. Lepuri fle diku tjetër, bien dakord analistët. Është mënyra se si rekrutohen drejtuesit dhe kandidatët. “Është e pamjaftueshme sepse lidhet me mënyrën se si procedojnë partitë për rekrutimin e njerëzve që hyjnë në nivelet e larta të përfaqësimit politik”, thekson Çipa.

“Është mënyra se si zgjidhen kandidatët. Të gjithë ata që janë bërë lajm në lidhje me krimin janë përzgjedhur nga liderët, janë telefonuar nga vetë ata. Nuk janë zgjedhur nga baza e partisë”, shpjegon Krasniqi.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Kërko