Tekniku italian është shprehur se nuk do ta kemi të lehtë përballë armenëve dhe se nuk duhet ta lëmë euforinë të na prishë planet
Kuqezinjtë janë gati për sfidën më të rëndësishme të Euro 2016-ës. Shqipëria nisi përgatitjet për ndeshjen ndaj Armenisë. Fytyra të qeshura dhe lojtarë të përqendruar u vunë re në ditën e parë të përgatitjeve në prag të një ndeshjeje të rëndësishme për kombëtaren, që nisën nën reshjet e shiut, si një ogur i mirë për javën kuqezi të kombëtares. Kënaqësia e një ribashkimi, pas një kohe të gjatë pushimesh për përfaqësueset, u vu re dhe te De Biazi, që përpara se të kalonte topin te ekipi, mendoi t’i jepte dhe vetë atij disa shkelmime. Përtej shakasë, trajneri kishte menduar gjithçka deri në detaje për këtë seancë të parë. 29 futbollistët në dispozicion të trajnerit u ndanë në dy grupe, ku i pari, ai që përbëhej prej 19 lojtarësh, zhvilluan një stërvitje me ngarkesë të plotë, ndërsa pjesa tjetër e futbollistëve, ata që kishin luajtur me skuadrat e tyre të dielën, zhvilluan thjesht një seancë shkrydhje. Programi i De Biazit për përgatitjet për ndeshjen me Armeninë, parashikon dy seanca stërvitore në ditë, një në mëngjes dhe një pasdite dhe një ndeshje kontrolli të enjten, me shumë gjasa ndaj një prej skuadre moshash. Tekniku italian foli në konferencë për shtyp në prag të ndeshjes eliminatore të Euro 2016, me Armeninë. Italiani shpjegon dhe arsyet e këtij vendimi. “I kam ndjekur të gjithë lojtarët gjatë kësaj përiudhe. Grupi është forca e kësaj skuadre dhe për këtë arsye të gjithë ndodhen këtu. Të gjithë janë treguar të gatshëm për të dhënë maksimumin për këtë fanellë”. Përsa i përket Armenisë, De Biazi nuk e nënvlerëson kundërshtarin. “Janë një rival i vështirë. Duhet të luajmë me zgjuarsi dhe të mbështetemi te kualitetet tona. Ata luajnë në grup. Kanë humbur me Danimarkën dhe Portugalinë, ndërsa kanë barazuar më Serbinë. Trajneri i Armenisë ka bërë një punë të mirë me skuadrën”. Në fund De Biazi zbulon dhe pritshmëritë për këtë përballje. “Nëse fitojmë të dielën, do të jëm i lumtur. Mund të them që është ndeshja më e rëndësishme në karrierën time. Them që nuk kënaqem me barazimin, por nëse në fund, në bazë të lojës, do të ishte pozitive, do të jem i kënaqur edhe me 1 pikë. Nuk më pëlqen që të nisim festën përpara, bëni gati veglat e muzikës, rregulloni kordat dhe më pas festoni”. Personazhi i ri, i cili është thërritur në kombëtaren shqiptare në prag të ndeshjes së ditës së diel me Armeninë është shqiptari i lindur në Shkup, Naser Aliji. Aliji, 21 vjeç, është një lojtar, i cili ka luajtur me ekipet e moshave të Zvicrës, por tani ka vendosur të luajë për ngjyrat kuqezi. Aliji aktivizohet në kampionatin zviceran të futbollit dhe ka luajtur 14 ndeshje e shënuar një gol për ekipin e Bazelit. Tashmë ai i është bashkuar grupit të djemve të kombëtares sonë me qëllimin e vetëm, kualifikimin për në Evropianin e Francës.
Lista e plotë:
Portier:
Etrit Berisha, Alban Hoxha, Orges Shehi.
Mbrojtës:
Ansi Agolli, Arlind Ajeti, Naser Aliji, Lorik Cana, Debatik Curri, Elseid Hysaj, Andi Lila, Mergim Mavraj.
Mesfushorë:
Amir Abrashi, Migjen Basha, Ervin Bulku, Ergys Kaçe, Burim Kukeli, Ermir Lenjani, Alban Meha, Ledian Memushaj, Valdet Rama, Odise Roshi, Herolind Shala, Taulant Xhaka.
Sulmues:
Bekim Balaj, Sokol Cikalleshi, Shkëlzen Gashi, Armando Sadiku, Hamdi Salihi.
Kosova jashtë Rusi 2018-ës
UEFA ka caktuar sot përfaqësueset pjesëmarrëse për Kampionatin Botëror “Rusia 2018”, ndërsa në njoftimin e Komitetit Ekzekutiv të saj nuk përmendet fare Kosova. Sipas formatit të UEFA-s, 52 shtete anëtare të saj do të jenë pjesëmarrëse. “Formati i fushatës kualifikuese të Evropës për Kampionatin Botëror 2018 është konfirmuar. 52 asociacionet anëtare të UEFA-s që do të marrin pjesë (Rusia kualifikohet si vendi organizator, kurse Gjibraltari nuk është anëtar i FIFA-s) do të ndahen në nëntë grupe: shtatë grupe nga gjashtë skuadra dhe dy grupe nga pesë”, – thuhet në njoftimin e UEFA-s.
Kupa e Shqipërisë/ Kukësi përballë Skënderbeut, Tirana sfidon Laçin
Kukësi-Skënderbeu dhe Tirana-Laçi. Shorti i gjysmëfinaleve të Kupës së Shqipërisë rezervoi dy çifte mjaft interesante, ku rivaliteti pritet të jetë në kufijtë maksimalë. Kampionia dhe nënkampionia e Shqipërisë do të zbresin në fushë fillimisht në stadiumin e Korçës, në një sfidë e cila është një remake e luftës për titull. Presidenti i juglindorëve u shpreh rreth kësaj përballjeje ku nuk i kurseu batutat as për homologun e tij te Kukësi, Safet Gjici. “Më vjen mirë që na ra shorti me Kukësin, se i plotësohet dëshira edhe presidentit Gjici. Një ndeshje e fortë, pasi përballen kampionia dhe nënkampionia e Shqipërisë dhe dy skuadrat që po luftojnë për titull. Nuk e kam problem ndeshjen e parë në Kukës, pasi kemi afërsisht në të njëjtën periudhë me sfidën e kampionatit kështu që do kalojmë dy javë të bukura në qytetit verilindor”. Jo më pak e fortë do të jetë edhe përplasja mes Tiranës dhe Laçit. Kurbinasit janë kthyer në një makth për bardheblutë këtë sezon, ku në 3 takime i ka shkëputur 7 pikë, megjithatë presidenti i kryeqytetasve Refik Halili nuk shprehet i shqetësuar, megjithëse vlerëson maksimalisht skuadrën e Cungut. “Ne do të respektojmë garën, si në kupë ashtu edhe kampionat. Më vjen mirë që do të përballemi me Laçin, pasi largojmë edhe aludimet për aleancë. Është e vërtetë që Laçi na ka hapur probleme këtë sezon, por kupa është një kompeticion tjetër që nuk ka lidhje me kampionatin”. Dy sfidat e para janë të programuar për t’u zhvilluar më 8 prill, ndërsa takimet e kthimit që do të përcaktojnë edhe dy finalistet e këtij sezoni do të luhen më datë 22 të po të njëjtit muaj.
Herrera: Jang, shakaxhiu i skuadrës, Runi më i frikshëm
Mesfushori spanjoll, Ander Herrera, ka zbuluar detaje rreth gjërave që ndodhin në dhomat e zhveshjes te Mançester Junajtid, duke i shpjeguar rolet e Uejn Runit dhe Angel di Marias kur nevojitet ngritja e moralit të skuadrës. Mesfushori i talentuar ka thënë për “El Pais” se Eshli Jang është shakaxhiu i skuadrës, ndërsa Runi dhe Di Maria shpesh i ngacmojnë bashkëlojtarët. I pyetur se cili është shakaxhiu i skuadrës, Herrera tha: “Ndoshta Eshli Jang. Por, unë mendoj se ata që flasin gjuhën spanjolle kanë më shumë sens humori. Ndoshta sepse ne gjithmonë rrimë bashkë, ndërsa anglezët janë më të rezervuar. Por, as Di Maria nuk ju kursen fare. Falkao dhe Valencia janë shumë të hapur. Nuk e di, mendoj se ne më shumë i ngacmojmë bashkëvendësit dhe për gjërat që ndodhin nëpër vendet tona. Runi është person që del shumë dhe di të na ofendojë në gjuhën spanjolle. Por, unë më shumë kam dëshirë të flas me të për futboll, sepse e di që ai e pëlqen boksin dhe nuk dua që ta provojë atë me mua”, – ka shtuar spanjolli. Më tej, Herrera ka bërë të ditur se në dhomat e zhveshjes nuk ka hierarki të lojtarëve, ndonëse Majkëll Kerrik respektohet më shumë se tjerët.
Naingolan: Të gjithë kundër Romës
Mesfushori i Romës, Raxha Naingolan, ka thënë se ai dhe bashkëlojtarët e tij janë dëshmuar si një skuadër e fortë, edhe pse të gjithë janë kundër tyre. Një gol i Daniele de Rosit i siguroi Romës një fitore minimale prej 1-0 kundër Çezenës këtë fundjavë, duke i dhënë fund kështu serisë prej pesë ndeshjeve pa fitore. “Ne kemi dëshmuar se jemi skuadër e mirë, edhe pse të gjithë janë kundër neve”, – ka thënë fillimisht mesfushori për “Corriere dello Sport”. “Vendi i dytë është objektivi ynë dhe ndaj Çezenës ne bëmë një hap përpara. Ne e merituam fitoren në një fushë që ishte shumë e vështirë. Kemi edhe 10 ndeshje përpara dhe duam të fitojmë sa më shumë pikë që të jetë e mundur”, – ka thënë Naingolan.
Konte: Verrati duhet të provojë veten
Trajneri i Italisë, Antonio Konte, ka thënë se mesfushori i PSG-së, Marko Verrati, e ka rastin që të dëshmohet si pasues i denjë i Andrea Pirlos dhe Daniele de Rosit në mesfushë. Verrati, i cili ka qenë në formë të lartë së fundmi për PSG-në, është futur në listën e Kontes për t’u përballur me Bullgarinë dhe Anglinë këtë javë. Pasi në mesfushën e Italisë do të mungojnë De Rosi dhe Andrea Pirlo i cili është i lënduar, Konte mendon se ky është rasti i duhur që Verrati të marrë kontrollin e gjërave. “Pirlo dhe De Rosi janë dy lojtarë cilësorë të cilët kanë ende për të dhënë. Sidoqoftë, ky mund të jetë një rast i mirë për një lojtar si Verrati që të dëshmojë se mund ta trashëgojë mesfushën”, – ka thënë Konte në konferencë për shtyp.
Modriç: Goli i dytë na shkatërroi
Mesfushori i Realit të Madridit, Luka Modriç, ka thënë se goli i dytë i realizuar nga Barcelona në “El Clasico” shoi shpresat e ekipit të tij për një fitore. Kroati ndien se ekipi i tij i pati rastet për ta fituar ndeshjen, por nuk ka pasur fat. “Ne kemi luajtur mirë deri te goli i dytë dhe kemi qenë më të mirë se Barça në pjesën e parë. Ne kishim mundësi të shënojmë edhe dy-tri herë para pjesës së parë, por nuk kemi pasur fat. Në pjesën e dytë ne luajtëm mirë edhe në mbrojtje edhe në sulm, por më pas humbëm ritmin dhe goli ndikoi mentalisht tek ne. Ne jemi të zhgënjyer, por krenarë se si kemi luajtur. Në ndeshjet e ardhshme ne duhet të luajmë sikur në 45 minutat e para. Ne nuk e kemi humbur titullin dhe do të luftojmë deri në fund”, – ka deklaruar Modriç.
Vuksan: Kovaçiç nuk lëviz nga Interi
Mesfushori i Interit, Mateo Kovaçiç, nuk do të largohet nga klubi italian, pavarësisht interesimeve nga disa skuadra evropiane, ka konfirmuar agjenti i lojtarit. 20-vjeçari ka nënshkruar kontratë të re me klubin më herët gjatë sezonit, por kjo nuk ka ndalur klubet evropiane të kërkojnë shërbimet e tij. Arsenali është skuadra që raportohet se i prinë garës për kroatin. “Ai ka zgjatur kontratën kohëve të fundit, dy muaj më parë, dhe asgjë nuk ka ndryshuar në atë aspekt. Ka nënshkruar kontratë të re pesëvjeçare, ai beson në të ardhmen e tij te Interi. Nëse nuk do të ishte i lumtur në Milan ai nuk do ta zgjaste kontratën. Nuk kam folur me askënd, ai ka rinovuar kontratën me Interin. Ai është lojtar i Interit dhe ashtu do të mbetet”, – ka thënë Niki Vuksan.
Rakitiç: Nuk kemi fituar ende asgjë
Ivan Rakitiç u ka tërhequr vërejtjen bashkëlojtarëve të tij pas fitores prej 2-1 ndaj Realit të Madridit të dielën. Golat e Zheremi Matjësë dhe Luis Suarezit ndihmuan katalanasit që të fitojnë sfidën e vështirë ndaj mbretërve të Madridit, teksa Rakitiç përkundër fitores nuk sheh asgjë të kryer. “Ne nuk kemi fituar ende asgjë. Tani ne duhet që të kënaqemi pak me fitoren, por ne duhet të jemi në dijeni se ka ende shumë për të bërë. Tri pikë ndaj Real Madridit janë gjithmonë të mira. Ishte e mrekullueshme për tifozët tanë. Ne startuam mirë ndeshjen dhe kemi mundur ta bëjmë me rezultat 0-2, por ky është futbolli dhe është i paparashikueshëm. Tani vjen pjesa më e vështirë, fazat vendimtare të Ligës së Kampionëve dhe La Ligas”, – u shpreh Rakitiç.