FAKTET TRONDITËSE/ Si gënjeu Erion Veliaj për projektin e shkollës ‘Servete Maçi’

0
254

Kryeministri Edi Rama dhe Kryebashkiaku Erion Veliaj inauguruan sot godinën e rindërtuar të shkollës 9-vjeçare ‘Servete Maçi’.

Gjatë fjalës së tij, kryebashkiaku Erion Veliaj deklaroi se projektin e shkollës e kanë bërë studentë të sapodiplomuar të arkitekturës.

“Ka qenë ideja e Edit që gjithmonë më pyeste, thoshte shiko dil nga korniza, nuk ka nevojë të bëjmë të njëjtët arkitektë që bëjnë të njëjtat shkolla që duken si burgje, si spitale. Ne bëmë një eksperiment. Kjo shkollë është dizenjuar nga studentë të sapodiplomuar të arkitekturës.

Pjesë e paktit tonë me studentët dhe me universitetin është mishëruar tek kjo provë. I kemi lënë atyre të bëjnë diçka komplet jashtë normales, jashtë skemave të vjetra që ka pasur infrastruktura arsimore.”

Në të vërtetë, projekti i godinës së shkollës është hartuar nga firma private e arkitekturës “ArkonStudio”. Sipas në QKR, kompania është themeluar në vitin 2014 nga Krenar Dila dhe Erjon Këri, të cilët rezultojnë të jenë diplomuar në vitin 2008.

Në maj 2016, Bashkia Tiranë hapi tenderin për studimin dhe projektimin e shkollës. Në tender morën pjesë katër kompani:

1)Infratech Shpk & Vler Invest Shpk & Arkimade Shpk;

2)Sphaera Shpk;

3)Arkonstudio Shpk dhe 4)A & E Engineering Shpk.

Fituese u shpall kompania Arkonstudio shpk me ofertën 45 mijë euro. Ndërsa tenderin për ndërtimin e shkollës, me vlerë 1,9 milionë euro, e kanë fituar kompanitë A.N.K shpk dhe Ed Konstruksion.

Po ashtu, Kryebashkiaku Veliaj tha se hartimi i projektit të shkollës i është lënë studentëve të sapodiplomuar të arkitekturës, si pjesë e Paktit me Universitetet, hartuar në fillim të vitit 2019, pas protestave të studentëve në dhjetor 2018.

Por në të vërtetë, në fillim të 2019-ës, projektimi i shkollës Servete Maçi kishte përfunduar prej kohësh dhe shkolla ishte drejt përfundimit të punimeve, ndaj gjasat që në hartimin e projektit të kenë marrë pjesë studentë të sapodiplomuar janë shumë të pakta./Exit.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here