Parandalimi/ Pagoi 1.5 mln lekë për të marrë hakun e vëllait, parandalohet vrasja

0
157

skema e parandalimit te vrasjes ne vlore Mersin AliajPolicia: Arrestohet vrasësi, bashkëpunëtori dhe porositësi. Zinxhiri i personave të përfshirë u zbulua nga mbledhja e të dhënave në rrugë operative. Zbulohet edhe skema e përgatitur nga porositësi

Për të marrë hakun e vëllait kishte gjetur dy të rinj. I paguan me 15 mln lekë të vjetra dhe në dorë u jep edhe skicën e vizatuar me rrugën që do të ndiqnin. Mersin Aliaj nuk gjente qetësi për vdekjen e vëllait, edhe pse drejtësia kishte dhënë vendimin për autorin. Burime zyrtare nga Policia e Vlorës kanë bërë me dije se është arrestuar një vrasës me pagesë, duke zbuluar e goditur zinxhirin kriminal, që nga porositësi i vrasjes e deri te ekzekutori i saj dhe bashkëpunëtorit të tij. Ngjarja u shënua në orët e mbrëmjes të së martës, ku u tentua të vritej në banesën e tij 53-vjeçari Jazaj. Të njëjtat burime bëjnë me dije se pak çaste para se të kryhej vrasja, u arrestuan në flagrancë në afërsi të fshatit Lepenicë, Luka Sherifaj, 42 vjeç, lindur në Varibop të Fierit, banues në Vlorë dhe Ledjon Muho, 24 vjeç, lindur dhe banues në Vlorë. Arrestimi i tyre, sipas policisë u krye pas informacioneve të grumbulluara në rrugë operative, në momentet kur Luka Sherifaj po kryente veprime konkrete për të ekzekutuar planin e tij për kryerjen e vrasjes në fshatin Lepenicë. Në të njëjtin automjet me të, teksa po përpiqej t’i shpëtonte policisë u kap edhe shtetasi Ledjon Muho, që dyshohet të jetë bashkëpunëtor në këtë ngjarje. Policia e Vlorës thekson se në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar automjeti “Land Rover” me targa “AA334DV”; një armë zjarri automatik model 56 (Kallashnikov); doreza dhe maska për të mbuluar fytyrën; tuta kamuflazh dhe ushqime.

 

Porosia

Nga hetimet e kryera nga Policia e Vlorës, dyshohet se personi i cili kishte porositur vrasjen është shtetasi Mersin Alliaj, 55 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Gjorm, i cili u arrestua në flagrancë. Të njëjtat burime kanë bërë me dije se objekt i sulmit kriminal ishte shtetasi Lahe Jaze, 53 vjeç, banues në Lepenicë. Ky person në vitin 2003 ka vrarë me armë zjarri shtetasin Bujar Aliaj (vëllai i porositësit), krim për të cilin është dënuar me 10 vjet burg, dënim të cilin e ka vuajtur. Sakaq, shuma që porositësi u kishte premtuar ekzekutorëve dyshohet të jetë 1.5 milion lekë në fillim dhe pas kryerjes së krimit do tu jepte edhe një shumë tjetër, ende të pasaktësuar. Gjithashtu nga hetimet ka rezultuar se Luka Sherifaj prej disa kohësh vëzhgonte personin që do të vriste dhe se pas kryerjes së krimit ai do të largohej nëpërmjet zonave malore në afërsi të fshatit, sipas një skice të detajuar që ishte përgatitur më parë nga porositësi. Policia e Vlorës bën me dije se vazhdon puna për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj çështjeje, ndërkohë që materialet procedurale do ti referohen organit të Prokurorisë për Krimet e Rënda Tiranë për veprat penale “Vrasja për gjakmarrje”, në bashkëpunim e mbetur në tentative dhe “Armëmbajtje pa leje”, parashikuar nga nenet 78/a, 25, 22, 278/4 të Kodit Penal. Po ashtu, nga burime jozyrtare mësohet se me të njëjtën skemë, një vit më parë është tentuar të vritej edhe djali 17-vjeçar i Lahe Jazajt. Historia e hasmërisë mes dy familjeve daton në 23 maj të vitit 2003, kur Lahe jazaj ka vrarë vëllain e porositësit, Bujar Alliajn. Për këtë krim 53-vjeçari është dënuar me 10 vite burg nga Gjykata e Vlorës, ndërsa Mersin Alliaj ka dashur të marrë hakun e vëllait në prag të përvjetorit të tij.

 

Të arrestuar

  1. Luka Sherifi, 42 vjeç, vrasës me pagesë, lindur në Varibop Fier dhe banues në Vlorë
  2. Mersin Aliaj, 55 vjeç, porositësi i vrasjes
  3. Ledion Muho, 24 vjeç, bashkëpunëtor, lindur dhe banues në Vlorë

 Sekuestrimet

  1. Automjeti Land Rover me targa AA334DV
  2. Një armë zjarri automatik model 56 (Kallashnikov)
  3. Doreza dhe maska për të mbuluar fytyrën
  4. Tuta kamuflazh
  5. Ushqime

 

Gramsh, krim në familje, burri mbyt me duar gruan për xhelozi

Një tjetër krim brenda familjes ka marrë viktimën e radhës ditën e djeshme, ku burri 39-vjeçar ka vrarë bashkëshorten e tij 35-vjeçare. Burime zyrtare nga Policia e Elbasanit kanë bërë me dije se ngjarja e rëndë ka ndodhur pasditen e djeshme në fshatin Çekin të Gramshit, ku Agron Llapushi ka mbytur me duar në banesë bashkëshorten e tij Alketa Llapushi, 35 vjeçe, nënë e dy fëmijëve të mitur. Sipas të dhënave paraprake nga Policia e Elbasanit, mësohet se grindja mes çiftit dyshohet të ketë ndodhur për motive xhelozie, çka ka sjellë edhe degradimin e sherrit të nisur mes tyre. Po ashtu, mësohet se gjatë grindjes, bashkëshorti Agron Llapushi dyshohet se e ka goditur fillimisht me sende të forta gruan e tij dhe më pas e ka mbytur atë me duar. Ndërkohë, dy fëmijët e çiftit Llapushi momentin kur ka ndodhur ngjarja e rëndë mësohet se ndodheshin në shkollë dhe çifti ndodhej i vetëm në banesë. Kanë qenë të afërmit e Agron Llapushit ata që e kanë marrë vesh për ngjarjen dhe kanë njoftuar menjëherë strukturat e rendit të Policisë së Elbasanit. Policia e mbërritur në vendngjarje ka bërë të mundur menjëherë arrestimin e bashkëshortit si dhe ka nisur punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 15:30 të ditës së djeshme, ndërsa trupi i viktimës është dërguar në morg për t’iu nënshtruar ekspertizës mjekoligjore. Ndërsa, nga hetimet paraprake bëhet e ditur se burri Agron Llapushi ka goditur fillimisht me sende të forta gruan e tij Alketa Llapushin. Më pas ai e ka mbytur atë me duart e tij. Sipas policisë grindja mes tyre ka nisur për motive xhelozie. Kjo ngjarje nuk është e vetmja që është shënuar në vendin tonë, madje gjatë kohëve të fundit të tilla ngjarje sa vinë e marrin përmasa tepër të mëdha. Rreth 1 muaj më parë, në fshatrat e qytetit të Shkodrës ndodhi një masakër e vërtetë, ku burri qëlloi për vdekje bashkëshorten e tij dhe më pas veten, duke lënë jetimë tre fëmijë.

 

Fier, humbet kontrollin e makinës, përplaset dhe plagoset një i ri

Një i ri ka mbetur i plagosur ditën e martë në qytetin e Fierit, pasi është përplasur fuqishëm me makinë. Burime zyrtare nga Policia e Fierit kanë bërë me dije se 19-vjeçari G. Isufaj, banues në Lagjen e re në Patos, duke drejtuar mjetin tip BMV me targa AA 020 AK, ka humbur kontrollin dhe ka dalë jashtë rrugës. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të Stacionit të Policisë në Patos, rreth orës 5:00 të së martës. Si pasojë e këtij aksidenti është plagosur 19-vjeçari drejtues i mjetit, i cili ndodhet në gjendje të rëndë në Spitalin Ushtarak Tiranë, si dhe xhaxhai i tij, 39 vjeçari Isufaj, i cili ndodhet në Spitalin Rajonal Fier jashtë rrezikut për jetën. Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta policie të cilët kanë nisur menjëherë nga hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Materialet lidhur me këtë rast, Policia e Fierit kanë bërë me dije se i kanë kaluar Prokurorisë së Fierit për vazhdime të mëtejshme proceduriale, ndërsa vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë ku mbetën të plagosur dy persona, një prej tyre në gjendje të rëndë.