Murrizi sërish me gjuhë raciste… kërkon dhe kredi për shtëpi për opozitarët e rinj: “Po flemë si arixhinjtë”

0
139

Deputetët e opozitës së re nuk mjaftohen vetëm me rrogën që do të marrin si ligjvënës, pasi një pjesë e mirë e tyre janë shpallur të pastrehë, në mënurë që të përfitojnë interes më  të ulët.,

Ka qenë deputeti Myslim Murrizi ai që ka bërë këtë propozim në mbledhjen e fundit të Konferencës së Kryetarëve, dhe se deputetët sipas tij po jetojnë në kushte tejet të vështira.

Sipas nënkryetarit të Kuvendit buxhetit të shtetit nuk i kushton gjë për të ndihmuar 15-20 deputetë që të blenë shtëpi të reja, në mënyrë që të kenë njëfarë dinjiteti.

“Zoti Kryetar, dua të flas jashtë rendit të ditës, nuk e di nëse është në tagrin e Konferencës së Kryetarëve, a të bëjmë ndonjë vendim, a të biem dakord të gjithë parimisht, për 15 apo 20 deputetët e rinj, të cilët kanë nevojë të mbështeten. Më duket se deri në vitin 2009 ka qenë ligji që deputetët dhe funksionarët e lartë publik përfitonin një kredi me interes të ulët.

A ekziston mundësia që të bëhet një vendim Kuvendi apo qeverie, nëse keni ndrojtje nga populizmi thoni që e ka propozuar Myslim Murrizi, që këta deputetë të marrin kredi? Ata nuk janë aksionerë as në PPP-të dhe as në tendera, por e kanë të nevojshme të mbështeten me një kredi, siç kam marrë unë, por edhe ju në vitin 1997, 1992 dhe në vitet e tjera me radhë.

Nuk besoj se është hipokrizi për të ndihmuar 15 apo 20 deputetë, prandaj duhet ta bëjmë një vendim. Pra, bëhet fjalë për 1 miliard lekë të vjetër, që janë më pak se 1 milion euro. T’ia heqim Unazës 100 metra dhe t’ua japim këtyre deputetëve që të kenë edhe ata një farë dinjiteti, sepse po bëhen si arixhinjtë me çadra.

Unë besoj se gjithsecili deputet që është futur tani ka një farë rëndësie për mbarëvajtjen e këtij vendi, edhe për ekzistencën në këmbë të këtij parlamenti, ishalla po na hapen negociatat. Pra, nuk na kushton asgjë t’i mbështesim për të blerë një shtëpi”, ka propozuar Murrizi.

Propozimi i tij kaloi në heshtje nga anëtarët e mazhorancës. Gjithashtu ajo që vihet re në fjalën e nënkryetarit të parlamentit është sërish gjuha rraciste që ai përdor ndaj komunitetit rom kësaj here.

Në fillim të vitit 2014, qeveria vendosi të anulonte vendimin për strehimin e funksionarëve publikë, përmes kredive me interes të ulët ose zero. Anulimi erdhi pas një auditimi të kryer nga ish-ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, e cila konstatoi abuzime të rënda me kreditë e buta. Funksionarë publikë me 1, 2 ose më shumë shtëpi, kishin përfituar kredi për të blerë banesa të reja në zonat turistike.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here