Miratohet tabela e re e pikëve që do të hiqen për çdo shkelje që do të bëjnë drejtuesit e makinave. “Sasia e pikëve që i zbriten çdo mbajtësi lejedrejtimi mjeti, për rastet e shkeljes së normave të sjelljes, është sipas tabelës së pikëve. Mbajtësi i lejedrejtimit që ka humbur totalin e pikëve dhe mbajtësi i lejedrejtimit, i cili, pas njoftimit të shkeljes së parë, që përfshin një humbje prej, të paktën, pesë pikësh, kryen edhe dy shkelje të tjera, brenda dymbëdhjetë muajve nga data e shkeljes së parë, që kanë të bëjnë me shkurtim prej, të paktën, pesë pikësh secila, duhet t’i nënshtrohet provimit të kualifikimit teorik në Drejtoritë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor. Në rastet kur mbajtësit i tërhiqet lejedrejtimi nga organet e Policisë Rrugore dhe, së bashku me vendimin për heqjen e pikëve, i dërgohen Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor. Rifitimi i pikëve, me anë të provimit të kualifikimit teorik, është i vlefshëm pas përfundimit të kohës së pezullimit të lejedrejtimit. Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor përgatit dhe administron procedurat e regjistrimit dhe të dhënies së provimit të kualifikimit teorik. Tarifa e regjistrimit dhe e provimit të kualifikimit teorik miratohen nga ministri përgjegjës për transportin, në bazë të statutit të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor”, – thuhet në vendimin e djeshëm të qeverisë.
Masa e qirasë për familjet e Unazës së Madhe
Enti i Banesave ka miratuar masën e qirasë për familjet që preken nga ndërtimi i Unazës së Madhe. Shuma e qirasë varet nga numri i anëtarëve të familjes, sipas certifikatës së gjendjes familjare, që do të thotë se, pavarësisht se një familje me 6 – 7 a më shumë anëtarë sot banon në një objekt pa asnjë kusht të përshtatshëm, ajo përfiton një shumë prej rreth 32,000 lekë në muaj. Shumë, të cilën e merr në mënyrë të menjëhershme për 9 muajt e mbetur të vitit 2015. Në total rreth 290,000 lekë. Sasia mujore e qirasë varion nga 15,000 lekë për një person të vetëm, në rreth 38,700 lekë për një familje me 10 persona. Drejtoria rajonale e Entit të Banesave Tiranë do të kryejë të gjitha procedurat falas për këto familje, pa aplikuar asnjë kosto administrative. Enti do të depozitojë në numrin e llogarisë të çdo kryefamiljari/familjare, shumën e qirasë për të nëntë muajt e mbetur të vitit 2015. Pjesa tjetër do të akordohet në fillim të vitit 2016. Të gjithë personat që kanë emrin në këto lista janë të lutur të drejtohen sa më parë, në zyrën e Drejtorisë Rajonale të Entit të Banesave të Tiranës, me adresë prapa shkollës “Vasil Shanto”, të pajisur me:
– një certifikatë të gjendjes familjare;
– një kopje të kartës së identitetit;
– të dhënat e llogarisë bankare.
Personat që nuk kanë llogari bankare, nëse do të jetë e nevojshme, do të asistohen nga punonjësit e Entit për të hapur një të tillë, në bankën më të afërt. Përparësi në ndihmesën për hapjen e llogarive do të kenë gratë dhe personat e moshuar.