Rrëfimi i një trafikanti shqiptar: Si shitet kokaina në rrugët e Milanos

0
192

 Artan Cena

 policia italiane sekuestron kokaineNë kryeqendrën e Lombardisë çdo dy javë mbërrijnë 3 tonë kokainë. Shqiptarët të armatosur ruajnë lokalet e drogës

Që nga fillimi i qershorit të 2007-ës deri në korrik të 2008-ës, personat e përfshirë ishin 134 mes 1247 të hetuarve. Ndërsa në korrik të vitit 2014 numëroheshin vetëm 34 persona. Por fotografitë dhe imazhet që vijnë nga periferia dhe lokalet e jetës së natës, na tregojnë një realitet komplet tjetër. “Çdo dy javë mbërrijnë gati tre tonë kokainë”, – tregon një ish-trafikant, tani i penduar i drejtësisë italiane. Ai është një shqiptar, që ka pranuar të bashkëpunojë me policinë në luftën ndaj trafikut të drogës.

 

Si realizohet shitja

Franchino “materialin” e shet me biçikletë. Takimet i bën në zonën Giambellino. Nga Odazios dhe më pas në sheshet e Tiranës. Shtëpi popullore. Pije dhe kokainë në të gjithë ajrin. Milano është kthyer në një treg të shpërndarjes së drogave ditë e natë. Kudo dhe për këdo. Në rrugën “Clitumno 11”, një zonë e rrugës së Padovës, dy hapa nga qendra, shpërndarësit kanë hapur tunele nëpër banesat e tyre, me qëllim që ta drejtojnë sa më mirë biznesin e tyre. Një zonë e njohur si Tunisia në baret e djemve të baballarëve, kokaina gjendet sipër tavolinave. E këtu duket sikur je në një periferi të vjetër të Buenos Airesit. Të zinj dhe kokainë. Mbikëqyrin disa shqiptarë që janë të armatosur mirë.

 

Zonat e drogës

Nga qendra në periferi. Zona e Lambrates, pas stacionit, në drejtim të rrugës “Shën Arialdo”, ku çimentoja zbret nëpër pyje dhe ku ka vileta të fshehura. Këtu heroina shitet në pako të vogla. Shiringa, vatra zjarri, bombola gazi, lugë. Kjo i ngjan Milanos së viteve `80. Por nëse në rrugë shohim një histori, të dhënat e prokurorisë na tregojnë të tjera. Në shtatë vitet e fundit, në fakt, hetimet e bëra në Milano në lidhje me trafikun e lëndëve narkotike kanë rënë nga 70 në 60 për qind, ndërsa numri i personave të hetuar është shumë i vogël. E fotot me vijat e kokainës nuk janë vetëm një fantazi, por një realitet metropolitan që është i përfshirë në raportet vjetore të Drejtorisë së Antimafias.

 

Hetimet në rënie

Në vitin 2007, në krye të Drejtorisë së Antimafias që hetonte trafiqet ndërkombëtare të lëndëve narkotike ishte Ferdinando Pomarici. Një vit para tij, në vitin 2006, skuadra lëvizëse e hetimit të trafikut të drogës kishte realizuar një goditje të madhe duke bllokuar më shumë se 200 kilogramë kokainë dhe kishin vënë në pranga një pjesë të klanit Morabito, që për të biseduar me trafikantët ishin infiltruar edhe në Ortomercato. Hera e fundit e një sekuestrimi të madh të drogës ishte në prill të vitit 2009, ku u kapën 180 kilogramë kokainë. Që nga ky moment ka nisur edhe rënia. Mes qershorit dhe 30 korrikut 2010, sasia e drogës së sekuestruar ka rënë në 82 kilogramë. Në krye të drejtorisë së Antimafias nuk është më Pomaricci, por doktoresha Ilda Boccassini. Ndryshon vëmendja, tani nis të sulmohet direkt dhe të ngrihen akuza për shoqëri mafioze. Dhe rezultatet nuk vonojnë. Arrestime dhe dënimet për mafien rriten. Zona e Lombardisë vihet nën kontroll, por në tokën e Padania komandon Ndragheta.

 

Vëmendjen tek mafia

Por për drogë flitet gjithmonë e më pak. Më pak hetime. Hetimet, përgjimet kushtojnë shumë. E kjo situatë, edhe pse është rritur trafiku i lëndëve narkotike. Mes qershorit 2010 dhe 30 korrikut 2011, rënia duket edhe më shumë: 51 raste hetimesh me 545 persona të hetuar. Dhe kurba e hetimeve bie çdo vit që kalon. Në vitin 2015 janë vetëm 34 hetime të hapura kundrejt 134 të vitit 2008. E për më shumë, çdo dy javë në kryeqendrën e Lombardisë vijnë gati 3 tonë kokainë. Kështu shprehet edhe Franchino Petrelli, një shitës droge dhe sot është i penduar. Ai shpjegon: “Në fillim nuk e mendoja se kjo lloj droge të shitej kaq shpejt, sepse unë kisha mbetur në kohën kur kokaina s’ishte gjë, kur në shesh shitej heroina”. Këto i thotë rruga. Histori të vogla që e bëjnë qytetin. E lajmet e mëngjesit të policisë thonë: Dy shqiptarë të ndaluar. Në shtëpi u gjenden 10 kilogramë heroinë dhe 180 përzierës. Në total, 150 kilogramë drogë për t’u hedhur në treg.

Marrë nga “La Stampa”

 

Kokainë dhe armë, prangoset shitësi i drogave në zonat VIP

Pasi kishte shitur shumicën e lëndës narkotike, Agim Hoxha është vënë në pranga në orët e para të mëngjesit të djeshëm nga oficerët e Antidrogës. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës kanë bërë të ditur se 41-vjeçari është kapur me 104.85 gramë kokainë. Lëndën narkotike ai e shiste në zona të njohura të Tiranës, si ish-Blloku dhe vende ku frekuentohet jeta e natës. Burime zyrtare thanë se aksioni është bërë nga “specialistët e sektorit për Narkotikët në Drejtorinë e Policisë së Tiranës në bashkëpunim edhe me oficerët e Komisariateve numër 1 dhe 2, kanë vënë në pranga në flagrancë Agim Hoxha, 41 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar për “prodhim dhe shitje lëndësh narkotike”. Sipas policisë, aksioni është bërë rreth orës 06:00 të mëngjesit të djeshëm, në bulevardin “Gjergj Fishta”. Në automjetin tip “Volkswagen” me targë AA 260 FJ që drejtohej nga Hoxha, u gjetën dhe është u sekuestruan 104.85 gramë lëndë narkotike e llojit kokainë. Por nuk është ndaluar me kaq. Gjatë kontrollit në banesë 41-vjeçarit Hoxha i janë gjetur 1 pistoletë “TT”, model 54, kalibër 7.62 mm, 1 krehër me dy fishekë, 2 kompjuter laptop, 4 tableta portabël, 18 telefona celularë, 2 mjete dhe një shumë e konsiderueshme parash e eurosh, të cilat janë burim i aktivitetit kriminal. Pas arrestimit të Hoxhës, policia ka bërë të ditur se është duke kërkuar edhe bashkëpunëtorët e tij.