Gëzim Saliu
Për Vlorën, Rama kishte shfaqur mbështetjen për prefektin Hoxha, por kjo e fundit nuk ka marrë konsensusin e bazës socialiste, e cila mbështeti kandidaturën e Dritan Lelit
Partia Socialiste zyrtarizon kandidaturat e saj për Bashkinë e Vlorës, Sarandës dhe Himarës për zgjedhjet lokale të 21 qershorit. Pas takimeve të fundit konsultative të kreut socialist me deputetët e qarkut të Vlorës, u vendosën dje emrat zyrtarë që do të përfaqësojnë të majtën në këto bashki. Ajo që bie në sy tek kandidaturat e socialistëve është ajo e mjekut Dritan Leli në Vlorë, e cila mund të cilësohet si surprizuese. Fillimisht Kryeministrit Rama kishte shfaqur mbështetjen e tij për prefekten Eltjona Hoxha, por ajo nuk ka marrë konsensusin e plotë të bazës socialiste. Kjo e fundit ka dhënë me shumicë mbështetje për kandidaturën e Dritan Lelit. “PS do të paraqesë në tryezën e aleancës kandidaturën e Dritan Lelit për Bashkinë e Vlorës, kandidaturën e Floriana Kokës për Bashkinë e Sarandës dhe kandidaturën e Gjergj Goros për Bashkinë e Himarës”, – tha Leskaj. Më pas, në një takim tjetër me kryesocialistin Rama ishin deputetët e qarkut të Gjirokastrës, të cilët në përfundim bënë publikë emrat e zyrtarizuar të së majtës për këto bashki. “Kandidate e Partisë Socialiste në Bashkinë e Libohovës është zonja Luiza Mandi, për Bashkinë e Tepelenës PS-ja kandidon Tërmet Peçin, për Bashkinë e Memaliajt Durim Roshin, për Bashkinë e Përmetit Gilberto Jaçen dhe për Bashkinë e Këlcyrës Klemend Ndonin”, – tha ministri Ahmetaj, i cili ishte i deleguar nga Rama në këtë qark.
Emrat e LSI-së
Ndërkaq, Lëvizja Socialiste për Integrim zyrtarizoi dje kandidatët për 15 bashki të vendit që do të përfaqësohen nga kjo forcë politike në kuadër të koalicionit të majtë në zgjedhjet e 21 qershorit. Në përfundim të mbledhjes së kryesisë, nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, bëri të ditura kandidaturat, duke theksuar se së bashku me to u përcaktua edhe programi elektoral i forcës së drejtuar nga Meta. Kështu, në Lezhë do të rikandidojë kreu aktual i Bashkisë, Vikor Tusha, e ndërsa në Gjirokastër do të jetë prefektja aktuale Zamira Rami. Ndërsa në Berat, LSI ka zgjedhur si kandidat kreun e Këshillit të Qarkut Petrit Sina, ku ky i fundit do të ketë përballë kandidaturën e opozitës, e cila vjen si propozim i PR-së, Kasem Mahmutaj. Nga ana tjetër, LSI ka vendosur të përfaqësohet përmes dy femrave në bashkitë e Përrenjasit dhe Pogradecit, përkatësisht Diana Mile dhe Miranda Rira. Më parë, në fjalën e mbajtur në mbledhjen e kryesisë së LSI-së, Meta tha se risia që sjell mbajtja e zgjedhjeve lokale lidhet me reformën e re administrativo-territoriale. “Reforma territoriale do të sjellë një qetësi të re dhe shërbim më të mirë ndaj qytetarëve. Për herë të parë pushteti vendor do të jetë real, konkret dhe krijues për t’i sjellë zhvillim komuniteteve”, – deklaroi ai. Ndërkaq, një tjetër risi e rëndësishme e lokaleve të 21 qershorit, sipas kreut të LSI-së, është edhe barazia gjinore që do të jetë e pranishme në çdo këshill bashkiakë.“Këto janë zgjedhje shumë të rëndësishme sepse do tregojnë vullnetin e mazhorancës për të respektuar votën e qytetarit. Vota e qytetarit është më e rëndësishme se rezultati, ndaj këto zgjedhje do të jenë pozitive për të gjithë”, – tha Meta.
Kandidatet e zyrtarizuar dje nga PS-ja
Qarku Vlorë
Vlorë – Dritan Leli
Himarë – Gjergji Goro
Sarandë – Floriana Koka
Qarku Gjirokastër
Libohovë – Liza Mandi
Tepelenë – Tërmet Peçi
Memaliaj – Durim Roshi
Përmet – Gilberto Jaçe
Këlcyrë – Klement Doni
Kandidatët e LSI-së
Lezhë – Vikor Tusha
Gjirokastër – Zamira Rami
Berat – Petrit Sina
Kukës – Hasan Halili
Pogradec – Diana Mile
Përrenjas – Miranda Rira
Kuçovë – Selfo Kapllani
Bulqizë – Milaim Damazi
Cerrik – Altin Toska
Selenice – Kasëm Cene
Vorë – Luan Sallaku
Mallakastër – Shyqyri Kapllani
Skrapar – Nesim Spahiu
Delvinë – Rigels Balili
Kolonjë – Arben Malo
Veliaj në pritje/ Rama me Metën për kandidaturat, s’ka ende dritë në fund të tunelit për Tiranën
Menjëherë pas takimeve me deputetet e qarkut të Vlorës dhe Gjirokastrës në selinë e PS, Rama iu drejtua dje Kryesisë së Kuvendit ku përreth 60 minuta pati një takim me Kryetarin e Kuvendit Ilir Meta, aleatin e tij në qeverisje. Takimi i cili pati në qendër diskutimin e kandidaturave, nuk pati asnjë deklaratë zyrtare nga palët. Burime pranë dy forcave politike bënë me dije se në qendër të takimit ishin kandidaturat e shpallura nga të dyja forcat ditën e djeshme, PS-ja për qarqet në Jug të vendit dhe LSI me 15 kandidatët e saj. Por ndonëse kanë rënë dakord për to, duket se pjesa më e vështirë e marrëveshjes Rama-Meta është për emrin e Bashkisë së Tiranës. Ndonëse Rama e ka thuajse të vendosur që si kandidat i së majtës të jetë ministri i Mirëqenies Sociale Erion Veliaj, duke se në këtë pikë duhet edhe më shumë bindje nga ana e Metës. Edhe kandidatura e deputetit Blendi Klosi mbetet ende në diskutim, ku duke marrë parasysh ecurinë e negociatave ajo mund të përfshihet në lojë në limitet kohore. Me shumë mundësi, Kryeministri Rama do ta shpallë emrin për Bashkinë e kryeqytetit ditën e premte, kur edhe pritet zyrtarizimi i plotë i të gjithë emrave të kandidatëve të së majtës në garën e zgjedhjeve lokale të 21 qershorit.
Rama, takim me kreun e PDS-së, Milo: Topi është në fushën e socialistëve
Kryeministri Edi Rama zhvilloi dje një takim në selinë e Partisë Socialiste me kryetarin e PDS-së, aleatin Paskal Milo. Pas 30 minutash takim me Ramën, Milo tha për mediat se partia e tij kërkon vetëm atë që i është premtuar, duke shtuar se gjithçka varet nga PS dhe se tani topi është në fushën e socialistëve. “Që nga zgjedhjet qendrore ne nuk jemi trajtuar si partnerë historikë, nëse ka një kontratë të dytë që të trajtohemi si na takon. Nuk kërkojmë asgjë më shumë se ajo që kemi nënshkruar. Zoti Rama mirëkuptoi një pjesë të sugjerimeve, jemi në proces me qëllim që të mund të arrijmë të bashkojmë forcat. Kjo nuk varet nga PDS por mënyra se si PS do përgjigjet. Topi është nga ana e PS. Deri ditën e shtunë ka mjaft kohë për të realizuar atë që kemi biseduar. Të gjitha alternativat janë të hapura”, – deklaroi Milo.
Zyrtare/ Enkelejd Alibeaj, kandidatura e opozitës për Bashkinë e Fierit
Ish-ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, do të jetë kandidati i përbashkët i koalicionit të djathtë në garën për Bashkinë e Fierit. Vendimi u mor nga kryesia e PD-së pas propozimit që erdhi nga baza e PD-së Fier, e cila propozoi emrin e Alibeaj si më të votuarin prej tyre për kandidat të demokratëve në zgjedhjet vendore në këtë qytet. Me këtë vendim merr formë një tjetër përballje e 21 qershorit, ku përballë kandidaturës së majtë të përzgjedhur tashmë, deputetit socialist Armando Subashi do të jetë Enkelejd Alibeaj, një figurë e demokratëve, i cili kandidoi pak kohë më parë edhe për postin e sekretarit të përgjithshëm të PD-së.
Denoncimi/ Gjinushi: KQZ falsifikoi vendimin, dalim vetëm në zgjedhje
Partia Social-Demokrate denoncoi atë që e cilësoi si falsifikim që është bërë nga KQZ duke fshirë një pjesë të vendimit që mban datën 7 prill 2015 lidhur me kriteret për kandidim dhe të drejtat e partive për të kandiduar. Kreu i kësaj partie, Skënder Gjinushi denoncoi dje falsifikimin e këtij vendimi i cili sipas tij është bërë në orët e vona të natës. “Në bazë të origjinalit kanë dalë edhe modularët për kandidim, sot po shpërndahen të tjera modularë. Është fshirë një paragraf. Kodi thotë që një parti që ka pasur rezultat pozitiv, që zotëron një këshilltar nuk ka nevojë të mbledhë firma për të kandiduar. Këtë KQZ e ka ndryshuar”, – tha Gjinushi, duke shtuar urimin e tij që ky veprim mos vijë si pasojë e një urdhri politik. “Nga sot nuk janë legjitime. Ose përndryshe të bëjnë një nen që kandidatët të zgjidhjen nga PS e PD. Të na thonë dhe një çmim e të dimë. Garë me leje në Shqipëri kemi dëgjuar. Ne i kemi kapur ata duke vjedhur por ata nuk na kapin ne”, – u shpreh Gjinushi. Sa i takon zgjedhjeve të 21 qershorit kreu i PSD tha se do të garojë e vetme duke mos e fshehur zhgënjimin nga PS Gjinushi tha se PSD do të garojë e vetme. Në reagimin e saj ndaj këtij denoncimi, KQZ theksoi: “ftojmë çdo subjekt të interesuar që, në lidhje me çfarëdo pakënaqësie apo mosdakordësie me vendimmarrjen e KQZ-së, t’i drejtohet Kolegjit Zgjedhor”.