Synimi kryesor, investimet e huaja
Më shumë mësues dhe punonjës
Punësimi do të jetë synimi kryesor i qeverisë gjatë këtij viti. Ministria e Punës ka gati një projekt se si do të hapen vendet e reja të punës. Kështu, do t’i jepet një përparësi të madhe profesionit, pasi dihet që tregu në Shqipëri kërkon më shumë punëtorë për të ushtruar profesionin.
Tërheqja e kompanive të huaja
Në 5 vitet e fundit janë me mijëra të rinj, të cilëve vetëm njohja e një gjuhe të huaj u lejon të gjejnë një vend pune. Kështu, gjatë vitit 2013, synime të qeverisë do të jetë pikërisht tërheqja e këtyre kompanive, të cilat do të ofrojnë më shumë shërbime punësimi. Në ditët e sotme, të famshmet “Call Center” kanë punësuar pjesën më të madhe të të rinjve dhe kjo falë kushteve lehtësuese që ka krijuar qeveria për bizneset për të zhvilluar aktivitetin e tyre.
Ndryshimi i sistemit arsimor
Ndryshimi i sistemit arsimor do të kërkojë qindra mësues më shumë. Kjo do t’u japë mundësinë mësuesve të rinj, por edhe atyre që nuk kanë një vend pune të punësohen si mësues me kohë të rregullt ose mësues me kohë të pjesshme. Nga shtatori i këtij viti sistemi arsimor do të ndryshojë në 3 vite arsimi fillor dhe në 6 vite arsimi bazë. Kjo do të kërkojë një trupë të gjerë mësuesish, të cilët do të përfitojnë nga ndryshimet e bëra me ligjin e ri të arsimit.
Investimet
Brenda vitit 2013 pritet të përfundojë informatizimi i shërbimeve të punësimit, shërbim i cili do të ndikojë që gjatë këtij viti të rritet ndjeshëm cilësia e ofertës, duke sjellë më afër kërkesën me ofertën në tregun e punës. “Falë informatizimit të tregut të punës, rritjes së cilësisë së shërbimit, organizimit në të gjithë vendin të panaireve të punës, parashikojmë që punësimi nëpërmjet ndërmjetësimit nga zyrat e punës të shkojë në 13.000 persona dhe bashkë me nxitjen e punësimit gjithsej të gjejnë punë nëpërmjet shërbimeve publike të punësimit 16 mijë persona”, – deklaroi pak kohë më parë ministri i Punës, Spiro Ksera.
Formimi profesional
Gjatë vitit 2013 do të përfitojnë formim profesional 5.500 vetë, nga të cilët 3.500 pas përfundimit të kurseve profesionale do të tërhiqen nga tregu i punës, duke e rritur përqindjen e punësimit postformim në 60%. Prioritet në fushën e formimit profesional është hartimi dhe rishikimi i kurrikulave për profesionet që janë në trend në tregun vendas dhe atë evropian, si ndërtimi, hoteleri-turizëm dhe inxhinieria elektronike. Për kategori dhe grupe të veçanta, ndiqet një politikë favorizuese, konkretisht për punëkërkuesit e papunë të regjistruar në zyrat e punësimit nëse dëshirojnë të ndjekin një kurs të formimit profesional. Në qendrat publike aplikohet reduktimi i tarifës së regjistrimit prej 50%, ndërsa për punëkërkuesit e papunë të regjistruar në zyrat e punësimit, të cilët duan të ndjekin një kurs të formimit profesional dhe i përkasin komuniteti rom, jetimë, personat me aftësi të kufizuara, vajzat dhe gratë e trafikuara, personat që kanë vuajtur dënimin me burgim e përfitojnë këtë shërbim falas.
Matura 2013, në 20 shkurt nis plotësimi i formularit A1
Ministria e Arsimit ka publikuar rregulloren e Maturës Shtetërore 2013. Sipas rregullores, maturantët në afatin 20 shkurt – 10 mars do të bëjnë plotësimin e formularit A1, i cili do të plotësohet online. Regjistrimi i maturantëve do të bëhet në shkollat ku kanë mbaruar shkollën e mesme. Rregullorja e re gjithashtu përcakton dhe afatet se kur maturantët do të kenë në duart e tyre programet orientuese. Brenda muajit janar, Agjencia Kombëtare e Provimeve do të publikojë listën me të gjitha programet orientuese. Programet do të dërgohen në çdo shkollë të mesme. Menjëherë pas publikimit të programeve orientuese do të publikohen dhe koefiçentët e shkollës dhe degëve. Një vit më parë koefiçentët u publikuan në fund të muajt shkurt, por sipas rregullores së re, deri në datën 156 shkurt, AKP do të publikojë online të gjithë koefiçentët. Masa më të rrepta do të ketë për maturantët të cilët do të guxojnë të kopjojnë gjatë zhvillimit të provimeve të maturës. Kështu, çdo kandidat që do të kapet me kopje, do të përjashtohet menjëherë nga provimi. Edhe administratorët e provimit do të jenë nën vëzhgim pasi në vitet e fundit kopjimi është lejuar nga vetë këta të fundit.
Kosovarët, turizëm në Durrës edhe në dimër
Artur Ajazi
Durrësi duket se mbetet përgjithmonë “rezidenca” e turistëve vendas dhe kosovarë edhe gjatë periudhës së dimrit. Hotelet në zonën e plazhit ditët e para të vitit 2013 po mbushen me turistë ditorë kosovarë, të cilët kalojnë fundjavën me familjet e tyre apo bëjnë ndalesa ditore para se të nisen drejt vendeve të tyre të punës në Evropë. Pas përfundimit të pushimeve të dimrit dhe largimit të emigrantëve nëpër vendet ku ata janë rezidentë, kanë dalë edhe të dhënat operative për numrin e tyre. Që nga data 1 janar 2013, kur nisën lundrimet në kah të kundërt me ato përpara vitit të ri rezulton se janë larguar nga porti i Durrësit mbi 65 mijë udhëtarë. Prej tyre 50 mijë janë shqiptarë dhe 15 mijë shtetas të huaj. Gjithashtu pjesë e këtij fluksi kanë qenë edhe automjetet e tyre. Kanë dalë gjatë kësaj periudhe 16 mijë automjete prej të cilave 1500 i përkisnin emigrantëve tanë dhe 4500 atyre të huaj. Nga 65 mijë emigrantë shqiptarë ,45 mijë janë banorë këtej kufirit dhe 20 mijë banorë të Kosovës. Burime të Policisë Kufitare bëjnë të ditur se “edhe pse sezoni konsiderohet i përfunduar, realisht pritet edhe një valë emigrantësh nga Kosova të cilët do të largohen nga porti i Durrësit gjatë ditëve të fundit të kësaj jave, pasi ata nuk kanë mundur të largohen gjatë këtyre ditëve për shkak të motit të keq”. Janë rreth 2500 deri 3000 mijë kosovarë të cilët do të largohen me tragetet e linjave të Barit, Ankonës dhe Triestes gjatë këtyre ditëve. Nga statistikat doganore, duket qartë se këtë sezon dimëror erdhën për të kaluar pushimet e fundvitit më shumë emigrantë se vitin e shkuar. Shifrat flasin për afro 65 mijë të tillë dhe për dyfishin e numrit të automjeteve. Shkak i rritjes së këtij numri në krahasim me një vit më parë ka qenë përmirësimi krizës ekonomike e cila ka përfshiu vendet ku ata janë rezidentë. Në Policinë Kufitare dhe Doganën e Durrësit, ndihen mirë për ecurinë e punëve, pasi fluksi u mbyll pa ngjarje si ato të viteve të kaluara kur udhëtarëve ju ishte dashur ta gdhinin në bankinat e portit në pritje të trageteve që vonoheshin apo pësonin avari gjatë lundrimeve. Gjithashtu, uniformat blu nuk konstatuan raste të spekulimit të shitjes së biletave nga agjencitë mbi kapacitetet e trageteve sikurse ka ndodhur më parë.