Për revistën “Les exilés”/ ZHVENDOSJET E POPUJVE

0
227

Ismail Kadare

Ismail KadareZhvendosja, qoftë ajo e njeriut të vetmuar, qoftë e grupeve të mëdha, e ka trazuar përherë mendjen njerëzore. Pas misterit të vdekjes, që ka qenë shqetësimi kryesor i njeriut, zhvendosja ka qenë në vëmendjen e tij afërsisht në të njëjtën shkallë si enigma e gjuhëve, e seksit ose e kalendarit (rrjedhës së kohës). Si për të gjitha këto, edhe për zhvendosjen mendimet kanë qenë e vazhdojnë të jenë gjer në ditët tona nga më të kundërtat. Për të mos u zhytur në citime, mjafton të përmendim shpjegimin që i ka bërë Borgesi mitit të Kainit e të Abelit, si ndeshje midis nomadëve e sedentarëve (të ngulurve), pra midis barbarisë dinamike dhe qytetërimit statik, dhe qëndrimin e kundërt të Marksit, i cili, ndryshe nga Borgesi, është përherë në anën e “dinamizmit revolucionar”.

Si çdo trazim madhor, zhvendosja ka zënë një vend të ndjeshëm në dëshmitë më të bukura të kulturës njerëzore. Poemat homerike “Iliada” dhe “Odiseja” s’janë, veçse kronika të dy zhvendosjeve. E para, një lëvizje popujsh, trupore, brutale drejt Lindjes (Iliada), e dyta – një lëvizje vetmitare, fine, për më tepër, shpirtërore, drejt Perëndimit (Odiseja).

Për të ndjekur më mirë problemin mund ta afronim kamerën në të njëjtin truall, ku kanë ndodhur tragjeditë e vjetra dhe tek të njëjtët popuj, që, ndonëse sot quhen me emrin e ri “ballkanas”, janë gjithmonë ata që kanë qenë qysh nga Iliria dhe Greqia e Vjetër, shqiptarët dhe grekët. Baladat e tyre të vonshme për mërgimin ekonomik, ndonëse flasin për probleme të përditshme, janë po aq tragjike sa mitet e lashta.

Kam përmendur në një ese një baladë shqiptare të fundit të shekullit XIX, e cila refugjatit ekonomik shqiptar (ja, më në fund erdhëm te një term aq familjar i kohës sonë), ndonëse vjen nga Nju-Jorku i SHBA-së, i vesh pelerinën dhe fatin e Edipit mbret. Është prapë skema e vjetër: at, nënë, bir. Vrasje midis atit dhe të birit, për shkak të xhelozisë ndaj nënës. Veç, s’është i biri që vret të atin, por e kundërta, i ati të birin. Është refugjati ekonomik, që, i kthyer pas njëzet vjetësh, e merr të birin për dashnor të nënës së vet dhe e vret.

Por drama, ndonëse e afruar në kohën moderne mbetet po aq hijerëndë si në antikitet. Skenat e përshkruara nga gazeta e opozitës shqiptare “RD” në portin e Durrësit në pranverë të vitit 1991, kur refugjatët shqiptarë rrëmbyen anijet për të shkuar në Itali, janë rrëqethëse në dramacitetin e tyre.

Mërgimi tregon forcën apo dobësimin e një kombi?

Përgjigjja është tejet e vështirë, për të mos thënë e pamundur. Mendoj se i tregon të dyja, edhe forcën, edhe dobësinë. Është normale që një komb, me bërthamë të fortë, të rrezatojë fuqishëm. E në rrezatimin e një kombi hyn edhe lënda njerëzore, që ai herë pas here e shpërndan nëpër botë. Por, në qoftë se rrezatimi nis të shterojë bërthamën e kombit, kjo tregon se kombi është dobësuar, po shkon drejt shuarjes së tij. Ndryshe nga rrezatimi, mërgimi i shëndetshëm, i cili, me gjallërinë e tij këndell edhe vendet ku shkon, mërgata e një kombi të dobësuar është e përvojtur, e përulur dhe atë nuk e pret veçse një fat i mjerë, një përsëritje, ndonëse e pudrosur, e metekëve të dikurshëm.

Është me interes të bëhen paralele midis emigrimeve që ndodhen në disa vende të Lindjes në prag dhe gjatë përmbysjes së diktaturave, me zhvendosjet e mëparshme.

Shqipërisë, për shembull gjatë këtij mijëvjeçari i kanë ndodhur dy ikje tragjike. E para ka ndodhur në shekullin XV. E dyta në vitet 1990-1991. Të dyja në Itali, me anije. E para ka qenë shkaktuar nga pushtimi otoman, në prologun e tij. E dyta, nga diktatura komuniste, në epilogun e saj. Vala e parë përbëhej nga elita e vendit, nga senjorët, peshkopët, oficerët, që ikën bashkë me bagazhet, arkivat, madje me kambanat e kishave që s’donin t’ua linin turqve. Të dytët ishin njerëz të thjeshtë, shumica të papunë, që ikën pa asgjë, disa herë vetëm me sandalet e tyre. Të parët u pritën si heronj të kohës, u dhanë toka, katunde ku të vendoseshin, i ftuan nëpër mesha e ceremonira. Të dytët i futën nëpër kazerma ushtarake dhe, për t’u mbrojtur nga shiu, u dhanë thasë plastikë, nga ata që përdoren për kufomat në morg. Të parët do të ruanin mallin për atdheun e humbur, do të jetonin me dinjitet midis italianëve dhe do të merrnin pjesë në bëmat e në historinë e Italisë. Të dytët, ndonëse do të trajtoheshin me bujari nga popullsia vendase, shpesh do të shkaktonin zhgënjime të hidhura.

Nga kjo paralele del qartë se mërgata e parë shqiptare ndodhi kur populli shqiptar ishte i fortë, dhe ajo mërgatë dëshmonte forcën dhe dinjitetin e tij. E dyta tregonte, përkundrazi, lodhjen dhe rraskapitjen e tij pas gjysmë shekulli shtypjeje.

Zhvendosjet e njerëzve që paralajmëruan tërmetin që do të rroposte komunizmin, s’janë veçse një prolog, në krahasim me lëvizjen në shkallë të gjerë të etnive, popujve e grupeve të popujve që mund të ndodhin në të ardhmen.

A ndodhemi në prag të një epoke zhvendosjesh të reja, a duhet të kemi frikë prej tyre?

Mendoj se po. Bota ndodhet përballë dallgëzimesh të mëdha dhe bota duhet të ketë frikë. Mendja jonë e mësuar me rutinën e gjërave, i përfytyron rreziqet në një formë statike. Por rreziqet gjithashtu, ndryshojnë. Ato, gjithashtu, dinë të maskohen mjaft mirë, gjersa vjen një ditë dhe të kapin në befasi.

Mërgatat, zhvendosjet e grupeve njerëzore duken një gjë banale, diçka që na kujton zyrat e kontrollit të pasaportave, doganat, debatet në shtyp. Por zhvendosjet e masave të mëdha njerëzore, në një mënyrë ose në një tjetër, kanë brenda tyre rrezikun, luftën.

Në të vërtetë, ato kanë qenë nëna e luftës. Zhvendosje popujsh, lëvizje e ngadaltë, gjysmë e ngadaltë, dyndje, lëvizje e shpejtë, marshim ushtarak, goditje e befasishme, të gjitha këto janë të një race, të asaj të luftës. Nga kjo pikëpamje L. Tolstoi kishte të drejtë kur i fuste në një thes.

Në historiografinë marksiste-leniniste të kampit socialist, dyndja sllave drejt Evropës Qendrore, Danubit e sidomos drejt Gadishullit Ballkanik përshkruhej në mënyrë idilike. Theksohej vazhdimisht ana paqësore e saj, gruri që mbillnin, mollët, bashkëjetesa e tyre paqësore me popujt që gjetën në vend. Kjo i vinte fare mirë për shtat politikës së Stalinit e më pas të Brezhnjevit për skllavërinë e këtyre popujve.

Mirëpo, monumentet e vjetra artistike tregonin tjetër pamje. Eposi mesjetar ballkanas, si ai i shqiptarëve, si ai i sllavëve të jugut, dëshmonin të kundërtën. Ai epos ishte ngjethës. Në dhjetëra mijëra vargjet e tij tregohej se kjo dyndje, ndonëse kishte zgjatur me dhjetëra vjet, ndonëse ishte një dyndje tipike popujsh ku kishte edhe gra, edhe fëmijë edhe grurë, edhe bagëti, ishte, në të vërtetë, një nga zhvendosjet më tragjike, e shoqëruar me masakra, mizori dhe përrenj gjaku të pafund.

Të gjitha zhvendosjet e popujve, qofshin ato të kryera me dhunë (etnocitet), ato që bëri Stalini në Bashkimin Sovjetik, ato që bëri Hitleri me çifutët, drama e armenëve, e kosovarëve, e hungarezëve ose e kurdëve etj., qofshin të nxitura në rrethana të tjera, në një shkallë ose në një tjetër, e kanë brenda tyre katastrofën.

Rreziku është sot më i afërt se kurrë. Sado paradoksale të duket, kjo periudhë e gjatë paqeje në një pjesë të botës e thekson edhe më tepër këtë rrezik të ri. Faktorë të ndryshëm janë të favorshëm për të. Një nga këta është, për shembull, TV.

Historia e njerëzimit na ka treguar se pushtimet ose zhvendosjet e popujve janë nxitur, së pari nga syri, nga pamja. Përpara se persët të sulmonin Greqinë, barbarët Romën ose mongolët Evropën, në kufijtë e vendeve që do të sulmoheshin janë vërtitur përherë endacakë të çuditshëm, dervishë me rrecka ose kalorës, që shfaqeshin si hije. Sot, grupet njerëzore, tek të cilat lind ideja e zhvendosjes nuk kanë nevojë për zbulues të tillë. Në ekranin e TV-së, më mirë se nga kali i shpejtë, madje, më mirë se nga dylbitë, nomadi që jeton në shkretëtirë mund të shikojë fushat e bleruara, i urituri begatinë, i shtypuri lirinë. Për refugjatët shqiptarë për shembull, TV italian, pamjet e të cilit kapeshin lehtë në Shqipëri, luajti rolin kryesor në dyndjen e tyre. As pengesa natyrore, që ishte deti, as policia dhe rojat e të dyja vendeve nuk i penguan dot ata që në mënyrë të vrazhdët, gati të dhunshme, të kryenin zhvendosjen.

Në kushtet e sotme, kufijtë e shteteve, ligjet dhe administratat janë pa dyshim një frenim serioz për një lëvizje kaotike. Por në qoftë se dëshira për zhvendosje do të rritet dhe në qoftë se nuk do të jenë marrë masa për ndalimin e saj, bota mund të ndodhet përpara të papriturave.

Lufta e Gjirit Persik, që sapo mbaroi, është quajtur njëzëri si më modernia e të gjitha luftërave. Megjithatë, si për të na kujtuar arketipin e luftërave më të hershme të botës, ajo pati brenda një motiv të stërlashtë: zhvendosjen e një populli, të kurdëve.

Por, meqenëse, siç u tha më lart, ashtu si lufta ka brenda zhvendosjen, edhe zhvendosja mund të ketë luftën. Lufta e Tretë Botërore, që ne kemi kujtuar se e kemi shmangur, mund të shfaqet befas, në një formë të papritur. Shembja e diktaturave në shumë anë të botës, krahas energjive pozitive, mund të çlirojë energji të mbrapshta. Nga gërmadhat e këtyre diktaturave mund të dalin grupe të mëdha njerëzore të shfytyruara nga urrejtja dhe dëshpërimi. Bashkë me diktaturat mund të thyhen kombe të tëra, kështu që prej mbeturinave të këtyre kombeve mund të krijohen hordhi të pafundme moderne të traumatizuara, të shkurajuara dhe pa atdhe, domethënë pa kombësi.

Bota e nesërme, pjesët më të lulëzuara të saj ka rrezik të gjenden një ditë para trysnisë së këtyre hordhive.

Ashtu si në një lagje ose rrethinë qyteti, shkatërrimi i vatrave familjare do të mbushte rrugët me të rinj të braktisur, jetimë, rrugaçë të margjinalizuar etj., etj., të njëjtën gjë, por në përmasa kolosale, do të shkaktonte shkatërrimi i kombeve në zona të ndryshme të botës.

Kur arkitektët e Evropës dhe të botës së nesërme vrasin mendjen për gjetjen e formulave të përshtatshme ekonomike, gjeopolitike, etnike etj., mendoj se një vëmendje të veçantë janë të detyruar t’i kushtojnë pengimit të këtij procesi të tmerrshëm.

Një botë me popuj të ngulitur shëndetshëm në trojet e veta, do të jetë shumë më e lirë, më e qëndrueshme dhe më harmonioze, sesa një Babiloni e re.

Ndër barrierat që mund të kërkohen për të penguar procesin e hordhizimit të njerëzimit, mendoj se janë kombet. Në këtë pikëpamje, nga forcimi i identiteteve kombëtare të popujve, më shumë se kokëçarje bota do të ketë përfitim. Bërthamat tërheqëse kombëtare, të çliruara pa dyshim nga demonët e shovinizmit, të racizmit e të urrejtjes, mund të jenë sot kështjellat më të sigurta për t’i mbajtur të ngulitur popujt në trojet e tyre. Dobësimi e sidomos zhdukja e këtyre qendrave tërheqëse do të ishin pak a shumë të ngjashëm me dobësimin e gravitacionit universal. Krejt drejtpeshimi i gjithësisë do të trandej.

Paris, maj 1991

(Marrë nga libri i Kadaresë “Unaza në kthetra”, Onufri, Tiranë, 2012)

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here