Raporti i BSH-së/ Familjet luftojnë për mbijetesë, 74% me të ardhuar nën 17 mijë lekë

0
199

Ervin Kaduku

Familjet luftojnë për mbijetesë–  ­Ja situata e kreditimit në bankat e nivelit të dytë dhe ecuria e depozitave nga individët, sipas raportit të stabilitetit financiar 2014 përgatitur nga Banka e Shqipërisë

Situata financiare e familjeve shqiptare rezulton në rënie, sipas raporteve më të fundit të Bankës së Shqipërisë. Kohët e fundit, BSH ka kryer një vrojtim bazuar në një kampion përfaqësues prej 1.210 familjesh, të shpërndara në 16 rrethe të ndryshme të vendit, ku janë përgjigjur rreth 88% e familjeve të intervistuara.

Sipas këtij vrojtimi shkencor, numri total i anëtarëve të familjeve që sigurojnë të ardhura rezulton në rënie me 1.8% në fund të vitit të kaluar, krahasuar me gjashtëmujorin e parë të atij viti dhe 5.5% krahasuar me fundin e 2013-ës. Numri total i të punësuarve (sektori shtetëror, sektori privat dhe të vetëpunësuar) gjithashtu ka rezultuar në rënie, që ka ardhur nga të tre sektorët, por më e theksuar kjo është në sektorin privat. Në total, niveli i të ardhurave në fund të vitit 2014 është në rënie krahasuar me gjysmën e parë të vitit, ndërkohë që niveli i shpenzimeve vlerësohet në rritje, duke përkeqësuar balancën “të ardhura-shpenzime” të familjeve.

 

Kredia

Numri total i familjeve që deklarojnë se kanë një ose më shumë hua për të paguar në momentin e intervistimit, pavarësisht llojit, burimit apo vlerës, ka rezultuar në rreth 30% e atyre që i janë përgjigjur pyetjes. Kjo përbën rritje krahasuar me gjashtëmujorin e kaluar. Rreth 74% e familjeve huamarrëse deklarojnë të ardhura mujore në nivelet “nën 17 mijë lekë” (25%) dhe “17-50 mijë lekë” (49%). Familjet kanë përdorur huamarrjen pranë bankave dhe huamarrjen në burime alternative financimi. Dy qëllimet kryesore të huamarrjes mbeten “konsumi” në 34% të rasteve dhe “blerje/riparim prone” në 29% të rasteve. Pesha e huamarrjes me qëllim “blerje/riparim prone” ka rënë si në terma 6-mujorë dhe në terma vjetorë, ndërkohë që huamarrja me qëllim “konsumin” ka rezultuar në rritje në terma 6-mujorë.

Brenda strukturës së kredive me probleme, vazhdon migrimi gradual drejt kategorisë “të humbura”. Në dhjetor 2014, kreditë e klasifikuara si kredi “të humbura” përbëjnë rreth 52% të kredive me probleme.

Cilësia e portofolit të kredisë për pasuri të paluajtshme vijon të bjerë. Raporti i kredive me probleme për blerje pasurie të paluajtshme u ngjit në nivelin 15.1%, nga 14% që ishte në pjesën e parë të vitit dhe 13.6% një vit më parë. Megjithatë, cilësia e kësaj pjese të portofolit të kredisë mbetet më e mirë se cilësia e portofolit total të kredisë, për shkak të formës së kolateralizimit, e cila dikton një sjellje të kujdesshme për sektorin bankar dhe kredimarrësit.

Stres-testet e Bankës Qendrore projektojnë një ulje të nivelit të shkallës së kredive me probleme deri pranë nivelit 15% brenda vitit 2016. Sipas skenarit bazë të stress-­testeve, hyrja në fuqi e rregullores së re, që detyron bankat të fshijnë kreditë e humbura që mbahen në bilance prej më shumë se tre vjetësh, do të japë gradualisht një efekt të rëndësishëm në uljen e nivelit të kredive të këqija. Ky efekt forcohet më tej nga qëndrueshmëria ekonomike, normat e ulëta të interesit dhe përmirësimi gradual i aktivitetit kreditues në vend. Trajektorja e ecurisë së cilësisë së kredisë, reflekton edhe ndikimin që vjen nga pagesa e faturave të prapambetura të qeverisë, si dhe përmirësimi në terma të ekzekutimit të kolateralit. Në tërësi, stress­testet treguan se sistemi bankar ngelet solid dhe është në gjendje t’ju rezistojë edhe zhvillimeve të përkeqësuara në mjedisin ekonomik. Nevoja për kapital shtesë mund të shtrohet kryesisht në rastin e skenarëve të rënduar dhe prek kryesisht banka të veçanta. Duhet thënë se në vitet e fundit bankat janë treguar të gatshme të forcojnë kapitalizimin e tyre, në përgjigje të kushteve sfiduese të tregut. Gjatë vitit 2014, sektori bankar e ka shtuar kapitalin me 3.3 miliardë lekë, ndërsa një vit më parë me 10.4 miliardë lekë.

 

Aftësia paguese

Balanca neto e përgjigjeve mbi aftësinë paguese të familjeve, ka rezultuar -31.4%, që nënkupton përkeqësim të saj gjatë gjashtëmujorit referues. Familjet që kanë deklaruar “rënie të aftësisë paguese”, në 58% të rasteve cilësojnë si arsye kryesore “rënien e të ardhurave familjare” dhe në 40% të rasteve “rritjen e shpenzimeve të jetesës”. Lidhur me pritjet mbi aftësinë paguese në 6 muajt e ardhshëm, rreth 84% e të përgjigjurve kanë deklaruar se “nuk presin asnjë ndryshim”, ndërsa balanca neto e atyre që presin ndryshime ka rezultuar -10%, që nënkupton pritshmëri në rënie për 6 muajt e ardhshëm.

 

Depozitat

Kursimet e individëve përfaqësojnë një pjesë shumë të madhe të totalit, 85.7% të totalit të depozitave bankare ne vend, por me rrudhje 1.6 pikë përqindje më pak se një vit më parë. Në fakt, muajt e fundit po regjistrohet një rënie e depozitave, duke qenë se individët po tërheqin masivisht paratë nga bankat, për të përballuar rritjen e kostos së jetesës. Por, gjithsesi, bankat kanë në dispozicion një shifër prej rreth 900 miliardë lekësh të reja, që shqiptarët e thjeshtë u kanë besuar atyre. Duke përfshirë edhe kursimet që dërgojnë në atdhe emigrantët.

Leverdinë më të madhe në këtë mes e kanë bankat, të cilat janë kryesisht me kapital të huaj. Depozitat vijojnë të mbeten burimi kryesor i financimit të aktivitetit të sektorit bankar, thekson Banka e Shqipërisë. Sipas saj, raporti “kredi/depozita” shënoi vlerën 55.5%, lehtësisht në rritje referuar periudhave paraardhëse. Në këto kushte, në fund të vitit 2014, sektori bankar raportoi një rezultat financiar pozitiv prej rreth 11 miliardë lekësh, në rritje të konsiderueshme kundrejt një viti më parë. Kontributi kryesor vjen nga rënia e provigjionimit për humbje nga aktiviteti dhe përmirësimi i të ardhurave neto nga interesat.

Gjatë gjashtëmujorit të dytë 2014, sistemi bankar ka mbledhur 438.3 miliardë lekë depozita të reja me afat, rreth 42.6 miliardë lekë ose 10.8% më shumë se një gjashtëmujor më parë. Depozitat e reja me afat kanë qenë rreth 17% e vlerës së depozitave të reja gjatë periudhës në analizë. Në strukturën e depozitave me afat, vërehet një zhvendosje drejt afateve më të gjata të maturimit, e përqendruar kryesisht në afatin kohor prej 12 muajsh. Sipas monedhave, gjatë periudhës në analizë, depozitat e reja në monedhën vendase dhe në euro paraqesin rritje, përkatësisht me 16 miliardë lekë ose 7.5% dhe 230 milionë euro ose 22.2%. Për depozitat e reja në dollarë amerikanë evidentohet një rënie me rreth 62.7 milionë dollarë ose 17.7%.

Nuk duket se bankat po lehtësojnë kursimtarët me rritje të interesit për depozitat e tyre. Normat mesatare të interesit vijojnë prirjen rënëse për të tri monedhat gjatë 2014-ës. Për lekun rezulton 1.5% nga 1.8% një gjashtëmujor më parë dhe 2.4% një vit më parë. Për euron dhe dollarin amerikan, norma mesatare e interesit rezulton në nivelin 0.5% nga 0.7% një gjashtëmujor më parë dhe përkatësisht 1.3% dhe 1.7% një vit më parë.

Por, në këto kushte, duke përfituar edhe nga ulja e normës bazë të interesit nga BSH, bankat e nivelit të dytë kanë lëshuar pe’ në interesat e kredive. Norma mesatare e interesit për kreditë e reja në lekë rezultoi 8.2%, krahasuar me 8.9% një gjashtëmujor më parë dhe 9.7% në fund të vitit 2013. Por kjo ka vlerë vetëm për kredinë në lekë. Në të kundërt, normat mesatare të interesit për kredinë e re akorduar në euro dhe në dollarë amerikanë ishin secila 6.5%, duke regjistruar rënie të lehtë prej 0.46 pikë përqindje në euro dhe 0.18 pikë përqindje në USD, krahasuar me një vit më parë.

 

 

Rritet ndjeshëm disbursimi i TVSH për bizneset

Rimbursimi i TVSH ndaj biznesit është përshpejtuar ndjeshëm këtë tremujor duke shënuar një rritje të madhe në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Ky proces, i cili ka qenë një problem i vazhdueshëm i ngritur nga sipërmarrja, është një faktor i rëndësishëm në marrëdhëniet me tatimpaguesit dhe si një detyrim ligjor, po ecën me hapa pozitive. Sipas treguesve fiskale paraprake të ministrisë së Financave, gjatë 3-­mujorit të parë të këtij viti rimbursimi në vlerë i TVSH­së arriti mbi 2,028 miliardë lekë, nga 474 milionë lekë që ishte në të njëjtën periudhë të vitit 2014, duke shënuar një rritje prej 328.1%. Po sipas këtyre statistikave, vlerën më të lartë të rimbursimit është arritur në muajin Mars. Gjatë vitit 2014 u rimbursuan ndaj subjekteve rreth 8.656 milionë lekë tatim mbi vlerën e shtuar (TVSH), që lidhet me vëllimin e rritur të eksporteve, por njëkohësisht edhe me vëllimin e investimeve në proces gjatë vitit. Që nga fillimi i këtij viti hyri në fuqi ligji i ri për TVSH­në. Në ligj është vendosur që TVSH­ja do të rimbursohet vetëm mbi bazën e analizës së riskut. Pra, nuk do të kontrollohet një për një çdo praktikë dhe më pas të rimbursohet TVSH­ja, por ajo do të rimbursohet mbi bazën e riskut. Por, sistemi do të bëhet funksional plotësisht vetëm brenda qershorit, pasi sistemi i tatimeve sidomos është në ndërtim e sipër. Kjo është një nga mjetet që e shkurton mjaft kohën dhe procedurën për marrjen e TVSH-së. Ligji parashikon uljen e kohës së trajtimit dhe dhënies së rimbursimit të TVSH­së nga administratat tatimore 60 ditë për subjektet e zakonshme dhe 30 ditë për eksportuesit. Rimbursimi i TVSH­së ka krijuar mjaft probleme për sipërmarrjen. Një pjesë e konsiderueshme e borxhit që qeveria i ka biznesit është TVSH e parimbursuar prej vitesh.

 

 

Rreziqe potenciale e presin këtë vit sistemin financiar

Sistemi financiar në vend mund të jetë i ekspozuar ndaj rreziqeve si rënia e kreditimit dhe e faktorëve të tjerë makroekonomikë. Këto janë dy ndër faktorët kryesorë të rrezikut që parashikojnë ekspertët e Bankës së Shqipërisë për këtë vit. Rreziqet nga normat e interesit dhe likuiditetit janë të ulëta. Në të njëjtën linjë edhe zhvillimet në Eurozonë kanë një rrezik të moderuar. Ekspertët e Bankës së Shqipërisë gjatë prezantimit të Raportit të Stabilitetit Financiar për 6-­mujorin e dytë të vitit 2014 bënë me dije se sistemi financiar në vend vijon të jetë i qëndrueshëm. Kështu bankat e kaluan testin e stresit, por, sektori bankar është i ekspozuar nga pasuritë e paluajtshme, si rrjedhojë e nivelit të lartë të kredive me probleme në këtë segment. Rreziqe të tjera janë papunësia dhe zhvlerësimi i lekut. Megjithatë, ata shtuan se edhe pse niveli i lartë i kredive me probleme është shqetësues, pozitive është fakti që niveli i tyre pritet të bjerë. Bankat e kanë kaluar testin e stresit, i cili mat se si do të reagonin bankat ndaj skenarëve të ndryshëm ekonomikë, por, sektori është i ekspozuar nga pasuritë e paluajtshme, paralajmëruan ekspertët e BSH­së, si rrjedhojë e nivelit të lartë të kredive me probleme në këtë segment. Për këtë BSH kishte parapërgatitur 4 skenarë të mundshëm, të cilët do të vlerësonin situatën për stabilitetin financiar në vend. Për këtë vit Banka e Shqipërisë pret përmirësime të mëtejshme, falë gjallërimit të kreditimit, rritjes më të lartë ekonomike, por edhe masave administrative, si rregulloret që përcaktojnë afate të qarta për të fshirë nga bilancet kreditë e humbura.

 

 

Konsolidohet euroja në këmbim ndaj dollarit

Ditët e fundit të javës konsoliduan forcimin e euros ndaj dollarit, ndërkohë që java është mbyllur pozitivisht edhe në Wall Street. Monedha e përbashkët evropiane vijon rrugëtimin e saj duke arritur në nivelin 1.1260 dollarë, pika maksimale prej dy muajsh, dhe më pas të dobësohej lehtë duke e mbyllur javën në nivelin 1.12. Për euron ishte java më e mirë që nga tetori i vitit 2011. Vetëm pak javë më parë euro kishte zbritur në nivelin më të ulët në 12 vite ndaj dollarit. Në rritjen e vlerave, sipas ekspertëve kanë ndikuar të dhënat më të fundit për inflacionin të publikuara nga Eurostat, sipas të cilave zona e monedhës së përbashkët më në fund arriti të dilte nga deflacioni pas katër muajve. Ekspertët mendojnë se në këtë pikë program i lehtësimit sasior, me blerjen e titujve shtetërorë prej 60 miliardë euro të nisur nga Banka Qendrore Evropiane në muajin e kaluar po jep efektet e para.

Duke parë këto të dhëna, mendohet se BQE nuk do ta zgjasë më tej se shtatori 2016 këtë program. Edhe të dhënat e fundit që vijnë nga Shtetet e Bashkuara kanë shpejtuar korrektimet në tregjet valutore, sidomos të dhënat e Prodhimit të Brendshëm Bruto për tremujorin e parë me një rritje prej 0.2% në bazë vjetore. Ky ishte një rezultat zhgënjyes që përforcon parashikimet për një rritje të normave të interesit në Shtetet e Bashkuara jo më parë se vjeshta. Ekspertët presin një ngushtim të diferencës ndërmjet rritjes së ekonomisë në Shtetet e Bashkuara dhe asaj të Eurozonës, ku kjo e fundit është në rritje më të shpejtë.

 

 

Serbia synon të dalë nga kriza

Kryeministri serb, Alaksandar Vuçiç, ka bërë një përshkrim inkurajues të financave publike të vendit, duke e konsideruar më të mirin e viteve të fundit. Duke folur në një konferencë për mediat, Vuçiç deklaroi se, qeveria parashikon për këtë vit një rritje të Prodhimit të Brendshëm Bruto me 1%, një “mrekulli” e vogël sipas tij, nëse merren parasysh parashikimet negative më pas të korrektuara në muajt e shkuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar për një rritje zero. Reformat e nisura nga qeveria, sipas Vuçiç po japin rezultatet e para dhe qytetarët do të ndjejnë shenjat e para të përmirësimit brenda fundit të këtij viti. Deficiti buxhetor, shtoi Vuçiç, rezulton më mirë nga parashikimet dhe duhet menduar realisht për një rritje të pensioneve dhe pagave të sektorit publik duke nisur nga fillimi i muajit Tetor. Por, për këto hapa qeveria do të diskutojë me misionin e FMN­së në muajin gusht.

Pagat publike dhe pensionet mbi 25 mijë dinarë (rreth 210 euro) u ulën me 10% në muajin nëntor në kuadër të masave shtrënguese të vendosura nga qeveria për të shëndoshur financat publike. Ndërkohë, një delegacion i Fondit Monetar Ndërkombëtar ka mbërritur më 29 prill në Beograd dhe do të qëndrojë deri më 12 maj për të analizuar gjendjen aktuale të ekonomisë serbe dhe për të diskutuar statusin e huasë së re për vendin prej 1 miliard euro në tri vite. Kjo shumë kredie u miratua nga Fondi në muajin shkurt.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here