“Shqiptarët të bashkuar”/ Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit falenderon qytetarët për besimin: Vazhdojmë me ndihmat…

0
148

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka falenderuar për besimin dhe mbështetjen që kanë dhënë përgjatë dy ditëve, me ushqime, batanije e dyshekë, mjete të higjenës, medikamente e pajisje mjekësore.

‘Tragjedia e tërmetit më të rëndë që Shqipëria ka përjetuar që prej dekadash dhe kriza humanitare e lindur befas si pasojë e saj nxiti një valë solidariteti të njohur më parë në këtë nivel vetëm në rastin e luftës së Kosovës.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit nisi dje një aksion për mbledhjen e ndihmave nga qytetarët me qëllim që më pas ato të dërgoheshin në zonat më të prekura nga kriza humanitare. Sheshi i Teatrit Kombëtar u promovua edhe në mediat e ndryshme televizive dhe të internetit si dhe në rrugë të tjera, për shembull përmes faqes së Ambasadës Italiane në Facebook, si vendi ku qytetarët të sillnin ndihmat e tyre.

Reagimi nga qytetarët ishte shumë i shpejtë dhe bujar.

Rreth 2000 persona kanë sjellë deri tani ndihma dhe kontribute financiare, ndër të cilët ka pasur edhe qytetarë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

Aktualisht ambientet e hollit të Teatrit Kombëtar janë të mbushura me ndihma, kryesisht ushqimore si dhe batanije e dyshekë.

Deri në orën 16:00 të ditës së sotshme, 10 kamionë, furgonë e makina të vogla me ndihma janë çuar në: Thumanë, Durrës, Ishëm, Manzë, Pezë, Fushë Prezë.

Procesi i mbledhjes, përgatitjes së paketave të ndihmës, sistemimit të tyre, transportit e dorëzimit në destinacion te të prekurit nga kriza humanitare, përfshin një grup vullnetarësh prej 40-50 qytetarësh që punojnë nga sheshi i Teatrit.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit falenderon qytetarët për besimin, i fton të ndjekin njoftimet që do të shpërndahen në formë elektronike e përmes mikrofonit në Sheshin e Teatrit dhe të japin ndihmën e tyre në çdo drejtim: me ushqime, batanije e dyshekë, mjete të higjenës, medikamente e pajisje mjekësore.

Aksioni i ndihmës do të vazhdojë pa ndalim për aq kohë sa të ketë qytetarë në nevojë e qytetarë të gatshëm për të dhënë ndihmën e tyre.

Bashkë në dhimbje, bashkë në manaxhimin e krizës!-shkruan Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here