Babëzia nuk ka frikë nga termeti…

0
136
Nga Oerd Bylykbashi

Tmerri dhe paniku i termetit po kalon, por tragjedia mbetet aty. Sot kur 51 persona nuk janë më mes nesh, me mijëra familje lëngojne nën pasojat e tmerrshme. Me mijëra kanë mbetur të pastrehë sepse banesat u janë bërë të pabanueshme dhe shumë prej tyre nuk dinë ende nëse do të rikthehen në shtëpitë dhe pronat e tyre.

Shumë durrsakë që kam takuar nuk dinë nëse do t’u prishet pallati ku kanë të gjithë pasurinë e jetës, çfarë do të bëhet me ato pasuri, kush dhe si do e ndajë fatin e tyre. Nëse nuk do të prishet, a janë të sigurta? Shumë kanë frikë se prona e tyre do të prishet që t’u grabitet trualli për ndërtime nga klientet e qeverisë. Kur i thashë disa të dëmtuarve që ata janë pronare dhe kanë të drejta që ua mbron ligji, me thanë: “Ehu, ku pyet ai i gjati… Ta kthen pronën në lulishte dhe të degdis në kenetë.” Shumë kujtojnë ende fillimin e viteve ’80 kur iu prishën shtëpite në qender të Durresit nga shteti komunist dhe u degdisen në ndertesa parafabrikate në buzë të ish-kenetës.

Një gjë është e vertetë: babëzia nuk fle kur bie termet, as ikën të strehohet diku tjetër deri sa të mbarojnë pasgoditjet. Peshkaqenëve që gëlojnë pranë pushtetit u ka dalë penda e kurrizit mbi ujë dhe po vijnë rrotull parave dhe projekteve të rindertimit dhe kudo ku bie erë para dhe spekullim.

Një këshille kam për bashkeqytetarët e mi pronave të të cilëve rrezikohet që t’u vihet një kryq i kuq tek portat e ndertesave:

Krijoni asamble apo komitete të bashkëpronarëve të pallatit ku jetoni dhe rrezikoni që shteti t’ua prishë me nxitim pasi është vënë kryqi. Për fat të keq, këto asamble shpesh nuk janë ngritur kurrë për të mirëadministruar pronën atëhere kur toka ende nuk dridhej. Por sot duhet të pajtoni keshillim ligjor kompetent dhe ekspertizë që t’ju qartësojnë të drejtat tuaja civile pronësore dhe të bëni kërkesat apo paditë e nevojshme, apo po të jetë nevoja të kallzoni penalisht këdo që abuzon me të drejtat tuaja. Sepse kush abuzon ka dhe duhet të mbajë përgjegjësi.

Shteti duhet t’ju sqaroje pa ekuivok se cili është autoriteti apo organi që merr vendimin për pronen tuaj dhe cili është akti përkatës? Kur dhe me çfarë transparence u mor vendimi? Çfarë është vendosur për pronën tuaj? Si është marrë vendimi, pra cila është procedura e ndjekur? A ka një raport të detajuar teknik mbi bazën e të cilit është marrë vendimi? Cilat janë arsyet teknike që kanë çuar në atë vendim? Cilët janë ekspertet që kanë dhënë ekspertizën (ekspertët duhet të jenë të liçencuar për nivelin e dijes që nevojitet). A është një ekspert individual apo një panel ekspertësh? A ka nje oponence për atë vendim? Kush, kur, ku dhe sa do t’ju demshpërblejë nese ju takon?

Denglat e Kryeministrit kur kërcënon ndërtuesit me burg nese nuk bëjnë vetë riparimet, kanë pak ose aspak vlerë ligjërisht. Nëse ndërtuesit kanë përgjegjësi penale, nuk e blejnë dot pafajsinë duke ndrequr fasada apo duke bëre bamirësira. Por kryeministri nuk e shmang përgjegjësinë e tij si kryeminister me të njejtin model që përdori për drejtësinë. Sot ai nuk i shpëton përgjegjësisë që ka çdo kryeminister në emër të shtetit në një situatë të tillë duke ia hedhur të gjithë fajin dhe pergjegjësinë për të ndërhyrë vetëm ndërtuesve.

Këshillimi ligjor dhe ekspertiza do t’ju ndihmonte të bëni pyetjet e duhura shtetit dhe t’i kërkoni llogari për aq sa ai ka detyrim. Shteti ka përgjegjësinë e tij për demin që ju është shkaktuar sepse ka miratuar planin urbanistik që ka lejuar lartësinë dhe dendësinë e pallateve, ka lejuar ndertime në troje me sizmicitet të caktuar, ka miratuar teknikisht projektin e ndertesës, ka fimosur lejen e ndërtimit, ka licencuar supervizorët e ndërtimit, ka bërë kolaudimin e ndertesës dhe në fund ka dhënë lejen e shfrytëzimit pa të cilën nuk mund të futeshit në ndertesë. Të gjitha këto kanë qenë hapa thelbësore para se ju të bëheshit pronarë të banesave tuaja. Pra shteti ka qenë prezent gjithë kohës dhe ka përgjegjesinë e tij perkrah ndërtuesve.

Ka ndërtesa qe duhet të prishen pa diskutim sepse janë rrezik publik. Ka që duhen ndrequr para se të futen banorët përndryshe rrezikohen jetë apo shendeti. Ekspertet duhet dhe do të bëjnë punën e tyre me qetësi e profesionalizëm. Por ka shumë rëndësi si e bejnë këtë punë dhe për këtë duhet të garantojë dhe të përgjigjet shteti. Përveç pergjegjësisë civile dhe penale të atyre që kanë shkaktuar dëme duke shkelur rregullat e ndërtimit, pergjegjësia penale dhe civile nuk përjashtohet për zyrtaret qe mund të cënojnë pasuritë e qytetarëve në mënyre të papërgjegjëshme me vendimet që po marrin sot për prishje ose jo të objekteve.

Asambletë apo komitetet e bashkepronarëve të ndërtesave duhet të mbrojnë pa humbur kohe të drejtat e tyre pronësore që para se të vendoset kryqi, jo pasi ndërtesa të jetë rrënuar me buldozerë apo tritol. Kjo fushatë prishjesh nuk mund t’i ngjaje drejtësise partizane nëpër rrugica që pushkatonte pa gjyq në dhjetorin e 1944. Shteti duhet t’u faktojë me përgjegjesi dhe transparence veprimet, në mënyrë që banoret të dijne kujt t’ia kërkojnë faturën. Ky ishte një termet ne kufijte e shkatërrimit të plotë dhe dëmet janë të kuptueshme. Por askush nuk ka të drejtë të abuzojë me të drejtat e hallexhinjve, aq me keq nëse pas abuzimit qëndron babëzia e hienave.

Bëhuni bashkë dhe mbroni të drejtat si komunitete, sepse si individë Kryeministri ju tall para kamerave apo Ministri i Policisë ju kërcenon për panik. Ne si opozitë do të bëjmë punën dhe presionin tonë politik dhe qytetar në këtë situatë të vështirë, që shteti të bëjë detyren e tij dhe të bëhet transparence.

Mos harroni, babëzia nuk fle gjumë nën tenda të holla qe me zor e mbajnë shiun por që të ftohtin nuk e ndalojnë! Peshkaqenët kanë hapur nofullat sepse kanë ndjerë aromen e përfitimit!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here