Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ftoi dje të gjithë qytetarët të marrin pjesë më 21 qershor në zgjedhjet për drejtuesit vendorë, duke e cilësuar votimin si një akt sublim ku njerëzit shprehin vullnetin e tyre të lirë për të zgjedhur udhëheqësin e tyre për t’i qeverisur në katër vitet e ardhshme. “Duke votuar në mënyrë të gabuar ose duke mos votuar, jemi të pambrojtur, të pasigurt e të paorientuar. Vetëm duke i dhënë rëndësinë e duhur votës mund t’i merrni në dorë fatet tuaja. Demokraci do të thotë të kesh dhe të respektosh një numër të drejtash themelore të individit në marrëdhënie me bashkësinë. Një nga këto të drejta themelore është e drejta e votës. E drejta e votës që e arritëm me aq mund e sakrifica është një Liri e paçmuar. Lirinë e votës nuk mjafton vetëm ta keni. Duhet edhe të dini ta përdorni”, – tha ai. Më tej kreu i shtetit u kërkoi të gjithë qytetarëve të të mos e shesin votën dhe ta përdorin atë në interes të mirëqenies dhe interesave të tyre. “Respektojeni dhe votojeni kandidatin që t’ju respektojë ju dhe veten e tij, që brengoset, që sakrifikon, pse jo, edhe vuan, më tepër për ju se për veten. Mos e shisni votën! Vota nuk ka çmim. Shitja e votës është turpi dhe tmerri më i papërfytyrueshëm që na njollos të gjithëve njëlloj. Kandidati që jua blen votën, nuk ju respekton, vetëm ju gënjen, vetëm ju përbuz, vetëm ju urren. Fenomeni i shëmtuar dhe i padenjë i shitblerjes së votës ka ndodhur në disa nga zgjedhjet e kaluara”, – deklaroi Presidenti.