Viti 2019 nuk ishte i qetë përsa i përket në botën e krimit. Që në ditët dhe javët e para të 2019-ës, vendi u trondit nga një seri vrasjesh, atentatesh e ekzekutimesh mafioze.
Disa për larje hesapesh, disa të tjera për pazare droge por nuk mungonin as krimet në familjet si dhe krimet pasioni. Familjarë, ish-policë, biznesmenë e menaxherë vipash, ishin viktimat e para të disa prej ekzekutimeve që tronditën Shqipërinë.
Vrau bashkëshorten dhe motrën e saj në Mallakastër
Në ditën e dytë të 2019-ës, krimi tronditi Mallakastrën ku 34-vjeçari, Gazmend Musta masakroi me thikë bashkëshorten e tij dhe motrën e saj. Fillimisht, Gazmend Musta kishte debatuar me gruan pasi kjo e fundit e kishte qortuar mbi faktin që ai kishte konsumuar alkool.
Pas debatit, e ndjera, Gentiana Caushaj, i kishte kërkuar bashkëshortit leje që të shkonte te prindërit e saj.
Duket se fjalët e Gentianës nuk janë pritur mirë nga Gazmendi, që ka nisur të debatojë verbalisht me gruan. Në një moment debati është përshkallëzuar, dhe në gjaknxehtësi e sipër 34-vjeçari e ka qëlluar të shoqen me thikë.
Më pas ka ndërhyrë, Merisa Caushaj për t’i dalë në mbrojtje së motrës por 18-vjeçarja ka rënë pre e sulmit me thikë, duke mbetur të vdekura në vend të dyja.
Dhëndri vret vjehrrin, vjehrrën dhe veten
Më 14 janar 2019, një tjetër krim, madje i trefishtë tronditi Tiranën. Dhëndëri, vret vjehrrin, vjehrrën dhe më pas veten. Bëhet fjalë për 63-vjeçarin Bujar Mata dhe Valentina Mata e për Majlind Lilën. Pasi ka vrarë me armë zjarri dy ish-vjehrrit e tij nga Korça, 52-vjeçari me origjinë nga Burreli la armën brenda në banesë dhe u hodh mbi disa kangjella nga ballkoni i katit të dytë.
Ekzekutimi mafioz i ish-policit Arben Bilali
Në mesditën e 30 janar, krimi tronditi kryeqytetin, ku persona të masakruar ekzekutuan me 10 plumba ish-punonjësin e Policisë së shtetit, Arben Bilalin. Ky i fundit, prej vitesh qëndronte i ngujuar në shtëpinë e tij në zonën e Selitës, pasi vite më parë i kishin vrarë dy vëllezërit, Leonard e Bujar Bilali.
Vrasja e Jurgen Kurtit, menaxherit të VIP-ave
Menaxheri i njohur i VIP-ave Jurgen Kurti, u ekzekutua mbrëmjen e 18 marsit në zonën e Sheshit Ëilson teksa futen në shtëpinë e tij. 26-vjeçari njihej për jetën luksoze si dhe i akuzuar për përfshirje në disa ngjarje kriminale, deri te ajo më e rënda, e vrasjes së babait të tij, bëri që atentati ndaj tij të trondisë Tiranën. I njohur si menaxher i VIP-ave, Kurti është akuzuar për vrasjen e babait të tij Artur Kurti, krim për të cilin e mori përgjegjësinë daja, ndërsa dyshohet se ka qenë dhe autor i vrasjes me thikë të shtetasit Agim Arapi në Durrës, për shkak të qirasë të pa-paguar në një dyqan ushqimor.
Breshëri plumbash në Shkodër! Si u vra Nardi i Bujtinave?
Prej muajsh, qyteti i Shkodrës kishte rënë në “qetësi” nga vrasjet dhe ekzekutimet mafioze mes bandave të qytetit. Ndërsa, pasditen e 20 marsit, vritet në mes të rrugës Nard Polia. Ky i fundit, i njohur si Nardi i Bujtinave, biznesmen i bujtinave në zonën e Thethit, u qëllua me të paktën 20 plumba kallashnikovi teksa i jepte makinës së tij në rrugën e fshatit Grudë, sapo doli nga servisi ku kishe çuar mjetin. Për vrasjen e Nardit të Bujtinave janë arrestuar katër persona.
Atentati mafioz ndaj avokatit Ravik Gurra
Ekzekutimi i avokatit Ravik Gurra në mes të qytetit të Elbasanit do të trondiste jo vetëm kalimtarët dhe banorët e qytetit, por mbarë vendin pasi tashmë dora e krimit nuk po kursente më askënd. Ravik Gurra ndodhej në një lokal bashkë me dy miq të tij, kur një person i afrohet nga pas dhe pasi e përshëndet e qëllon me armë me silenciator në kokë. Miqtë e avokatit e kuptuan që ai ishte qëlluar me vetëm pasi Gurra u rrëzua i pajetë nga karrigia.
Vrasja e vëllezërve Bilali
Shkodra u përgjak sërish me vrasjen e dy vëllezërve Bilali. Mëngjesin e 30 marsit Astrit dhe Ibrahim Bilali u ekzekutuan në oborrin e shtëpisë. Krimi i rëndë dyshohet se ka qenë mesazh për djalin e Astritit, ish-kampioni i boksit Asmer Bilali. Ky i fundit u arrestua një vit më parë si i përfshirë në grupin kriminal Bajri dhe vijon ende të qëndrojë në qeli.
Vrasja e Indrit Çelaj, tekniku i kondicionerit
Zënka e momentit për një tub të kondicionerit, i mori jetën Indrit Çelajt. 26-vjeçari punonte si teknik kondicioneri, u vra me plumb në kokë. Autorë të vrasjes dyshohet se janë dy vëllezërit Albano dhe Griseldo Kusi teksa po punonte në vilën e tyre në zonën e Myslym Shyrit.
Ngjarja tragjike, tronditi mbarë opinionin publik ndërsa një ditë më vonë i riu vdiq në Spitalin e Traumës. Indrit Çelaj ishte djalë i vetëm i familjes Çela, mes tre motrave. Ndërsa, një muaj më vonë, në shtator Çelaj do të fejohej.
Ekzekutimi i ish-policit Santiago Malo
Santago Malko, ish-efektivi i policisë ishte shpallur në kërkim nga Policia pas përplasjes me armë në zonën e Bllokut, ku mbeti i vdekur Fabiol Gaxha ku mbetën të plagosur disa persona të tjerë. Malko u vra në atentat mbrëmjen e 27 gushtit me breshëri plumbash në zonën e Xhamllikut. Santiago Malko ishte i skeduar si i përfshirë në disa ngjarje të rënda kriminale në kryeqytet. Për vrasjen e tij policia ka shpallur në kërkim 8 anëtarët e klanit “Duka”.
Shoku i ngushtë e shiti për lekë Eri Zefin, si e nxori nga ngujimi
Ngjarja e rëndë ndodhi në 2 tetor në fshatin Zall Xhuxhë të Mirditës. Eri Zefi u gjet i vrarë në një kanal kullues në Fan të Mirditës. I riu ishte banues në fshatin Adriatik të Kurbinit dhe dyshimet e para ishin se ai u vra për gjakmarrje, pasi Eri Zefi është vëllai i Ndue Zefit, ku ky i fundit në shkurt të këtij viti ka vrarë fqinjin e tij, 45-vjeçarin Martin Ndreca, pas një sherri banal.
Eri zefi është ndjekur nga dy persona për disa ditë me radhë para se të ekzekutohej. Hetimet e kryera nga Prokuroria e Lezhës kanë nxjerrë në dritë se një rol të rëndësishëm për vrasjen e Zefit, e ka kryer shoku i tij i ngushtë Mikel (Gjovalin) Alia.
Vrasja që tronditi Kavajën në banesën e Marsida Qatjas
Në orët e para të mëngjesit të 10 tetorit, përplasje me armë zjarri ka ndodhur në banesën e Marsida Qatjas mes punonjësit të Burgjeve Bledar Toçit dhe Dritan Haxhollit.
Ky i fundit ka parë Bledar Toçin të futej në shtëpinë e Marsidës, ish-të dashurës së tij, dhe menjëherë ka marrë kallashnikovin dhe është nisur për në shtëpinë e saj. Aty Haxholli është përballur me policin e Burgjeve dhe e ka qëlluar menjëherë me kallashnikov në sy të Marsidës dhe 3 fëmijëve të saj.
Bledar Toçi arrin t’ju shpëtojë plumbave dhe menjëherë armën e shërbimit që kishte me vete dhe qëllon në drejtim të Dritan Haxhollit duke e lënë të vdekur në vend.