Si u përplas në Tiranë Ditmir Bushati me ministrin e Jashtëm Cavusoglu, për ekstradimet e `gylenistëve`

0
103

Në tetor të vitit 2018 gjatë një turi në Shkup, Prishtinë dhe në Tiranë, ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Çavusoglu, me një gjuhë aspak diplomatike kërkoi nga të tre vendet që të spastrojnë nga vendet e tyre `armiqtë` e Turqisë, të ashtuquajturit `gylenistë`.

Kosova nëpërmjet një aksioni të jashtëligjshëm të kryer në fshehtësi me urdhër të presidentit Thaçi nga shërbimi sekret, ekstradoi vitin e shkuar 6 mësues të akuzuar në Turqi. Nga ana tjetër, Shqipëria zbatoi vetëm kërkesën për mbylljen apo tjetërsimin e rrjetit të shkollave të financuara nga Gulen dhe nuk guxoi deri te shkelja e konventave ndërkombëtare që ka nënshkruar me BE, siç bëri Kosova me ekstradimet skandaloze pas të cilat u larguan nga detyra ministri i Brendshëm dhe shefi i shërbimit inteligjent.

Por në këto kohë të vështira për pushtetin e tij, duket se Edi Rama nuk ka gjetur më shteg, për t`ju shmangur detyrimeve që ka kundrejt `sulltanit` Erdogan. Ndaj ditën e parë të vitit 2020 e ka inauguruar me një operacion skandaloz dhe të dyshimtë, për ekstradimin drejt burgjeve të Turqisë të mësuesit, Harun Çelik, i cili kishte hyrë në Shqipëri me dokumente të falsifikuara kanadeze në tentativë për ti shpëtuar përndjekjeve nga shtetit turk me arsyetimin, se është pjesë e lëvizjes “FETO”.

Ky ekstradim i cili ka ngjallur reagime të ashpra jo vetëm brenda vendit, por edhe nga deputetët të parlamentit evropian shënjon edhe një devijim të politikës sonë të jashtme në lidhje me këtë çështje. Rikujtojmë se në 19 tetor të vitit 2018, pikërisht për çështjen e ekstradimeve të të kërkuarve politik nga Turqia pati një përplasje live në Tiranë mes ministrit të Jashtëm në atë kohë, Ditmir Bushati, me homologun turk Mevlut Çavusoglu.

Ky i fundit gjatë konferencës së përbashkët për mediat, gati me tone urdhërore deklaroi se;

“Ne i kemi përcjell në një mënyrë të qartë të gjitha kërkesat. Hapat që duhen hedhur për eleminimin e FETO-s këtu. Eleminimin e veprimtarisë kundër Turqisë që zhvillohet këtu. Ne gjithmonë kemi dhënë lista me emrat e tyre miqve tanë shqiptar. Gjithashtu janë persona për të cilët ne kërkojmë ekstradimin e tyre. E kemi bërë këtë kërkesë edhe në mënyrë zyrtare”.

Por menjëherë pas kësaj deklarate, përveç të tjerave ish-ministri Bushati i vuri në dukje homologut turk, se Shqipëria përpara së gjithash është një vend anëtar i NATO-s e vend kandidat për në BE,i cili ka aderuar në disa dokumente të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e ekstradimit.

“Përgjigja e shtetit shqiptar është ajo përgjigje që i kemi dhënë qoftë Turqisë por edhe në planin ndërkombëtar. Shqipëria ka qenë një ndër vendet e para që është solidarizuar me çfarë ndodhi në Turqi në rrethanat e grushtit të shtetit. Por nga ana tjetër është një vend anëtar i NATO-s, vend kandidat për në BE, ka aderuar në disa dokumente të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e ekstradimit dhe çdo politikë e tillë ndiqet në rrugë diplomatike dhe as se si në konferenca shtypi”, ishte atëherë përgjigjja e prerë e Bushatit.

Por vetëm 2 muaj më pas, ai u shkarkua prej Edi Ramës nga detyra e lartë e ministrit të Jashtëm të Shqipërisë!

Image

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here