Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, tha se irakianët po festojnë pas vrasjes së mbrëmshme të komandantit të njësitit elitar iranian Quds, Qassem Soleimani.
Pompeo postoi në Twitter një video të Irakianëve që vallëzonin nëpër rrugë.
“Populli irakian po vallëzon në rrugë për liri dhe është mirënjohës që gjeneral Soleimani nuk është më”, tha Pompeo.
Presidenti amerikan, Donald Trump, deri më tani nuk ka komentuar sulmin e mbrëmshëm në Bagdad, ndërsa vetëm ka postuar flamurin e SHBA-ve në Twitter.
Në një sulm në aeroportin e Bagdadit është vrarë komandanti Soleimani, i cili ka kryesuar njësitin elitar iranian të Gardës Revolucionare, ndërsa Departamenti i Mbrojtjes i SHBA-ve njoftoi se sulmin e kryen forcat amerikane me urdhër të presidentit të vendit Donald Trump. Gjatë sulmit është vrarë edhe zëvendës-komandanti i forcave shiite Hashd al-Shaabi, Abu Mahdi al-Muhandis.
Ambasadori iranian në Bagdad Masjedi tha se sulmi ndodhi një orë pas mesnate dhe se gjithsej dhjetë njerëz u vranë.
Udhëheqësi fetar iranian, Ayatollah Ali Khamenei, ka shpallur tre ditë zie kombëtare.
“Lufta dhe rrugëtimi i Soleimani nuk mund të ndalet. Përgjegjësit i pret një hakmarrje e dhimbshme”, tha Khamenei.//AA