Mediat ndërkombëtare vijojnë që të trajtojnë me shumë rezerva rrëzimin e avionit Boing në Iran, që shkaktoi të paktën 176 viktima.
Së fundi janë publikuar disa foto ku shihet se Irani ka përdorur mjete të rënda për të lëvizur nëpër copat e mbeturinave të avionit të rrëzuar, duke shkatërruar potencialisht prova, të cilat mund të ndihmojnë në përcaktimin e saktë të asaj që ndodhi.
Sipas “Business Insider” imazhet dhe raportimet nga vendi i përplasjes tregojnë se së paku një fadromë po punon tek rrënojat në këtë vend.
Një Boeing 737-800 u rrëzua të martën duke vrarë 176 njerëzit në bord, gjë e cila shtoi edhe më tej tensionet mes Iranit dhe SHBA-së.
Uashingtoni pretendon se avioni u rrëzua nga raketat e Iranit, ndërsa ky i fundit mohon më forcë akuzat e ngritura. Irani pohon se avioni u rrëzua për shkak të një çështje teknike në bord.
Zona e rrëzimit thuhet se është në qendër të një beteje të tensionuar gjeopolitike, ndërsa avioni operonte në kuadër të kompanisë “Ukrainian International Airlines”.