Krimi dhe arsimi

0
209

Nga Dr. Ndriçim Mehmeti

 

Sikundër është bërë zakon në vitet e fundit për çdo janar kemi krime pasioni, xhelozie, larje hesapesh, droge, prostitucioni e kështu me radhë. Së fundmi në krimet e kryera, por edhe në aksidentet që kanë përfunduar fatkeqësisht me humbje të jetëve njerëzore, të bie në sy pjesëmarrja edhe më e shtuar e adoleshentëve. Në shumë debate, shkrime, opinione, mundohet të bëhet lidhja e  ngushtë e krimit mes parave të pista, varfërisë, luftës për territor, lidhjes së ngushtë të krimit me politikën e kështu me radhë. Po në pak raste bëhet lidhja mes krimit me arsimin.

Përse marrin pjesë gjithnjë e më shumë, në veprimtari kriminale adoleshentët?

Nëse i biem shkurt mund të rendimi pak fjali: Etja për pasurim të shpejtë dhe pa lodhje; dëshira për makina luksoze, femra, ketë nate, për më shumë pushtet në lagje, fshat a në rrethin që të shoqëron, njohje me njerëz të fortë, nxitja prej jetës prej gangsteri të shumë personazheve televizivë apo real. Sigurisht që të gjitha qëndrojnë, por po të ngremë pyetjen: Cili është niveli arsimor i këtyre fëmijëve, do të marrim një përgjigje më të plotë, përse  është shtuar veprimtaria e adoleshentëve në të gjitha llojet e krimit, prej atij ordiner në rrugë dhe deri tek i mirë organizuar. Pothuajse të gjithë këta të rinj mezi kanë përfunduar shkollën 8 ose 9 vjeçare. Ka prej tyre që nuk i kanë as formalisht 8 apo 9 klasë. Në një pjesë të madhe edhe pse kanë përfunduar arsimin e mesëm apo 4 a 5 klasë nuk dinë të shkruajnë. Në pikëpamje të zhvillimit kanë një inteligjencë që lë për të dëshiruar dhe janë mjaft të ashpër edhe pse në dukje nuk japin një përshtypje të tillë. Në klasë dhe në shkollë ata ose njihen si shumë të urtë, ose pak arrakat por që nuk i prishnin punën njeriut. Ka edhe prej tyre që kanë qenë të dhunuar në shkollë dhe kanë trauma prej saj. Pra një sërë kategorish, për të cilët shumë rrallë gjen një informacion të saktë. Por të gjithë kanë disa gjëra të përbashkëta. Nuk kanë asnjë brejtje ndërgjegjje, janë të ashpër e të dhunshëm dhe nuk mendojnë fare nëse kanë të bëjnë me një grua, me një vajzë, me një të moshuar, nëse janë në mjedise publike apo familje etj. Rastet që e vërtetojnë janë mjaft të qarta. Le të flasim për ngjarjen e fundit në Ballsh, pavarësisht presionit të supozuar nga ana 26 vjeçarit, dy 16 vjeçar ishin të gatshëm ta ndiqnin nga mbrapa, pa asnjë farë pendese. Ishin krejtësisht të parregullt në jetë. Në orën 12.30 të natës, lëviznin me një njeri 10 vite më të madh në moshë, prej banesës së tyre në një tjetër, ndërkohë që normalisht duhet të ishin në gjumë apo duke studiuar, hartuar një projekt për studimet në shkollën e mesme. Përdorues të kafes, alkoolit, duhanit dhe ndoshta edhe të lëndëve narkotike, është një rutinë jashtë natyrës së jetës normale të një adoleshenti që shkollohet, ka pasion dijen,  informacionin përmes internetit, librave të ndryshëm etj. Por nëse rasti i Ballshit do të ishte krejt i izoluar, atëherë do të thoshim “nuk ka gjë. Një rast i izoluar është dhe e rregullojmë, se kjo na ndodhi larg në një zonë rurale”. Po në rastin e nxënësve të shkollës “Rilindja”, me adoleshentët nën moshën 16 vjeç që kërcënonin një 13 vjeçare me video intime, si ndodhi? Si mundet që një grup fëmijësh kanë një mendje kaq diabolike, sa që xhirojnë njëri-tjetrin, i kthejnë në CD, kërcënojnë vajzën e madje deklarojnë se janë të gatshëm të shesin CD për të siguruar fitime? Ku ishte edhe në këtë rast shkolla, dëshira për dije, për të luajtur e parë filma të moshës? Ku ishte shoqëria, shkolla, familja, shteti? Shoqëria lau duart duke thënë të zhduket nga qyteti familja e vajzës, familjet e djemve akuzuan vajzën, shteti deklaroi përmes Elisës, se “me raste të tilla bëhen filma në dynja”. Një djalë nën moshën 18 vjeç nga qyteti i Gramshit kapet në Lezhë, i dyshuar si vrasës me pagesë. Grupe të rinjsh nën moshën 18 vjeç bëjnë gara me makina pak kilometra larg kryeqytetit dhe humbin jetën. Po t’i shtojmë pasatja sherret e përditshme, bullizmin, konsumin e alkoolit, duhanit, drogës, bëhen pak si shumë.

Ku është roli i arsimit në këtë rast? Përse nuk funksionojnë mekanizmat rregullues që ka shteti për të  mundësuar një të ardhme të suksesshme të të rinjve?

Duke parë raste e mësipërme është fare e qartë se shteti ka dështuar tërësisht dhe se arsimi ka dalë jashtë funksionit të tij edukues. Në shumicën e zonave rurale shkollat janë mbyllur për shkak të uljes së numrit të nxënësve. Shkollat më të afërta, shpesh herë janë të pamundura për tu arritur nga nxënësit. Edhe në rastet që ka shkolla në fshatra, ato janë të pa mirëmbajtura, gjysmë të rrënuar dhe për rrjedhojë prindërit nuk i çojnë fëmijët në këto shkolla. Në jo pak raste mësimi bëhet në klasa të përbashkëta (kolektive), ku mësim nxënia është krejtësisht formale dhe krejtësisht e pamundur. Kjo lë shkas për braktisje shkollore, ul interesin për mësimin dhe për pasojë edhe pse nxënësi mund të jetë disa vite në shkollë apo edhe tërë ciklin e arsimit të detyruar ai nuk ka mësuar asgjë. Nuk di të kryejë veprimet kryesore, mund të shkruajë por nuk di të interpretojë apo kuptojë atë që thotë. Ai është një analfabet funksional dhe kaq. Rezultatet e PISA 2018, e vërtetojnë qartësisht këtë. Por edhe aty ku ka nxënës, ka mësues, shkolla me kushte relativisht normale, shumë pak bëhet për edukimin qytetar, kohezionin social, mungojnë programet argëtuese dhe edukuese, mungon shpirti i solidaritetit, vullnetarizmit, ndihmës ndaj të vobektëve, njerëzve në nevojë, më të rinjve etj. Në shkollat urbane dhe rurale, shërbimi psiko-social, thuajse është inekzistent. Nxënësit dinë që ka një psikolog, por nuk janë takuar asnjëherë me të, ose thjesht është bërë një takim prezantimi. Me mungesa të tilla kaq të mëdha, suksesin e tyre këta fëmijë e shohin tek rruga dhe jo tek dija, të lidhen me të mëdhenjtë dhe jo të përpiqen të fitojnë një profesion ku mund të fitosh e të jesh i mirëqenë me punë të ndershme. Familja e ka humbur shumë rolin e saj kontrollues këshillues dhe vëzhgues ndaj fëmijës. Një pjesë e prindërve për arsye ekonomike emigrojnë dhe lënë pas familjen, duke e kuptuar se dërgimi i parave për të mbushur barkun fëmijët është detyra kryesore prindërore. Ka shumë familje të tjera që një nga prindërit është në burg, janë të divorcuar, me probleme të alkoolit dhe drogës. Shërbimi social, shkolla dhe pushteti vendor nuk kanë kurrfarë koordinimi për kësi rastesh dhe i lënë ato në rrjedhën e vet, të dali ku të dali. Kur ndodh gjëma, atëherë kujtohemi dhe flasim ose përsëri heshtim për atë që është më kryesorja: Arsimimi i fëmijëve tanë, për të parë sesi do të jetë e ardhmja e shoqërisë sonë. E deri në tragjedinë e radhës, ne përsëri do të heshtim e do të zgjohemi vetëm për pak orë. Ndërkaq, krimi do të jetë më shumë prezent për sa kohë arsimi po humb me shpejtësi rëndësinë e veçantë që ka për shoqërinë tonë.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here