Një alpinist ka rrëshkitur në Malin e Tomorrit mesditën e sotme dhe ka thyer një këmbë.
Ngjarja mësohet se ka ndodhur në afërsi të Çesmës së Tarikos.
Alpinisti ka qënë pjesë e një grupi prej 4 alpinistësh që kishin shkuar për të eksploruar Malin e Tomorrit, por gjatë ecjes në mal, njëri prej tyre ka rrëshkitur në një zonë të thepisur.
Ai është ndihmuar për tu nxjerrë nga vendi ku rrëshkiti nga bashkëudhëtarët e tij në këtë aventurë.
Burime të Komisariatit të Policisë Skrapar, bëjnë me dije se, alpinistët ishin nisur në mëngjes nga Qafa e Dardhës në Librazhd drejt Malit të Tomorrit.
Të njëjtat burime konfirmojnë se, 4 alpinistët kishin kaluar Çesmën e Tarikos dhe po i drejtoheshin pikës më të lartë të Malit të Tomorrit, në momentin kur njëri prej tyre rrëshkiti.
Po kështu, konfirmohet se, alpinistët janë të gjithë shqiptarë, por identiteti i tyre nuk dihet ende, ashtu sikurse nuk dihet edhe qyteti prej nga ata jane.
Kanë qënë vetë alpinistët ata që nëpërmjet telefonit kanë kërkuar ndihmën e emergjencave civile.
Mësohet se nga Tirana është nisur drejt zonës ku ndodhen alpinistët një helilopter i Ministrisë së Shëndetësisë për të transportuar drejt Spitalit të Tiranës alpinistin e dëmtuar për shkak se në zonën ku ata ndodhen nuk ka rrugë makine dhe zona është e mbuluar nga dëbora.