Bundestagu (parlamenti) gjerman i ka vendosur Shqipërisë 9 kushte për hapjen e negociatave. Po cilat janë këto 9 kushte? Cili është kuptimi i tyre? Ç’do të thotë të plotësohen këto 9 kushte? Cila ngarkohet më shumë, maxhoranca apo opozita, me plotësimin e këtyre 9 kushteve? A do të hapen negociatat nëse (nuk)plotësohen këto 9 kushte? E tjerë e tjerë. Së fundmi, a mjafton që të plotësohen 9 kushtet për hapjen e negociatave?
Cilat janë kushtet e Bundestagut gjerman?
Sipas burimeve të DW, bëhet fjalë për 9 kushtet e mëposhtme që duhet të plotësojë Shqipëria në mënyrë që Gjermania të hapë dritën jeshile për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE:
a) Për zgjedhjet e mëparshme të 2017 dhe 2019: 1) ndjekja penale e akuzave për shitblerjen e votave; 2) sqarimi përfundimtar me vendim të Gjykatës Kushtetuese të ligjshmërisë së zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019.
b) Për zgjedhjet e ardhshme: 3) miratimi i reformës zgjedhore; 4) implementimi i reformës zgjedhore.
c) Për reformën në drejtësi: 5) vënia në punë e prokurorisë speciale (SPAK) për luftimin e korrupsionit; 6) funksionimi i Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese; 7) ndjekja penale e gjykatësve dhe e prokurorëve që s’e kanë kaluar provimin e Vettingut; rezultate në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë edhe kapjen dhe ndjekjen penale e personave kyç të krimit (‘peshq të mëdhenj’).
d) Për reformën në administratën publike: 9) përparime në reformën e administratës publike.
Cili është kuptimi i këtyre kushteve?
Bundestagu gjerman kërkon përmes plotësimit të këtyre 9 kushteve të ndihmojë për zgjidhjen e krizës së thellë e shumëpërmasore që ka kapluar vendin. Po të lexohen integralisht këto 9 kushte, rezulton se zgjedhja e krizës kalon përmes kapërcimit të 9 pengesave:
- Ndjekja penale e ndëshkimi eventual i të gjithë përgjegjësve të manipulimit të zgjedhjeve (konkretisht hetimi i dosjeve 184 e 339 të krimit elektoral në zgjedhjet e mëparshme).
- Sqarimi përmes Gjykatës Kushtetuese i ligjshmërisë së zgjedhjeve të 30.06.2019 duke i hapur rrugë edhe zgjedhjeve vendore të parakohshme.
- Hartimi dhe miratimi me konsensus të gjerë politik i të gjithë ndryshimeve të Kodit Zgjedhor.
- Zhvillimi i zgjedhjeve vendore e të përgjithshme, të lira e të ndershme dhe eventualisht të parakohshme.
- Ngritja dhe vënia në punë e SPAK.
- Ngritja edhe funksionimi i Gjykatës Kushtetuese dhe i Gjykatës së Lartë,
- Ndjekja penale i prokurorëve dhe gjyqtarëve që s’kaluan vetingun.
- Ndëshkimi i “peshqëve të mëdhenj” të politikës, personave kyç të krimit dhe lidhjeve të tyre.
- Progres në zbatimin e reformës në administratën publike.
Përgjegjësitë e Qeverisë dhe të opozitës për plotësimin e kushteve?
Kusht i drejtëpërdrejtë për opozitën është vetëm pjesëmarrja deri në përfundim të reformës zgjedhore, ndërkohë që edhe në këtë rast përgjegjësia kryesore bie mbi qeverinë.
Kurse për realizimin e 8 kushteve të tjera ngarkohet/detyrohet kryesisht dhe/ose vetëm qeveria. Mosrealizimi i njërës, disave apo të gjithë këtyre 8 kushteve ngarkohet me përgjegjësi kryesisht dhe/ose plotësisht qeveria.
Çfarë ndodh nëse (nuk)plotësohen këto kushte?
Këto 9 kushte përbëjnë kërkesa të nevojshme dhe të mjaftueshme për palën gjermane; në kuptimin që nëse ato plotësohen, pala gjermane voton pro hapjes së negociatave të BE me Shqipërinë, ndërkohë që nëse edhe 1 prej tyre nuk plotësohet, Gjermania voton kundër hapjes së negociatave të BE me Shqipërinë.
Kurse për Këshillin Evropian, i cili merr vendim me konsensus për hapjen e negociatave me Shqipërinë, duhet pasur parasysh se 9 kushte janë të nevojshme, por jo të mjaftueshme; kjo do të thotë që edhe nëse plotësohen këto 9 kushte, mundet që ndonjë vend i ndryshëm nga Gjermania për arsye të tjera të mos votojë pro hapjes së negociatave së BE me Shqipërinë, kur ai vend gjykon kushti i vendosur prej tij nuk është plotësuar.