Vajtohet një i vdekur që nuk është

0
158

Amik Kasoruho

Amik KasoruhoLetërsi/ “Ikje nga trilli i perëndive”, fragment nga romani autobiografik i Amik Kasoruhos, që mban peshën e fatit të një njeriu, të cilin e burgosin në moshën 17-vjeçare, duke i mohuar rininë, i pushkatojnë të atin pas tre vjetësh; nënën e tij kërcure, e ngrenë në mes të natës dhe e internojnë në rrethinat e Lushnjës; familjen që krijoi pas daljes nga burgu, ia dëbojnë për 25 vjet të mundimshëm në Gosë të Kavajës. Dhe në fund, ikja nga Shqipëria. Aftësia e shkrimtarit që me pak fjalë tregon thelbin e së tërës është një ngacmim që e bën vetëm një shkrimtar

Burri i saj kishte shtatë ditë që ishte në burg. Dhe në këto shtatë ditë të shkurtit, ajo e kishte kërkuar kudo: në dy burgjet e Tiranës, në degën e brendshme të kryeqytetit, në rajone të ndryshme të policisë së qytetit: askush nuk i kishte thënë se ku ishte.

Tirana e atyre ditëve i ngjasonte një qyteti të vdekur. Njerëzit, të frikësuar, të terrorizuar, dilnin nga shtëpia vetëm për të shkuar në punë, apo për gjërat më të domosdoshme: në 20 të atij muaji, brenda një nate, ishin arrestuar qindra qytetarë.

Familjarët e të arrestuarve pyesnin njëri – tjetrin, se mos dikush kishte marrë vesh se ku mund të ishin njerëzit e tyre, të përpirë nga shtjella e një çmendurie kriminale. Hamendjet dhe hipotezat zinin lehtësisht vendin e të vërtetës: mjaftonte një fjalë e hedhur rastësisht, apo ndonjë e dhënë e pakontrolluar dhe të gjithë e merrnin për të vërtetë. Kërkimi i dëshpëruar i të afërmve e zbuste dhimbjen. Por ai kërkim i lodhshëm dhe i pashpresë mes ligësisë së disave dhe indiferencës dhe frikës së të tjerëve, nuk zgjati shumë kohë.

Mbrëmjen e parë të marsit trokitën në portë. Trokitën egërsisht, pa ndërprerje, me padurim. Kush mund të ishte? Motra e burrit të saj me një nga vajzat ishte aty, prej disa ditësh në shtëpinë e saj, që të mos mbetej vetëm. E edhe pse një ditë më parë, në 28 shkurt ishte ditëlindja e saj. Atë ditë kishte mbushur dyzetë e një vjeç.

Kush mund të ishte në atë orë, në një ditë kaq të papërshtatshme për një vizitë? Dhe pse trokitnin kaq dhunshëm? Miqtë, ata pak që sfidonin frikën dhe rrinin netëve pak me të, vinin pa u ndjerë, fshehurazi. Si hijet.

Kur hapi portën ngriu: aty, jashtë ishte një grup njerëzish, të errët dhe fytyrëngrysur, disa nga të cilët me uniformë. Njëri prej tyre pyeti pa një pa dy:

-Ti je gruaja e? – dhe vazhdoi aty për aty: -Në emër të popullit, terroristi është pushkatuar dhe gjithë pasuria e tij konfiskohet.

Asaj gati i ra të fikët. Për të mos u rrëzuar u mbështet në mur. Deshi të fliste, deshi të ulërinte, por nuk nxori zë. Kërkoi të kapej diku. Nuk gjeti se ku. Pamja iu mjegullua. Filloi të rrëshqiste mbas murit.

Zërat e atyre njerëzve (po a ishin zëra njerëzorë ata?) i dukeshin sikur vinin nga larg, nga shumë larg, nga një botë irreale, e paqenë. Por kur gjunjët nuk po e mbanin më dhe po binte në tokë, ndjeu që e mbajti dikush. Ishin kunata me të bijën që iu gjendën pranë me vrap.

Ai që dukej si kryetari i tyre e që kishte folur, pa përfillur gjendjen e gruas, vazhdoi , duke iu kthyer grave të tjera:

-Mund të marrë me vete disa veshje personale. Asgjë tjetër. Duhet ta lërë menjëherë këtë shtëpi. Ju është caktuar një banesë tjetër.

Kunata që e kishte marrë vesh në një mënyrë aq të përnjëhertë dhe çnjerëzore vdekjen e të vëllait, pa vetëdije u ndie e fortë dhe e zonja e vetes.

-Më keq se kjo vrimë nuk mund të gjendet. E ku na qenka ajo banesë e re?- pyeti ndërkohë që e bija po ndihmonte nusen e dajës të ulej në një karrige. Asnjëra prej tri grave nuk qante. Përpara dhunës edhe dhimbja, ndonjëherë, shndërrohet në një memecëri të egër.

-Po ti kush je?

-Jam kunata e saj. Motra e të shoqit!- dridhej por vazhdonte të tregohej trimëreshë.

-Në një vend të bukur turistik. Por të shpejtohet: jashtë po pret makina.

– A mund … a mund ta shoqërojmë ne?

Ai u kthye nga shokët të tij, dhe mbasi bisedoi nën zë për disa minuta, u përgjigj:

-Dakord. Por nxitoni: nisja mbas dhjetë minutash.

Tre gratë filluan të përgatiteshin. Më saktë, kunata me të bijën: e treta vinte rrotull e mangët dhe pa folur. Morën me shpejtësi disa rroba, një dyshek, një peshqir, ndonjë jastëk, dy mbulesa: kaq u lejuan të merrnin.

Kur gjithçka qe gati, ajo hodhi sytë për herë të fundit në atë dhomë të vetme që për shtatë vjet kishte qenë shtëpia e tyre, sikur të donte të sigurohej që gjithçka ishte në vendin e vet (sa herë e kishte përsëritur atë gjest instinktivisht, duke dalë nga shtëpia për të shkuar në shkollë?) dhe për të fiksuar në kujtesë pamjen e fundit të atij vendi që kishte parë shkatërrimin e një familjeje. Vështrimi i shkoi mbi fotografitë që ishin mbi komodinë. Bëri t’i merrte.

-Shoqe, kemi thënë vetëm gjërat personale. Absolutisht asgjë tjetër. Gjithçka që është brenda kësaj shtëpie është konfiskuar.

-Edhe këto dy fotografi?

Tjetri ngurroi për një çast, pastaj tha:

-Mirë. Por merr vetëm fotografitë. Kornizat jo.

Ndërsa po kapërcente portën, u kthye edhe një herë. Vetëm atëherë nuk mundi ta përmbante ngashërimin. Ose vetëm atëherë mundi të qante. Dhe qau me një vaj të trishtë, plot ankth, zemërçjerrës, e mbështetur në supin e mbesës.

Nëna nuk e kujtonte mirë gjithë këtë: ai e mësoi nga Senka, ditët e para mbas daljes nga burgu, në Durrës.

Vetëm dyzetë vjet më vonë u botua nga gazetat një letër e tmerrshme që Kryeministria i dërgonte ato ditë pushtetit lokal të qytetit të vogël të Lushnjes, ku thoshte tekstualisht: “ Dërgohen në atë qytet, të dëbuara nga Tirana familjet e disa reaksionarëve të pushkatuar këto kohët e fundit për aktivitet terrorist kundër Pushtetit Popullor (vijonin nga emrat e tri familjeve, mes të cilëve, ai i familjes së tij). Interesohuni për sistemimin e tyre ne ndërtesa, gjithashtu edhe tu gjendet ndonjë punë sa për të siguruar bukën e gojës”.

Për nënën e tij u gjend punë vetëm vitin e parë. Dhe banesa për ato tri familje qe një stallë.

***

-Po pastaj, çfarë ndodhi?

Senka, duke vështruar horizontin e largët, ku deti dukej sikur donte të bëhej njësh me qiellin e përndezur nga ai perëndim i kuq flakë që dalëngadalë po shuhej mbas kodrave në perëndim të Durrësit, u përgjigj:

-Na ngjitën në karrocerinë e një kamioni ushtarak që kishte ndaluar përpara portës së shtëpisë. Brenda ishin dy ushtarë të armatosur. Nuk ishin policë, ndoshta ushtarë të shërbimit të detyruar.

– Senka këmbënguli të bënte atë dallim, sepse ushtarët ndryshonin nga policët rrogëtarë të Shtetit.- Ne të tria u ulëm në një stol.

“Nuk kishim bërë as pak minuta rrugë, gjithmonë brenda qytetit, kur kamioni ndaloi përpara një shtëpie tjetër dhe disa minuta më vonë u ngjit një zonjë dhe një djalë i ri. Makina u rinis. Zonja filloi të fliste me ngut në frëngjisht me djalin që e shoqëronte. Nuk i njihja dhe pyeta mamanë (Senka e kishte thirrur gjithmonë mama nënën e tij) se kush mund të ishin dhe ajo mu përgjigj:

“Është e shkreta Odette me të birin. Burri i saj u arrestua në të njëjtën ditë që morëm dajën. E shkreta Odette… një e huaj…

“-Je ti, Nado? – pyeti në frëngjisht zonja Lezo, kur, për një çast, dritat e rrugës ndriçuan kamionin.

“ Po, Odette, jam unë.

“Nuk folën më.

“ Në dalje të qytetit makina ndaloi sërish. Dhe përsëri u ngjitën në kamion një zonjë e vjetër, e shoqëruar nga një djalë. Por ndërkohë ishte errësuar dhe unë nuk mund t’i dalloja fytyrat e tyre. Zunë vend pranë nesh. Askush mendoi të këshillonte: çdonjëra ishte mbyllur në dhimbjen e vet.

“ Mbas dy orës udhëtimi, kamioni filloi të ngjiste në një të përpjetë. Pak minuta më mbas ndaloi. Jashtë ishte errësirë e plotë. Kamioni ishte i mbuluar me një mushama të madhe. Nuk shihej pothuajse asgjë. Na zbritën. Përpara syve tanë, nga errësira doli profili i një lloj hauri. Nga xhipi, që kishte shoqëruar kamionin gjatë gjithë udhëtimit, zbriti një oficer dhe na tha:

“-Zonja, mirë se erdhët në Lushnje. Kjo është rezidenca juaj. Janë tri dhoma. Një për çdo familje. Mund të zgjidhni sipas shijes suaj. Këshilli popullor i lagjes është lajmëruar dhe do t’ju pajisë me triskën e bukës. Duhet të na falni, por nuk mu gjetëm dot vend më të mirë. Mungojnë shumë gjëra dhe nuk ka as korrent. Do të merren masa. Mirë ndejçi!

“Dhe hipi në xhip dhe u nis menjëherë. Edhe kamioni ndezi motorin. Pikërisht në atë çast, njëri nga ushtarët që ndodhej në karrocerinë e mbuluar, nxori trupin jashtë spondës dhe tha me nxitim:

“-Merre nënë: ka pak bukë dhe djathë. Është pak, por kaq kemi…

“Kur mbetëm vetëm, u ndjemë të humbura dhe të hutuara. U afrova të shihja cila ishte familja e tretë që do të banonte në atë kasolle, dhe vure re që edhe ata ishin të njohurit tanë: zonja Selfo me të birin. “Atë natë për ne qe ngushëllim i madh që nuk ishim vetëm midis asaj dhimbjeje dhe vetmie. Nata ishte e ftohtë dhe e errët. Nuk do ta harroj kurrë. Ne, pesë gra dhe dy të rinj, hymë në njërën prej atyre dhomave (më kujtohet: në atë të mesit, për të mos e ndjerë shumë të ftohtin) dhe mbi dysheme, drejt e në tokë, ndezëm një zjarr të vogël. Por shumë të vogël, nga frika se mos merrte flakë e gjithë ajo kasolle që për gjashtë vjet do ishte banesa e atyre tre grave të veja.

“Askush nuk mbylli sy. Bënte shumë ftohtë dhe dhimbja ishte shumë e pranishme në secilën prej nesh. Tre familje vajtonin të vdekurit e tyre. Por seç kishte diçka të pazakontë në atë atmosferë dhimbjeje, diçka të zymtë në atë barakë ku shtatë njerëz, edhe pse respektonin dhimbjen e të tjerëve, nuk mund të mos mbylleshin me egoizëm brenda dhimbjes së tyre. Ishte diçka që ngjallte frikë. Vajtoheshin tre të vdekur dhe në vend të xhenazeve kishte një boshllëk çnjerëzor, një boshllëk i tmerrshëm që shqyente zemrën. E kam parasysh sikur të ishte tashti: nëna jote, duke qarë e heshtur, pa u kujtuar aspak, gërryente me thonj dheun e ngjeshur të dyshemesë…”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here