Pazari që po fal 84 mln euro tek koncesionari i Rinasit…

0
143

Nga Klodian Tomorri

Në verën e vitit 2018, ministrat respektivë të Infrastrukturës dhe Financave, Damian Gjiknuri dhe Arben Ahmetaj lëshuan një urdhër të përbashkët për auditimin ekonomik të koncesionit të Rinasit. Menjëherë pas urdhërit, qeveria shqiptare dhe kompania koncesionare TIA, ranë dakord që eksperti i pavarur i auditimit do të ishte gjigandi ndërkombëtar BDO.

Pas 6 muaj auditimi intensiv, në janar të vitit të kaluar, BDO e paraqiti raportin në qeveri. Gjetjet ishin tronditëse. Kompania koncesionare kishte fituar 84 milionë euro më shumë nga skenari i miratuar në kontratën koncesionare, ndërsa aksionerët e saj kishin shpërndarë 66 milionë euro më shumë dividentë nga ky skenar.

Në nenin 19.4 kontrata koncesionare e Rinasit I lejon secilës palë që në rast disbalance ekonomike nga skenari bazë të kërkojnë kompesim të plotë. Pra gjetjet e auditimit i jepnin automatikisht të drejtë qeverisë shqiptare të kërkonte 84 milionë euro nga koncesionari i Rinasit. Këto para mund të merreshin në tre forma; direkt në buxhetin e shtetit, duke ulur tarifat për qytetarët ose duke detyruar kompaninë të bëntë investimet. E shkruar e zezë mbi të bardhë në kontratën koncesionare.

Në kohën kur BDO dorëzoi raportin, Edi Rama ndryshoi qeverinë. Damian Gjiknuri dhe Arben Ahmetaj u larguan për t’ja lënë vendin Belinda Ballukut dhe Anila Denajt. Megjithatë BDO e paraqiti raportin në një mbledhje të posaçme në Ministrinë e Infrastrukturës, ku ishin të pranishëm drejtuesit e kompanisë koncesionare, ministri në ikje Gjiknuri, ai i Financave, Arben Ahmetaj si dhe dy zëvendësuesit e tyre, Belinda Balluku dhe Anila Denaj.Pavarësisht tranzicionit të ministrave, qeveria u duk e vendosur të kërkonte mbrpasht paratë që u përkisnin qytetarëve shqiptarë.

Në prill të vitit të kaluar, pas skandalit me vjedhjen e 10 milionë eurove në Rinas, Belinda Balluku kërcënoi publikisht kompaninë koncesionare për prishjen e marrëveshjes së koncesionit duke e akuzuar për cënim të sigurisë kombëtare të Shqipërisë. Po në prill, Këshilli i Ministrave miratoi një vendim, ku autorizoi Ministrinë e Infrastrukturës dhe Avokaturën e Shtetit të pajtonin një konsulent ligjor, i cili do të këshillonte qeverinë se si të rekuperonte 84 milionë euro nga koncesionari.

Sipas kontratës koncesionare fillimisht duhet të nisnin negociatat me kompaninë dhe në rast mosdakortësie, qeveria duhet të shkonte në arbitrazh, ku e kishte fitoren e sigurtë. Por nga ky moment ka pllakosur heshtja. Pavarësisht interesimit të gazëtarëve për këtë çështje Ministria e Infrastrukturës nuk jep më asnjë shpjegim, madje duke mos ju kthyer përgjigje as kërkesave zyrtare siç e detyron ligji për informimin publik.

Çfarë ndryshoi në marrëdhënien e qeverisë, përkatësisht Ministrisë së Infrastrukturës me koncesionarin? Zyrtarisht nuk ka asnjë përgjigje. Por pak kohë më parë, kompania, që ka me koncesion aeroportin ndryshoi administratorin, një person i konfliktuar disa herë publikisht me ministren e Infrastrukturës. Njëkohësisht, në verën e vitit të kaluar, nisi fluturimet edhe kompania flamur Air Albania.

A ishin këto dy faktorët që vendosën paqen mes qeverisë dhe koncesionarit të aeroportit? Kjo nuk dihet me siguri. Për më këto kanë qenë marrëveshje okulte dhe jo transparente me publikun.

Ajo që dihet me siguri është se koncesionari i aeroportit duhet tu kthejë qytetarëve shqiptarë 84 milionë euro dhe që qeveria është e detyruar me ligj t’i marrë këto para nga koncesionari. Por dikush në qeveri është duke shkelur ligjin dhe duke falur 84 milionë euro, ndoshta me pazare okulte. Dhe ky është një nga skandalet më të mëdha financiare, që ka përfshirë ndonjëherë këtë vend.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here