Komiteti i Helsinkit: Akti i betimit i gjyqtarëve të Kushtetueses bëhet vetëm para Presidentit

0
236

Në shkresën e saj drejtuar Komisionit të Ligjeve, Komiteti i Helsinkit duke vlerësuar rëndësinë që paraqet konsultimi publik i këtyre dy nismave, si dhe duke pasur në konsideratë faktin se të dyja këto nisma prekin dy ligje të rëndësishme që janë hartuar/ndryshuar në kuadër të reformës në sistemin e drejtësisë, KShH sugjeron që këto projektligje t’i nënshtroheshin një konsultimi ligjor të gjithanshëm me institucione si: Presidenti i RSH-së, Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë, me shoqatat e gjyqtarëve, ekspertë të së drejtës kushtetuese, etj.

“Lidhur me këtë propozim, KShH vlerëson ceremonia e betimit që zhvillohet pranë Presidentit nuk mund të realizohet në formë të shkruar, pasi betimi në vetvete, si një akt i lartë solemniteti që parashikohet në Kushtetutë, që kërkon prezencën fizike të personit që betohet se do të respektojë Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi, para Presidentit të RSH. Gjithashtu, sikurse dihet, atributet që Kushtetuta i ka caktuar një organi, nuk mund t’i jepen një organi tjetër. Ndaj akti i betimit duhet të bëhet vetëm para këtij institucioni.

Forma shkresore që parashikohet me ndryshimet e propozuara, në vlerësimin tonë, përveç se nuk është tipike për aktet ceremoniale të betimit të realizuara me funksionarët e nivelit të lartë në këto 2-3 dekadat e fundit, shmang një kompetencë ekskluzive që Kushtetuta ja ka akorduar Presidentit të RSH. Kushtetuta e vendit tonë e parashikon aktin e betimit për një sërë funksionarësh të lartë publikë, në të tria degët e pushteteve. Madje akti i betimit parashikohet edhe për vetë Presidentin e RSH, i cili para se të fillojë detyrën duhet të bëjë betimin para Kuvendit.

Pra, akti i betimit para institucionit të parashikuar në Kushtetutë merr një rëndësi të veçantë dhe Kushtetuta e konsideron këtë akt si një kusht për fillimin e detyrës. Në këtë kontekst, akti i betimit nuk mund të jetë krejtësisht formal.

Gjithashtu, duhet të kemi në kosideratë që Presidenti i Republikës mund të refuzojë të organizojë ceremoninë e betimit, sepse ai konsideron zgjedhjen ose emërimin e tij jo në përputhje me Kushtetutën (ose për shkaqe të tjera). KShH thekson nevojën se ndryshimet në kuadrin ligjor në fuqi kërkojnë analizë të thellë, objektive dhe profesionale, dhe duhet të marrin në konsideratë efektet që ato krijojnë në periudhë afatgjatë. Këto ndryshime nuk duhet të marrin në konsideratë raste të shkëputura dhe sporadike, dhe aq më tepër, konfliktet që krijohen midis institucioneve kushtetuese, të cilat mund të zgjidhen në rrugë të tjera, si psh: duke vendosur në lëvizje Gjykatën Kushtetuese.

Vetë Gjykata Kushtetuese në vendimet e saj ka theksuar rolin rëndësishëm e Presidentit të RSH, si atë të arbitrit, të moderatorit të pushteteve e të rregullatorit, si një figurë neutrale me një rol të rëndësishëm në zgjidhjen e krizave, në balancimin e pushteteve, si dhe në kryerjen e funksioneve të tyre respektive.

Përveç argumenteve të përmendura më sipër, KShH vlerëson se ky parashikimi nuk mund t’i japë fuqi prapavepruese gjyqtarëve të zgjedhur, të emëruar ose të shpallur të emëruar, që janë zgjedhur sipas legjislacionit në fuqi”, thuhet në shkresën e drejtoreshës Ekzekutive të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Erida Skëndaj, drejtuar kryetarit të Komisionit parlamentar të Ligjeve, Ulsi Manja.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here