Ja përse duhet të protestojmë më 2 mars

0
139

Prof. Lisen Bashkurti

Me datën 2 mars 2020 presidenti Meta ka thirrur popullin shqiptar në një tubim për mbrojtjen e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, sundimit të ligjit, lirive dhe të drejtave të njeriut, mbrojtjen e popullsisë së vendit dhe integritetit territorial të Kosovës. Është e para herë që në vendin tonë presidenti i Republikës i drejtohet popullit drejtpërdrejtë në një manifestim publik. Natyrisht, kjo nuk do të thotë se Presidenti nuk gëzon të drejtën e komunikimit me qytetarët e vendit të vet. Madje, për vetë statusin kushtetues, si garantues i unitetit të popullit, Presidenti gëzon plotësisht të drejtën për të komunikuar me qytetarët e vendit në të gjitha format demokratike, duke përfshirë edhe tubimet e drejtpërdrejta popullore.

Specifikisht, presidenti Meta është presidenti me i hapur dhe më aktiv që ka pasur Shqipëria në historinë e saj. Dalja e presidentit Meta në një miting popullor dhe në mënyrë të veçantë kauzat për të cilën ka thirrur qytetarët më 2 mars 2020, ka ngjallur interesim të lartë publik kombëtar dhe ndërkombëtar. Mediet e huaja priten ta përcjellin me vëmendje të veçantë këtë tubim të Presidentit Meta me popullin drejtpërsëdrejti nga Tirana.

  1. Mbrojtja e Kushtetutës

Presidenti Meta, prej korrikut 2016 ka qenë dhe mbetet personaliteti që ka mbështetur më së shumti reformën kushtetuese për sistemin e ri drejtësisë. Në krye të Kuvendit, ishte pikërisht Ai që arriti konsensusin e plotë të ndryshimeve kushtetuese për reformën në drejtësi. Por, fryma e konsensusit që me shumë mundim u arrit për reformën kushtetuese për sistemin e drejtësisë, u ndërpre nga mazhoranca dhe qeveria aktuale, sapo mori kontrollin mbi legjislativin dhe ekzekutivin. Mbas zgjedhjeve të 2017 shumë ligje dhe vendime që lidheshin me reformën në drejtësi shkelën frymën kushtetuese në përmbajtje dhe në afatet kohore. Reforma në drejtësi hyri në një cikël krize, që e ka futur tërë vendin në një kolaps të vërtetë institucional.

Në krye të institucioneve të drejtësisë që po vuan krizën më të rëndë është Gjykata Kushtetuese. Vendi po përballet me përplasje institucionale pikërisht nga mungesa e kësaj gjykate. Aktualisht kushtetueshmëria e vendit po mbrohet vetëm nga presidenti i Republikës. Mbi 23 ligje të miratuara nga Kuvendi aktual janë konsideruar antikushtetues nga dekretet e presidentit. Kulmimi i krizës ka arritur në vetë konstituimin e Gjykatës Kushtetuese.

Presidenti Meta, në mënyrë të vazhdueshme transparente ka informuar opinionin politik dhe publik, kombëtar dhe ndërkombëtar për shkeljet, arbitraritetin, manipulimet dhe falsifikimet që ka bërë mazhoranca dhe Qeveria për të kapur dhe kontrolluar trupën e Gjykatës Kushtetuese. Presidenti i ka bërë publike në dinamike gjithë shkeljet e qëllimshme të mazhorancës dhe Qeverisë për të cenuar rëndë ndarjen dhe balancimin e pushteteve, me synimin tanimë të njohur kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht, për të kapur dhe kontrolluar Gjykatën Kushtetuese nga kuvendi, qeveria dhe kryeministri Rama.

Mbasi ka bërë publike çdo hap të këtij deformimi të parimeve të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, presidenti Meta ka informuar edhe Komisionin e Venecias, faktorët relevant ndërkombëtar si dhe ka ndërmarrë hapat ligjor, duke dërguar në SPAK dosjen për drejtuesit e KED-së dhe të Ministrisë së Drejtësisë për gjithë shkeljet, abuzimet, manipulimet dhe mashtrimet e bëra për kapjen dhe kontrollin e Gjykatës Kushtetuese nga mazhoranca, Qeveria dhe Kryeministri Rama.

Këto të fundit, duke e parë rezistencën e fortë të presidentit Meta kundër përpjekjeve për kapjen dhe kontrollin e Gjykatës Kushtetuese ngritën Komision Parlamentar për shkarkimin e Presidentit. Me këtë veprim ekstrem, mazhoranca, Qeveria dhe Kryeministri Rama ekspozuan lakuriqësinë e qëllimeve të tyre për kapjen dhe kontrollin e Gjykatës Kushtetuese, mbrojtjen e së cilës aktualisht po e bën vetëm dhe vetëm Presidenti Meta. Pra, në thelb, përpjekja për shkarkimin e presidentit Meta është heqja e pengesës për kapjen dhe kontrollin përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese, e bashkë me të të gjithë sistemit të drejtësisë në vend nga mazhoranca, Qeveria dhe Kryeministri Rama. Për këto arsye thirrja e qytetarëve në tubim popullor nga presidenti për mbrojtjen e Kushtetutës dhe Gjykatës Kushtetuese është kauzë e vërtetë publike dhe kombëtare.

  1. Mbrojtja e sundimit të ligjit

Qëllimi madhor i reformës kushtetuese të vitit 2016 për reformën në drejtësi ishte dhe mbetet garantimi i sundimit të ligjit në Shqipëri. Si parim themelor i rendit demokratik sundimi i ligjit garanton prevalimin dhe barazinë e ligjit për të gjithë qytetarët dhe institucionet në Republikën e Shqipërisë. Mungesa ë sundimit të ligjit është krejt evidente në Shqipëri gjatë tërë tranzicionit afro 30-vjeçar. Dhe jo vetëm kaq, por në këto vitet e fundit situata e sundimit të ligjit në mjaft aspekte ka ardhur duke u përkeqësuar.

Kështu, në strukturat qeverisëse të vendit, në kuvend, në qeverinë qendrore, në qeverisjen vendore, në administratën publike dhe atë të sigurisë kanë depërtuar individë e grupe me rekorde kriminale, të cilët kanë inkriminuar politikën, qeverisjen dhe institucionet publike. Kjo lidhje e institucioneve politike dhe publike me krimin kombëtar dhe atë ndërkombëtar ka krijuar rrjetin e një sistemi mafios që shkel dhe injoron sundimin e ligjit në Shqipëri dhe të ligjit ndërkombëtar, duke e bërë Shqipërinë një vend problematik brenda saj si dhe në fushën e rendit dhe të sigurisë rajonale e ndërkombëtare.

 

 

Rritja e kriminalitetit në vend si dhe ekzistenca e grupeve të strukturuara kriminale, zgjerimi i trafiqeve të paligjshme sidomos i narko-trafikut, përfshirja e këtyre strukturave në rrjetet e narko-trafikut ndërkombëtar e ri-futën Shqipërinë kohët e fundit sërish në hartën e shteteve me rrezikshmëri të lartë për pastrimin e parave. Pastrimi i parave e ka burimin nga kriminaliteti i lartë, narko-trafiqet kombëtare dhe ndërkombëtare, struktura radikale dhe terroriste si dhe nga ana e vet, pastrimi i parave gjeneron informalitetin ekonomik e financiar në vend dhe financon krimin e organizuar dhe terrorizmin në të gjitha nivelet. Krimi i pastrimit të parave është një nga tre figurat penale më të rrezikshme ndërkombëtare që lulëzon aty ku mungon ose është shumë i dobët sundimi i ligjit.

Krijimi simbiozës midis kupolës politike dhe qeverisëse në Shqipëri me individë e grupe oligarke që zotërojnë ekskluzivitete e monople, që rrëmbejnë tenderë publikë pa konkurrencë e transparencë, që krijojnë partneritete publike-private apo që kapin koncesione nga më të ndryshmet në sektorë e me financa publike, është një tjetër fakt që dëshmon se në Shqipëri mungon në masë të koniderushme sundimi i ligjit dhe barazia përpara tij. Simbioza e kupolës politike dhe qeverisë me individë e grupe oligarke ka krijuar klimën dhe sjelljen autokratike dhe arbitrare në vend, ku politikat publike janë në duart e pak njerëzve që lozin me fatet qytetarëve dhe të mbarë vendit.

Inkriminimi i politikës, lidhja e saj me krimin e organizuar e narko-trafikun, pastrimi i parave, krijimi i strukturave oligarkike arbitrare që imponojnë politikat publike dhe vakumi në sundimin e ligjit e kanë shndërruar Shqipërinë në një pjesë të mafies ndërkombëtare, që do të sundojë e shfrytëzojë ekonominë shqiptare dhe resurset e saj. Mungesa e sundimit të ligjit dhe dobësitë e agjencive për zbatimin e tij si dhe ngadalësimi i ngritjes dhe funksionalizimit të institucioneve të reja të drejtësisë e kanë zëvendësuar sundimin e ligjit në Shqipëri me sundimin e krimit, pastrimit të parave, oligarkisë arbitrare dhe mafies ndërkombëtare. Ngritja e alarmit për sundimin e ligjit nga presidenti Meta është një kauzë e vërtetë publike dhe kombëtare për Shqipërinë dhe Shqiptarët.

  1. Mbrojtja e lirive e të drejtave të njeriut

Demokracia është parasëgjithash sistemi i lirisë dhe të drejtave të njeriut. Nga shkalla e ekzistencës së lirisë dhe të drejtave të njeriut varet demokracia dhe zhvillimi i saj në të gjitha fushat. Tranzicioni i stërzgjatur shqiptar është reflektuar më së shumti në mangësitë, cenimin dhe shkeljen e të drejtave të njeriut në Shqipëri. Vitet e fundit, sidomos mbas reformës kushtetuese për sistemin e ri të drejtësisë, dimensioni i lirive dhe të drejtave të njeriut në Shqipëri ka njohur përkeqësime në disa fusha.

Mazhoranca dhe Qeveria aktuale me sjelljen e tyre autokrate dhe me një sërë ligjesh arbitrare kanë cenuar, kufizuar dhe shkelur një sërë lirish e të drejtash themelore të njeriut. Kështu është cenuar seriozisht liria e mendimit, e shprehjes dhe e medies, që përbëjnë liri themelore demokratike. Presidenti i Republikës nuk i ka dekretuar këto lloj ligjesh, por mazhoranca i ka futur në fuqi me të drejtën e saj procedurale dhe në mungesë të Gjykatës Kushtetuese.

Në tre vitet e fundit janë konstatuar nga brenda dhe nga raportet ndërkombëtare cenimi i lirive politike, në mënyrë të veçantë liria e votës, pra e drejta për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur në mënyrë demokratike, pluraliste, përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Në zgjedhjet politike të 2017 dhe në zgjedhjet lokale të 2019 u konstatuan parregullsi të mëdha dhe vepra penale, siç janë shitëblerja e votës, shantazhimi i votuesve, shpërdorimi i policisë dhe administratës publike, manipulimi e kontrolli i medieve, abuzimet financiare etj. Shtetet demokratike të BE-së, ShBA-së organizatat relevante ndërqeveritare dhe jo qeveritare, mediet prestigjioze ndërkombëtare kanë evidentuar këto shkelje të të drejtave politike në Shqipëri.

Për këto parregullsi e shkelje edhe presidenti Meta ka ngritur zërin publikisht brenda dhe jashtë vendit. Rezultat i këtij informimi e komunikimi me evidenca u demaskuan raste e figura konkrete dhe u përpiluan dosje të veçanta të krimit elektoral në Shqipëri. Faktorë ndërkombëtarë, si Bundestagu Gjerman i kanë kërkuar Shqipërisë të nisë proceset hetimore mbi krimin elektoral, sikundër OSBE/ODIHR ka kërkuar një reformë të thellë elektorale në Shqipëri për garantimin e zgjedhjeve demokratike pluraliste, të lira dhe të ndershme. Ngritja e zërit nga presidenti Meta për zgjedhje demokratike, pluraliste, të lira dhe të ndershme është një kauzë e vërtetë publike dhe kombëtare për Shqipërinë dhe Shqiptarët.

  1. Mbrojtja e popullsisë së Shqipërisë dhe territorit të Kosovës

Akumulimi dhe tejzgjatja e krizës politike dhe institucionale në Shqipëri ka ndikuar në përkeqësimin e treguesve të zhvillimit ekonomik e shoqëror të vendit. Rënia ekonomike, mungesa e investimeve të huaja direkte, përkeqësimi i lirisë ekonomike dhe të biznesit kanë rritur numrin e papunësisë, sidomos tek rinia dhe te shtresat më të kualifikuara në vend. Kjo krizë komplekse ka provokuar largime masive të të rinjve dhe të një sërë profesionesh që kërkohen në tregjet e huaja dhe për të cilët ka nevojë edhe Shqipëria.

Braktisja e vendit ka arritur shifra alarmante. Largimi i rinisë po sjell pakësimin fuqisë punëtore dhe plakjen e popullsisë së vendit. Ndërsa largimi i shtresave të kualifikuara, sidomos në shëndetësi, inxhinieri e sektorë të tjerë të rëndësishëm po ulë burimet e kapaciteteve intelektuale të vendit. Përmasat e kësaj ‘patalogjie’ sociale po japin pasoja të drejtpërdrejta, por me efekte edhe afatgjate në të gjitha fushat.

Nga shteti dhe qeveria nuk ka ndonjë reagim konkret, të studiuar mirë, nuk po formulohen strategji politikash publike, ndërtime institucionesh dhe kërkime burimesh financiare për të stimuluar qëndrimin e rinisë dhe të kapaciteteve njerëzore brenda vendit. Përkundrazi. Kohët e fundit dëgjohen deklarata tymnajë për hapjen e Shqipërisë për fuqi punëtore të huaj nga vende të pazhvilluara apo nga zona krizash. Pra, po shkohet kështu drejt ndryshimeve demografike me pasoja të paparashikueshme për identitetin kombëtar të vendit.

Ndërsa Shqipëria po shpopullohet dhe mendohet të popullohet me të ardhur, në Kosovë kohët e fundit është lansuar teza skajshmërisht e rrezikshme për shkëputjen e Veriut të saj, duke përfshirë territore, popullsi, burime natyrore dhe ujore të konsiderueshme për fatet e Kosovës. Një tezë e tillë i bie ndesh Kushtetutës së Shtetit të Kosovës, interesave të saj si dhe krijon një precedent të rëndë për paqen, sigurinë dhe stabilitetin rajonal.

Pra, në të dy anët e Kombit Shqiptar po luhen politika që për pasojë sjellin dobësimin e tij. Presidenti Meta në mënyrë të vazhdueshme dhe publike ka ngritur zërin për të parandaluar këto dy politika anti-shqiptare, shpopullimin e Shqipërisë dhe cenimin e integritetit territorial të Kosovës. Ai, gjithashtu ka drejtuar gishtin edhe drejt atyre faktorëve politikë, gjeopolitikë, mafioz dhe agjenturor që qëndrojnë prapa këtyre dy sfidave anti-shqiptare. Kauza e Presidentit Meta për të mbrojtur popullsinë e Shqipërisë dhe integritetin territorial të Kosovës është një kauzë e vërtetë kombëtare që meriton mbështetjen e fuqishme të shqiptarëve nga Shqipëria, Kosova dhe mbarë bota.

Data e 2-marsit 2020 po afron. Është data kur presidenti Meta ka thirrur popullin shqiptar në një tubim për mbrojtjen e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, sundimit të ligjit, lirive dhe të drejtave të njeriut, mbrojtjen e popullsisë së vendit dhe integritetit territorial të Kosovës. Është e para herë që në vendin tonë Presidenti i Republikës i drejtohet popullit drejtpërdrejtë në një manifestim publik. Natyrisht, Presidenti e gëzon të drejtën e komunikimit me qytetarët e vendit të vet. Madje, për vetë statusin kushtetues, si garantues i unitetit të popullit, presidenti Meta ka plotësisht të drejtën për të komunikuar me qytetarët e vendit dhe mbarë shqiptarët në Ballkan dhe në Botë në të gjitha format demokratike, duke përfshirë edhe tubimet e drejtpërdrejta popullore. Mbi të gjitha kauzat e ngritura nga presidenti Meta meritojnë plotësisht mbështetje të gjerë qytetarë dhe kombëtare. Është koha për ndryshime të mëdha. Presidenti Meta po i prin këtyre ndryshimeve. Ja përse shqiptarët kudo që janë do ta mbështesin.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here