Baza e Pashalimanit me koncesion?! Qeveria jep me qira, Gjirin e Raguzës për 2500 euro në muaj (DOKUMENTET)

0
108

Një nga zonat më të bukura të Shqipërisë, siç është gadishulli i Karaburunit, është nxjerrë në shitje nga qeveria. Nëpërmjet një ankandi, qeveria synon që të japë me “koncesion” këtë perlë të bregdetit shqiptar, duke ua dhënë privatit.

Plot 11 mijë e 600 metra pronë publike, e cila administrohet nga Forcat e Armatosura, do të jepet me qira nga shteti për shumën qesharake të 2500 eurove në muaj. Gazeta SHQIP ka siguruar dokumentet e kësaj procedure të nisur nga Ministria e Financave, ku ajo që bie në sy, krahas shumës qesharake, është se godinat e ushtrisë po i kalojnë privatit. Baza misterioze e Pashalimanit duket se po shpërbëhet dhe, në vend që të administrohet nga shteti, ajo do të tjetërsohet.
Në dokumentet që ka siguruar SHQIP thuhet se ka filluar procedura e dhënies me qira të pronës shtetërore me numër 934. Prona ka emërtimin “Objektet e Marinës, Raguza e Parë”, Karaburun, Orikum, Vlorë, me sipërfaqe të përgjithshme 12 500 m2 nga ku sipërfaqe nën objekte është 889.6 m2 dhe sipërfaqe funksionale 11,610.4 m2 në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes.

Pra, prona është e Ministrisë së Mbrojtjes, dhe në të është Baza Ushtarake e Pashalimanit. Në tender, janë përmendur disa vendime të Këshillit të Ministrave, miratime nga ministria e Mbrojtjes, apo edhe vendime të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Të gjitha dokumentet janë përpiluar në fund të vitit 2019, ku shteti kishte shpallur emergjencën pas tërmetit. Ende nuk dihet se kush qëndron pas këtij koncesioni, por ajo që bie në sy është se prona në fjalë është mjaft e lakuar nga ndërtues dhe biznesmenë të fuqishëm, duke parë edhe zhvillimin turistik apo edhe për kultivimin e peshkut.

Në dokumente thuhet se dhënia me qira e pasurisë bëhet me qëllim dhënien në përdorim të saj për ushtrimin e një veprimtarie ekonomike e cila të gjenerojë të ardhura dhe punësimin e banorëve të zonës. Konkurrimi është zhvilluar në datë 10 shkurt 2020 në Ministrinë e Financave dhe vlera për detyrimin e qirasë, për fillimin e konkurrimit, është 321 168 lekë në muaj.

Dokumentet e këtij tenderi duket se janë standarde, pasi në to thuhet se “vlerësimi i ofertave të konkurrentëve do të bëhet me pikët si vijon:
Investimi 30 pikë Punësimi 30 pikë Tarifa mujore e qirasë 40 pikë.
Afati i dhënies me qira të kësaj pasurie është 5 vjet. Po në këtë dokument është cilësuar se Komanda e Forcave Detare në cilësinë e njësisë administruese, për dhënien me qira të kësaj pasurie ka përcaktuar disa kritere. Sipas saj, objekti i kontratës të jetë i pandryshueshëm sipas kërkesës.

Vetë Komanda e Forcës Detare ka pasur rezervat e saj në dhënien me qira të kësaj pasurie, pasi ka kërkuar që të parashikohen kushtet e dorëzimit të menjëhershëm, kur pasuria publike e marrë me qira shitet me procedurë privatizimi.

Mësohet se Gjiri i Raguzës futet në tokë gati 350 metra në perëndim ndërmjet kepit më të njëjtin emër nga veriu dhe kepit të dalë nga jugu, mbi të cilin ngrihet maja e rrumbullakët, 202 metra e lartë. Gjerësia mesatare e gjirit është 400 metra. Vija bregdetare e tij është shkëmbore e ulët, kurse bregu është shumë i pjerrët.

Në mes të bregdetit të anës perëndimore të gjirit zbret një kurriz (breg) i vogël deri në det, që e bën gjirin të përfundojë në dy cepa. Bregu perëndimor i pjesës së gjirit është i ulët pasi derdhen dy përrenj të vegjël dhe që në kohë reshjesh sjellin ujë. Në gjirin e Raguzës janë ndërtuar tri mole prej betoni./ Gazeta Shqip

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here