Me lajmet për shpërthimin e koronavirusit në Itali, një pjesë e mirë e shqiptarëve u drejtuan në farmaci, markete e supermarkete për të siguruar, ndër të tjera, dezinfektues duarsh. U desh vetëm pak panik që në rafte të “avullonin” me qindra njësi që flinin prej muajsh aty e magazinat të boshatiseshin në kohë rekord.
Aktualisht, një prej kompanive që operon në sektorin e prodhimit të pijeve alkoolike dhe paralelisht ka edhe një njësi të dedikuar për prodhimin e dezinfektuesve, ka ndaluar aktivitetin e saj primar dhe po punon 24 orë në 24 vetëm për prodhim dezinfektuesish.
“Aquila Group”, me vendndodhje në autostradën Tiranë-Durrës, prej gati dy javësh po prodhon vetëm dezinfektues në përgjigje të kërkesës së tregut. Administratori Edmond Ziso tha në një intervistë për “Monitor” se kërkesa është shumë e lartë, duke shkuar nga 100 njësi në muaj në 60 mijë në ditë, vetëm në Tiranë.
Flet Edmond Ziso, Administrator “Aquila Group”
Ju keni aktualisht në treg dezinfektues dhe alkool në disa formate. Si ka ndryshuar kërkesa nga situata para koronavirusit me tani?
Ne po punojmë të gjithë në fabrikë 24 orë në 24. Kemi ndërprerë çdo aktivitet tjetër që lidhet me pijet alkoolike që, në fakt, është pjesa jonë kryesore gjatë situatës normale dhe po fokusohemi te prodhimi i alkooleve dhe dezinfektuesve alkoolikë. Kemi hedhur në treg një xhel që ka glicerinë, vitaminë E dhe aloe që e kultivojmë vetë. Ka alkool etilik në masën 65%.
Ne prodhojmë dezinfektues prej vitesh, por tregu nuk është treguar shumë fleksibël me produktet, pra nuk e kanë parë të nevojshme. Janë me idenë që nëse përdor sapunin dhe ujin, çdo gjë është në rregull. Çështja është që jo në çdo moment e ke këtë mundësi. Ka edhe një lloj fokusimi te produktet e huaja, duke lënë pas dore ato të vendit. Tani me këtë situatë, panorama ka ndryshuar tërësisht. Kërkesa është rritur në mënyrë të jashtëzakonshme. Ne, për shembull, dikur shisnim 100 njësi në muaj. Sot, vetëm në Tiranë, kërkesa është për 60 mijë njësi në ditë. Ne nuk arrijmë të prodhojmë dot kaq shumë sa kjo kërkesë, sepse kapacitetin e kemi më të kufizuar.
Sa është kapaciteti juaj i prodhimit në këtë moment? Si i kontrolloni çmimet me të cilat i shpërndani produktet duke qenë se ka pasur precedentë të abuzimit në treg?
Duke zhvendosur të gjithë fuqinë punëtore dhe kapacitetet tek alkooli dhe dezinfektuesit, ne arrijmë të prodhojmë diku te 20 mijë njësi në ditë. Fillimisht, kishim një njësi 90 mililitra xhel dhe alkool, por që tani e kemi bërë 100 mililitra. Sot po furnizojmë një pjesë të mirë të farmacive në Tiranë, nuk e di se çfarë bëhet me farmacitë në rrethe dhe më vjen keq që nuk kemi kapacitet për më shumë. Ne nuk e kemi ndryshuar çmimin me të cilin kemi nxjerrë në treg prodhimin, ka mbetur i njëjti. Ajo që na kanë thënë është se disa farmaci abuzojnë me çmimet për shkak të situatës.
Ka raste kur ne kemi çuar verifikime nga kompania te farmacitë që sapo kanë bërë tërheqjen e sasisë dhe njerëzit tanë nuk kanë gjetur asnjë njësi aty. Me logjikë i bie të jenë shitur, por ideja është të mos grumbullohen stoqe për t’i shitur në momente të dyta dhe për të shfrytëzuar rastin. Ne sigurisht jemi biznes. Por në një situatë të tillë duhet të bëhet balancë mes fitimit dhe ndjeshmërisë njerëzore. Kjo është një situatë e jashtëzakonshme. I kemi kërkuar Ministrisë së Shëndetësisë që të bëjë verifikimet për çmimet se një njësi që del me 100 lekë apo pak më shumë se kaq, s’mund të shitet me 600 lekë nëpër farmaci. Kjo nuk është një kohë për të përfituar. Kemi shkuar edhe te krimi ekonomik që të bëjë verifikimin e faturave.
A ka abuzime në treg?!
Ne nuk e kemi ndryshuar çmimin me të cilin kemi nxjerrë në treg prodhimin, ka mbetur i njëjti. Ajo që na kanë thënë është se disa farmaci abuzojnë me çmimet për shkak të situatës. Ka raste kur ne kemi çuar verifikime nga kompania te farmacitë që sapo kanë bërë tërheqjen e sasisë dhe njerëzit tanë nuk kanë gjetur asnjë njësi aty. Me logjikë i bie të jenë shitur, por ideja është të mos grumbullohen stoqe për t’i shitur në momente të dyta dhe për të shfrytëzuar rastin.
Përveç individëve, a ka pasur interes nga bizneset për të tërhequr sasi dezinfektuesish për ambientet e punës. Cilët grupe biznesesh e kanë bërë këtë?
Të parët e kanë bërë bankat, por e kanë kërkuar nga farmacitë dhe normalisht është tërhequr një sasi e konsiderueshme. Kanë kërkuar dy call center-ët më të mëdhenj në Tiranë. Ne në mënyrë vullnetare kemi furnizuar të gjithë qendrat e paraburgimit me dezinfektues, spitalet, si dhe Agjencinë e Barnave apo Agjencinë e Kontrollit të Ushqimit.
Kërkesë ka pasur nga të gjithë sektorët delikatë. Paralelisht me këtë situatë kemi punuar për të gjetur zgjidhje më ekonomike dhe efikase dhe kemi nxjerrë në treg edhe një lloj tjetër dezinfektuesi, pa alkool dhe që i shërben pastrimit të telefonave, kompjuterëve dhe ambienteve të drurit. Këto pajisje janë ndoshta mbartësit kryesorë të baktereve dhe rekomandohet të pastrohen me kujdes edhe në raste të tilla. Gjithsesi theksoj që parimore për ne këto ditë nuk është të bëjmë biznes, por të shërbejmë sa më mirë që të kalojmë këtë situatë./MONITOR