Edhe pse ka postin e kreut të shtetit, Bujar Nishani nuk ka pasur mundësi të shijojë privilegjet e këtij posti këtë verë.
Ndryshe nga krerët e mazhorancës, kryeministri Rama dhe kreu i Kuvendit Meta që kanë prenotuar për vete vilat qeveritare në Vlorë e Dhërmi, Presidenti po bën plazh në Shëngjin. Ai është vendosur në një hotel të vogël familjar pranë zonës së njohur si Rana e Hedhun.
I veshur sportiv, ndryshe nga ç’ishin mësuar ta shihnin në aktivitetet zyrtare, Nishani nuk ka refuzuar edhe foto e takime me shumë pushues. Edhe pse Shengjini, dhe hoteli modest tek Rana e Hedhun, ishte zgjedhje e vetë Presidentit të Republikës dhe zonjës së tij, mësohet se nga drejtoria e shërbimeve qeveritare kreut të shtetit i është refuzuar mundësia për të qëndruar ne rezidencat qeveritare.
Me një shkresë zyrtare, kjo drejtori, i është drejtuar kabinetit të Presidentit të Republikës se as në rezidencën qeveritare të Vlorës dhe as në atë të Dhërmiut, Presidenti i Republikës nuk mund të shkojë, pasi këto dy rezidenca janë pronotuar për gjithë sezonin veror nga Kryeministri Rama dhe kreu i Kuvendit Meta.
Vetë Presidenti Nishani nuk ka dashur ta komentojë këtë vendim të Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare që ndalon vetë kreun e shtetit të qëndrojë në rezidencat shtetërore, por po e ndan kohën mes zyrës dhe plazhit në hotelin familjar në zonën shumë të bukur dhe të mbushur me turistë të Ranës së Hedhun në Shëngjin.