Atmosfera në skuadrën e De Biasit duket e mirë dhe lojtarët janë të motivuar për të marrë të tria pikët
Ëndrra për Euro 2016-ën është në një fazë mjaft delikate dhe vendimtare. Danimarka dhe Portugalia janë pengesat e radhës për kombëtaren kuqezi. Ndeshje vendimtare për ecurinë e Shqipërisë në grupin I. Pritshmëritë janë të mëdha dhe kjo ndikon në rritjen e presionit. Por, përfaqësuesja e De Biasit nuk do të ndryshojë sjellje në fushën e lojës. Konfirmimi vjen nga mesfushori Ledian Memushaj, protagonist në fitoret përballë Armenisë dhe Francës. “Kemi dy ndeshje shumë të rëndësishme, por edhe ndeshjet e mëparshme kanë qenë të rëndësishme. Po luajtëm si në ndeshjet e fundit, kemi shpresa për të shkuar në Kampionatin Evropian. Duhet të luajmë si në ndeshjet e fundit pasi jemi grup fantastik lojtarësh”. Në mesfushën e kombëtares, me shumë alternativa dhe lojtarë cilësorë, Ledian Memushaj, është një prej elementëve të parapëlqyer të trajnerit Gianni De Biasi. Por, sekreti mbetet se individët vendosin gjithmonë skuadrën në krye dhe në rrugën drejt misionit historik askush nuk shkakton polemika. “Mesfusha ka shumë lojtarë? Mesfusha jonë është shumë e fortë, por të gjithë janë ndryshe nga njëri-tjetri, kemi kualitet dhe teknikisht jemi të fortë. E rëndësishme është kombëtarja dhe jo se cili lojtar luan. Unë po u aktivizova dëshiroj të jap maksimumin. Ai që vendos është trajneri”. Shumë i përfolur në merkaton e verës, si një alternativë për klubet e elitës së futbollit italian, Ledian Memushaj vendosi të qëndronte te Pescara në Serinë B. “Pse qëndrova te Pescara? Pata disa oferta nga klube të Serisë A, por dëshira e klubit dhe e imja ishte qëndrimi aty, sepse dëshirojmë të fitojmë kampionatin, pasi e humbëm sezonin e kaluar për shumë pak. Unë atje ndihem shumë mirë, jam dhe kapiteni i skuadrës dhe dëshiroja të qëndroja. Klubi që më kërkoi më shumë ishte Empoli, por dhe disa të tjerë, por jo gjëra konkrete”.
Cana: Kualifikohemi në 11 tetor
Më 4 shtator, Shqipëria do të ketë ndeshjen e saj më të rëndësishme në këto eliminatore dhe tifozët shpresojnë që të përsëritet suksesi i 4 shtatorit 2004, kur kombëtarja fitonte ndaj Greqisë, por për Lorikun e rëndësishme është që i gëzueshëm të jetë 11 tetori. “Më shumë se me 4 shtator shpresojmë të festojmë më 11 tetor, kur do të jetë ndeshja e fundit. Nëse festojmë më 11 tetor, do të thotë se jemi kualifikuar në Evropian”. Fjalimi i kapitenit në dhomat e zhveshjes është gjithmonë i rëndësishëm përpara ndeshjeve të tilla të mëdha, por për Canën kuqezinjtë asgjë nuk mund t’i motivojë më shumë sesa veshja e fanellës së kombëtares. “Po, fjalimet besoj se mbeten mes meje dhe skuadrës. Jo, realisht në të tilla ndeshje thuhen përgjithësisht të njëjtat gjëra, por nuk besoj se djemtë kanë nevojë për fjalime të posaçme, pasi ajo që i motivon më shumë se çdo gjë është veshja e fanellës së kombëtares”. Lorik Cana firmosi këtë të hënë me Nantën një kontratë dyvjeçare dhe pak orë më pas iu bashkua skuadrës në grumbullim. Telenovela e merkatos së verës mori një zgjidhje me rikthimin e kapitenit në Francë, aty ku dhe u bë i njohur si lojtar. Numri 5 i kuqezinjve u shpreh i kënaqur për zgjedhjen e klubit të ri, edhe pse pranoi se kishte dhe skuadra të tjera që interesoheshin për të. “Jam i kënaqur për arritjen e kësaj marrëveshjeje. Është folur edhe për skuadra të tjera, por në fund zgjodha Nantën, sepse edhe drejtuesit e këtij ekipi e dëshironin shumë një marrëveshje të tillë. Jam i kënaqur që do të rikthehem në France”. Transferimi i Canës te Nanta përflitej prej ditësh, por pengesat e krijuara nga klubi i Lacios bënë që marrëveshja të mbyllej vetëm në ditën e fundit të tregut të shitblerjeve të lojtarëve. “Në fakt, zgjedhja e Nantës u kushtëzua disi edhe nga pengesat e krijuara nga klubi i Lacios. Për fat, gjithçka u mbyll para grumbullimit të kombëtares dhe tashmë mund të stërvitem qetësisht me përfaqësuesen për të përgatitur sa më mirë këto sfida”.