Këshillat e mjekut /Sëmundja e tiroides, si ta kuptoni dhe kuroni në kohë

0
1111

 

mjeku-2014 

Nga dr. Entela Labaj

 

Një ndër sëmundjet më serioze që prek gjithnjë dhe më shumë njerëzit është ajo e gjëndrës tiroide. Gjëndra ndodhet në qendër të qafës dhe ngjan me një flutur, e cila mbështillet rreth trakesë. Funksioni kryesor i tiroides është prodhimi i hormoneve të saj. Shpeshherë ndodh të kemi zmadhim të tiroideve. Shkaku kryesor për shfaqjen e gushës është pamjaftueshmëria e jodit. Jodi është një mikroelement i rëndësishëm për organizmin tonë. Jodin e gjejmë në disa ushqime si peshku, qumështi, vezët, frutat, zarzavatet. Doza ditore që duhet marrë është 0,15 mg për të dyja gjinitë, ndërsa në shtatzëni dhe dhënien e gjirit doza rritet. Mangësia e jodit shkakton gushën edhe rritjen e gjëndrës tiroide. Gjëndra tiroide rritet për të kompensuar mungesën e jodit dhe nga mungesa e këtij të fundit në tiroide formohen disa noduj që janë të ndryshëm si nga madhësia dhe nga funksioni i tyre. Pamjaftueshmëria e hormoneve të tiroides në gjak quhet hypotireozë (që tregon se gjëndra tiroide nuk prodhon hormonet e nevojshme dhe të domosdoshme për funksionin normal të organizmit).

Periudha e dimrit është ndër më të vështirat për personat që vuajnë nga hypotireoza, vishen shumë trashë, flasin ngadalë, veprojnë si të plogësht, kanë lëkurë të ashpër, të thatë, nuk djersijnë dhe në të shumtën e kohës janë të mërzitur. Sëmundja është më e shpeshtë tek gratë sesa tek burrat në raporte 5:1. Tiroidja është një sëmundje e trashëgueshme. Në disa raste sëmundja zhvillohet pa u kuptuar për muaj dhe vite dhe një ditë prej ditësh ajo shpërthen papritur.

SIMPTOMAT E SËMUNDJEVE TË TIROIDES

Fillimisht shenjat e sëmundjes nuk janë specifike dhe nuk mund të dallohen nga ato të pacientëve që vuajnë nga çrregullime funksionale. Nervozizmi, pagjumësia, djersitja, rrahjet e shpeshta të zemrës, intoleranca ndaj të nxehtit, lodhja, rënia e flokëve, oreks i shtuar dhe rënia nga pesha shpejt dhe tepër, janë disa nga shenjat që tregojnë për praninë e kësaj sëmundjeje. Gjëndra tiroide është e zmadhuar 2-4 herë në volum dhe po t’i vihet dora sipër shpesh dëgjohet një si gërhitje e lehtë që flet për vaskularizimin e tepërt dhe qarkullimin e shtuar të gjakut. Në ¼ të sëmurëve shihet një zmadhim dhe dalje të kokërdhokëve të syve me një ënjtje të kapakëve. Rrahjet e zemrës të shpejtuara janë shenja e detyrueshme e sëmundjes dhe e veçanta e tyre është prania e tyre edhe në gjumë. Në radhë të parë rekomandohen analizat e funksionit të tiroides (dozimi hormonal T3, T4, TSH). Bëhet një ekografi e tiroides ose ekzaminimi me shintigrafi me jod radioaktiv.

 

Këshillat

Trajtimi i tiroideve dhe problemet në shtatzëni

 

Nëse tiroidja është e shkaktuar nga pamjaftueshmëria e jodit në dietë, këshillohet mjekimi me medikamente me përmbajtje jodi që mund të zvogëlojë dimensionet e gushës, por jo gjithmonë mund të arrihet. Nëse rritja e volumit të tiroides është e shkaktuar nga një inflamacion jepen hormone të tiroides, për të arritur që niveli i hormoneve të normalizohet, por edhe në këtë rast gusha mund të zvogëlohet shumë por nuk zhduket në mënyrë të plotë. Prevalenca e hipotireozës (nivel i ulët i funksionit të tiroides) gjatë shtatzënisë në vendet perëndimore vlerësohet të jetë 0.3-0.5% për hipotireozën e shfaqur (HSh) dhe 2-3% për hipotireozën subklinike (HSK). Sipas të gjitha të dhënave, arsyeja më e rëndësishme për insuficiencën e tiroides mbetet deficiti i jodit.
Antitrupat tiroidien janë të pranishëm në 5-15% të femrave në moshë riprodhuese, dhe kur sasia e jodit është e mjaftueshme, arsyeja kryesore e hipotireozës gjatë shtatzënisë është tiroiditi kronik autoimun. Ka dhe arsye të tjera për hipotireozë, por që janë më të rralla.

 

Karakteristika klinike dhe diagnostike
Shpesh disa shenja dhe ankesa mund të bëjnë të dyshohet hipotireoza gjatë shtatzënisë (shtim në peshë, ndjeshmëri ndaj të ftohtit, lëkurë e thatë etj.) por disa të tjera mund të kalojnë pa u vënë re( lodhje, përgjumje, konstipacion etj.). Duke pasur parasysh se shumë gra mund të mos paraqesin ankesa, kërkohet një kujdes i veçantë nga mjeku obstetër për këtë situatë që të diagnostikohet dhe vlerësohet në mënyrë sistematike funksioni i tiroides kur femra paraqitet në vizitën e saj të parë prenatale. Vetëm testet e funksionit tiroidian e konfirmojnë diagnozën. Niveli i lartë serik i TSH sugjeron hipotireozë parësore dhe dozimi i T4 të lire(FT4) bën më tej diferencimin ndërmjet hipotireozës subklinike (kur niveli i FT4 është normal) dhe hipotireozës së shfaqur ( nivel i ulët i FT4). Dozimi i antitrupave tiroidien, antitrupat tiroperoksidaza(TPO-Ab) dhe tiroglobuline (TG-Ab), konfirmojnë origjinën autoimune të problemit.

 

Ndikimi i hipotireozës në ecurinë e shtatzënisë
Pavarësisht lidhjes së njohur ndërmjet infertilitetit (vështirësia për të mbetur shtatzënë) dhe hipotireozës, kjo situatë nuk e përjashton mundësinë e mbetjes shtatzënë. Kjo duket të jetë arsyeja kryesore pse, deri para pak vitesh, hipotireoza konsiderohej- në mënyrë të gabuar- të ishte tepër e rrallë gjatë shtatzënisë. Në një studim të fundit rezultoi se 34% e femrave hipotiroidiene kishin mbetur shtatzëna dhe pse nuk ishin mjekuar për hipotireozën. Kur një femër hipotiroidiene mbetet shtatzënë dhe arrin ta mbajë shtatzaninë ajo paraqet një rrezik të lartë për ndërlikime obstetrikale.
Ndërlikimet për fetusin dhe të sapolindurin: rritje e pamjaftueshme intrauterine, lindje e parakohshme, keqformime kongjenitale, vuajtje fetale gjatë lindjes, vdekja e fetusit.
Ndërlikimet për nënën: anemi, hemoragji pas lindjes, pre-eklampsi, shkëputje e placentës.
E rëndësishme është se mjekimi korekt me hormon tiroidien ul ndjeshëm rrezikun për këto ndërlikime. Pa një mjekim korekt shtatzania përfundon me abort në 60% të rasteve, me një incidence të lartë të lindjes së parakohshme. Duke pasur parasysh këtë ndërlikim, një studim i kohëve të fundit ka konfirmuar se shtatzënat me nivel të lartë serik të TSH kishin një rrezik 3 herë më të lartë për lindje të parakohshme (< 32 javë shtatzani).

 

Pasojat e hipotireozës amtare për fetusin
Fakti se çrregullimet e funksionit tiroidian tek të sapolindurit shoqërohen me anomali të zhvillimit të sistemit nervor është i ditur prej mëse një shekulli. Kjo ka cuar në dy koncepte tepër të rëndësishme në endokrinologji, që janë kretinismi endemik si pasojë e pamjaftueshmërisë së thellë të jodit dhe hipotiroidizmi kongjenital sporadic, i cili u bë shkak në vitet 1970 për fillimin e programit të depistimit për diagnostikimin e hershëm të hipotiroidizmit kongjenital sporadik.
Të gjitha të dhënat sugjerojnë fort se hormonet tiroidien janë një faktor i rëndësishëm që kontribojnë në zhvillimin e trurit fetal. Në fazat e para të shtatzënisë, prania e hormoneve tiroidien në strukturat e fetusit mund të shpjegohet vetëm me transferimin e hormoneve të tiroides amtare në kompartimentin fetal, sepse prodhimi i hormoneve nga tiroidja e fetusit fillon nga mesi i shtatzënisë.
Ndaj, një vonesë në diagnostikimin dhe trajtimin e hipotireozës amtare mund të ndikojë në pikët “IQ” të fëmijës me pasoja në shëndetin edukativ, socioekonomik, dhe publik të cilat mund të parandalohen.

Femrat me rrezik për hipotireozë për të cilat është i rekomanduar depistimi
– femrat me histori për probleme me tiroiden
– femrat me histori familjare për probleme me tiroiden
– femrat me strumë
– femrat me antitrupa tiroidien (nëse e din)
– femrat me diabet tip 1
– femrat me të tjera probleme autoimune
– femrat me histori për humbje shtatzanie ose lindje të parakohshme
– femrat me infertilitet duhet të kontrollojnë nivelin e TSH si pjesë e investigimit për infertilitetin.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here