Nënkryetarja e LSI-së, Erisa Xhixho në një intervistë për Ora News, u shpreh se situata e krijuar nga koronavirusi nuk mundet që t’i mohojë të drejtat dhe liritë qytetarëve
Xhixho u shpreh gjithashtu edhe kundër zgjatjes së fatkeqësisë natyrore.
Erisa Xhixho: Për mua është e panevojshme zgjatja e fatkeqësisë natyrore në kushtet në të cilën ndodhet Shqipëria. Nuk ka asnjë arsyetim ligjor apo asnjë arsyetim bazuar në faktet në të cilën ndodhet përhapja e virusit. Deri në zbulimin e vaksinës do të kemi mënyrë të re jetese. Të gjithë ne do të respektojmë distancimin social, kushtet e higjienës etj. Kjo nuk është një situatë që do të zgjasë disa muaj, mund të zgjasë edhe më shumë. Pra ne të gjithë do të mësohemi me një mënyrë të re jetese. Pa dyshim edhe protestat do të jenë në një mënyrë të re për të protestuar. Vendimi i fundit i Gjykatës në Gjermani i ka dhënë të drejtën qytetarëve gjermane për të protestuar. Pra gjithë fuqia e shteteve demokratike është që të balancojnë masat me respektimin e të drejtave të njeriut. Një nga thirrjet e KiE është që edhe në situatën e pandemisë duhet të respektohen të drejtat dhe liritë e shtetasve. Këtu hyn edhe liria e tubimit apo edhe liri të tjera.