Pse nuk mund të ulërasë opozita?! Thjesht, Basha nuk e di ç’është liria…

0
154

 

 

Opozita në Itali: Të gjithë në shesh për liri VS Opozita në Tiranë: Të gjithë në shtëpi si skllevër…

 

Nuk më shqitet nga mendja kur të dy bashkë dolën nga Kuvendi, me sy tinëzar, duke iu zbythur mediave, e tokur duart sikur të kishin arritur një fitore “beteje”, pa luftuar. Basha opozitar, dhe Rama në krye të mazhorancës, e rrjedhmisht në pushtet, në fuqi. Mund të ishte gjëja e fundit, që  mund të hamendsoja, vetëm të hamendsoja që kreu i opozitës të tradhëtonte aq rëndë interesat opozitare. Njerëzit që besuan në këtë opozitë, e milituan pas saj, e patën të vështirë ta pranonin se çfarë po ndodhte pasi kishin sakrifikuar në pikun e dimrit në një çadër, në mes të kryeqytetit, me shpresën se ishte kauza më e fortë për një opozitë.

Por, jo. Penetrimi i Ramës në pushtet, pasi çau e përçau tej e tej partinë socialiste, me synimin e vetëm për të shkuar drejt pushtetit absolut, në rastin ku jemi sot, nuk ndali edhe drejt opozitës. Rama e vazhdoi betejën për të fituar zemrën e kreut të opozitës. Ai, Basha, erdhi si një i ri i katapultuar, gjithsesi për të mbajtur ndezur shpresën tek opozita e fortë, foli me qytetari, por kurrë deri sot s’ka folur si opozitar. Basha e ka mbajtur opozitën, gjithnjë, nën rrogoz, deri sot ajo pothuaj nuk ekziston. Basha e vdiq opozitën. Menduam se çerrja e tij e fundit kishte këtë sakrificë, por jo deri në shuarjen e saj, plotësisht.

Fuqia e opozitës edhe pse ka dalë në rrugë, u bë gjithnjë dyshuese. False ulërima, falsë njerëzit, false gazi lotsjellës i qeverisë, gjithçka false në sytë e qytetareve shqiptarë.

Ishte pothuaj e paimagjinueshme deklarata e fundit e Bashës në një prej televizioneve opozitare, kur deklaron se sot nuk bëhet opozitë me britma!

Në këtë kohë pandemie, kur në Itali, pas 47 ditë karantinë, dy opozitarët, Salvini dhe Meloni  u bëjnë thirrje popullit të dalë në sheshin e Romës, Basha duket se do tulasë (ndoshta me urdhër të Ramës) të shuajë zemëratën popullore që po e mbërthen dalëngadalë vendin. Shpjegim tjetër nuk ka. Prej ditësh në mediat e pakta, të pavarura, po artikulohet ky zemërim, që po vjen në ndezje, dhe na vjen çudi se si Basha pikërisht në këtë moment e braktis këtë ndjeshmëri, që po kalon caqet nga politika e Ramës.

“Opozita nuk është për të bërtitur. Ka ikur koha e opozitave që bërtisnin. Ka ardhur koha e një opozite që formulon qëndrime, kundërshton padrejtësitë, denoncon aferat, jep alternativën. Këtë opozitë duan qytetarët sot, këtë opozitë udhëheq unë. Opozita që ulërinte nga maja e kokës nuk ekziston më. Atyre që u vjen keq u kërkoj falje; s’ka më opozitë që ulëret”- kjo është nga deklaratat më të turpshme të Bashës, kreut të sotëm të opozitës.

Salvini pas 47 ditësh izolim ku Italia ka vuajtuar nga pasojat e COVID-19  ka thënë se është e mjaftueshme tashmë dhe duhet liri. Liri për të punuar dhe fituar thotë Salvini dhe jo më për të qëndruar mbyllur ku shumica e Europës po rihapet.

Tek ne, pse opozita, Basha në vend të saj nuk do të bërtasë më? Pse opozita në Itali, ShBA, Brazil po bërtet, sa ka nisur të trondisë qytetarët? Për cilat interesa punon opozita shqiptare?

Ra tërmeti i 26 nëntorit, dhe njerëzit janë ende në çadra, në rrugë, pa bukë, pa ndihma…Ra pandemia dhe shqiptarët po shkojnë në pikën e fundit të lirisë, se ushqimi tashmë ka mbaruar…Kostumi blu që ka veshur Basha është i qepur keq, shumë i ngushtë për të, për të marrë frymë …Sepse Bashkës i mungon kryesorja: liria. Vetë opozita që ka ndërtuar Basha nuk është e lirë. Opozita  e sotme është e kapur, po aq sa vetë qeveria që po na drejton. Basha e Rama, të dy kanë mbërthyer njëri tjetrin, rrokur prej qafe për të mos lëshuar njëri tjetrin, ndërkohë që populli pret, pret të heqë qafe skllavërinë e re, despotizmin e oligarkëve.

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here