5 kandidatura Në garë për të marrë administrimin e CEZ-it

0
196

cezArtan Topi, Sahit Dollapi, Genc Gjorgjani, Rezart Isufi dhe Agron Seseri janë emrat, njëri prej të cilëve do të marrë në administrim kompaninë

 

Do të jenë 5 emra në garë për të marrë në administrim kompaninë energjetike CEZ shpërndarje. Ditën e hënë do të caktohet dhe emri i ri, i cili do të drejtojë kompaninë si dhe do të menaxhojë sistemin energjetik. Artan Topi, Sahit Dollapi, Genc Gjorgjani, Rezart Isufi dhe Agron Seseri janë emrat, njëri prej të cilëve do të marrë në administrim kompaninë. Sipas kreut të Entit Rregullator për Energjinë, Sokol Ramadani, të hënën do të caktohet emri i ri. Po ditën e hënë sipas ERE-s do të merret dhe vendimi për licencën e CEZ shpërndarje. Në mbledhjen e djeshme të bordit u paraqitën 6 kandidaturat, ish-kreu i OSSH-së, aktualisht drejtori i Ujësjellësit, Sahit Dollapi, Artan Topi, Genc Gjorgjani, Rezart Isufi, Agron Seseri dhe Onorina Jata. Personat e interesuar të cilët kanë aplikuar për këtë post u dëgjuan prej bordit të ERE-s, i cili përzgjodhi midis tyre vetëm 5 emra. Pas dëgjesës u skualifikua Onorina Jata, pasi siç beri të ditur drejtori juridik në ERE, Eduart Elezi, ajo është aktualisht punonjëse në CEZ.

 

Kandidaturat

 

-“Në administrimin tim kompania do t’u shërbejë abonentëve që paguajnë dhe t’u ndërpritet energjia elektrike atyre që nuk paguajnë. Sa i përket menaxhimit brenda kompanisë, do të rishikoj nivelin e pagave që për administratorët është shumë herë më e lartë se për punonjësit” – Sahit Dollapi

-“Qytetarëve do t’u vihet në dispozicion një numër emergjence pa kosto ku mund të njoftojnë grupet e punës për çdo avari sa i përket energjisë elektrike. Është e rëndësishme ngritja e drejtorive rajonale që do të monitorojnë degët e veçanta” – Agron Seseri

-“Në postin e administratorit do të afroj punonjësit më të specializuar dhe do të synoj një organizim më të mirë të grupeve të punës në terren” – Artan Topi
– “Do të përmirësoj nivelin e arkëtimeve përmes ndërprerjeve të energjisë për debitorët por nuk do të ketë ndërprerje kolektive” – Rezart Isuli
-“Gjatë kësaj kohë nuk janë bërë investim dhe nuk ka strategji në menaxhimin e rrjetit. Do të riorganizoj stafin” – Genc Gjergjani

 

Licenca

 

Vetëm një javë më parë ERE miratoi rregulloren për mënyrën e përzgjedhjes së administratorit dhe mënyrën se si do të funksionojë CEZ-i, nëse i hiqet licenca. Rregulloja përmban sa do të vazhdojë administrimi i CEZ-it nga një administrator derisa të gjendet një zgjidhje. Sipas rregullores, brenda 10 ditëve administratori merr në dorëzim kompaninë dhe më pas duhet të marrë masa për përmirësimin e situatës.

 

 

Durrës, reshjet përmbytin Shkozetin e Plazhin

ARTUR AJAZI

 

Reshjet e rëna përgjatë disa ditëve me radhë kanë krijuar një situatë të rënduar në Prefekturën e Durrësi, kryesisht në Shkozet, Sukth e Kruje. Shkak janë bërë bllokimi i kolektorëve duke shkaktuar përmbytje të banesave dhe bizneseve në zonë. Në Shkozet, dhe plazh ndodhen nën ujë disa toka dhe banesa, kurse në disa komuna, niveli i shiut ka arritur, 100 mm. Prefekti Durrësit Genzi Alizoti deklaroi për “Standard” se “situata konsiderohet problematike pasi nuk funksionojnë kanalet kulluese, pasi banorët e zonës së plazhit kanë kryer ndërhyrje në segmente të kolektorëve, mjafton pak orë shi dhe shtëpitë e tyre rrethohen nga uji”.Prefektura ka mbledhur dje Shtabin e Emergjencës pasi përmbytje janë regjistruar dhe në Sukth, e Krujë. Në Krujë janë nën ujë 16 shtëpi, ndërsa janë përmbytur dhe 300 ha tokë, si shkak i devijimit të lumit Ishëm. Prefekti Alizoti e konsideroi situatën alarmante dhe u shpreh se “edhe në Bashkinë e Sukthit nuk ka funksionuar hidrofori, problematikë ka në Bubq të Krujës, ndaj bashkë me ndërmarrjet jemi duke nisur ndërhyrjet në zhbllokimin e kolektorëve”.

Më e prekur gjatë orëve të para të mëngjesit ka qenë zona e plazhit, ku disa shtëpi janë përmbytur nga shirat si pasojë e bllokimit të kanaleve kullues dhe mos funksionimit të tyre. Situata e rëndë sinjalizohet edhe në zonën e Spitallës apo edhe në zonën e ish-Kënetës, ku zona është pjesërisht nën ujë. Ndërkohë që shumë lagje të qytetit bregdetar janë përmbytur, uji ka hyrë në dyqane në katet e para, në oborre të shumë banesave duke shkaktuar edhe dëme të konsiderueshme. Kanalet kullues pranë zonave periferike janë bllokuar nga ndërtimet e kryera mbi to, por edhe si pasojë e mospastrimit ndër vite duke shkaktuar një situatë problematike disa herë që qyteti përfshihet nga shiu. E gjithë kjo situatë, ka si përgjegjës strukturat e bashkive e komunave, por edhe vetë banorët që nuk kanë marrë masa për pastrimin e kanaleve, të ujërave të larta, të cilat kanë vërshuar në shtëpitë.