Nga Albano Zhapaj
Personalisht kam mbi një muaj që kam dalë në përfundimin se zgjedhjet në universitet nuk do të bëheshin. Gazetarë e moderatorë që më kanë kërkuar të prononcohem, u kam thënë që sja vlen prononcimi sepse është një skenar, i cili së pari provon deri ku arrin aftësia dhe nënshtrimi i botës akademike, dhe së dyti tërheq vëmendjen nga matura shtetërore.
Nga një analizë e bërë kronologjisë së ngjarjeve dhe akteve të dala, kishte aq paqartësi, pakuptimëri dhe alogjikë, sa edhe ministrja e arsimit në padijen e saj ndaj arsimit e ka ditur këtë gjë. Ndonjë kandidat në (pa)vetëdije e hëngri karremin, ose e detyruan ta hajë.
Të thuash që MASR u tërhoq sipas kërkesave të studentëve është një idiotësi që se ha më as ministrja vetë. Ata që e futën ministren e arsimit në këtë paudhësi, janë ende duke qeshur tani, ndërsa ajo vetë e ka kuptuar që është duke paguar çmimin e ngjitjes nga hiçi në karrigen e Rrugës së Durrësit.
Nuk është ndonjë gjetje të thuash që qeveria deri më sot ka kapërcyer çdo kufi të logjikshmes në shkeljen e ligjeve, por aktet e ministres së arsimit, menaxhimi i mësimit online dhe gafat e saj në daljet publike e tejkalojnë kufijtë e qesharakes, dhe këtë edhe vetë kryeministri se kapërdin dot më.
Loja do të vijojë duke i faturuar humbjen çikës së Kosovës dhe duke e dërguar me pushime të gjata andej nga ka ardhur, për t’a zëvendësuar me ndonjë çun rrumbullak, e mandej për t’u thënë studentëve se qeveria është për arsim e demokraci gjithëpërfshirë
Skenari do të rinisë në vjeshtë me kapjen e universiteteve publike, nëse do munden, natyrisht me ministrin pasardhës, që nga si po zhvillohen ngjarjet, duket se “de facto” është duke e kryer atë rol që tani.
Duhet kuptuar se tani për tani, për qeverinë, ka më tepër rëndësi që maturantët të përfundojnë provimet dhe të shpërndahen sa më shpejt nëpër universitetet privatl, sipas kuotave që u është premtuar, sepse viti i ardhshëm është vit elektoral, e kuptoni vetë ju, dhe çdo e ardhur e mundshme është e shenjtë.
Logjika e tërheqjes nga zgjedhjet në universitete i shërben logjikës së mos tërheqjes nga matura shtetërore, dhe kjo përmbush një nga objektivat afatshkurtër të skenarit. Pra tolerova në universitete, por s’toleroj dot edhe në maturë.
Kush e kupton, e kupton, dhe kush e ha, e ha. Kemi një muaj kohë për ta zbuluar, e deri atëherë…
Oreks të mbarë !!!