Federata dhe Policia, takim për Shqipëri-Serbi

0
183

 

 

Në një kohë kur të gjithë presin në ankth ndeshjen Shqipëri-Serbi dhe për tifozët gjetja e një bilete është kthyer në një mision në kufijtë e së pamundurës, mbarëvajtja e ndeshjes për garantimin e sigurisë është një ndër prioritetet absolute të FSHF-së, por edhe të Policisë së Shtetit dhe organeve të tjera ligjzbatuese që kanë nisur punën prej disa javësh, në mënyrë që në 8 tetor gjithçka të shkojë në rregull. Për një koordinim sa më të mirë të masave në një mision ku angazhohen disa institucione, numri një i FSHF-së, Armand Duka, i shoqëruar nga sekretari i Përgjithshëm, Ilir Shulku, zhvilluan një takim me drejtorin e Policisë së Shtetit, Haki Çako, si dhe drejtorin e Përgjithshëm për Sigurinë Publike, Altin Qato. Përreth një orë në takimin mes Dukës dhe drejtorit të Policisë së Shtetit është diskutuar për marrjen e masave të përbashkëta për zhvillimin sa më normal të ndeshjes për të garantuar sigurinë në çdo hap, që nga mbërritja e lojtarëve tifozëve dhe delegacionit serb para gjatë, dhe pas mbarimit të ndeshjes. Nga ana e tij, drejtori i Policisë së Shtetit garantoi presidentin e Federatës së institucioni që drejton do të marrë të gjitha masat me angazhimin e kapaciteteve më të mira të policisë së shtetit, si në burime njerëzore ashtu dhe në logjistike. Një test i mirë për të gjitha palët në këtë drejtim ka rezultuar ndeshja me Portugalinë, edhe pse për takimin me Serbinë, si një ndeshje që konsiderohet me rrezikshmëri më të lartë, masat do të jenë akoma më të forta për të parandaluar çdo lloj incidenti të mundshëm. Drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako, ka bërë të ditur se masat do të jenë të shumëllojshme, nga toka dhe nga ajri, duke garantuar në të njëjtën kohë se masat e policisë nuk kanë si qëllim të frenojnë apo dëmtojnë tifozët, por garantimin e mbarëvajtjes së kësaj ndeshje duke ndihmuar në këtë mënyrë skuadrën tonë kombëtare. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka bërë të ditur se institucioni i futbollit shqiptar do të vendosë disa ditë përpara ndeshjes në dispozicion të forcave të rendit listën me emrat e tifozëve që janë pajisur me biletë për Shqipëri-Serbi, në mënyrë që të kryhen të gjitha verifikimet e nevojshme. Në takim është vendosur gjithashtu që një grup i përbashkët i Policisë së Shtetit dhe FSHF-së të realizojnë një plan të detajuar masash për sigurimin e stadiumit “Elbasan Arena”, por edhe ambienteve përreth tij.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here