Dr. Enver Bytyçi
Më në fund Kryeministri ynë ka dekretuar me një ferman të tij një rregull të ri për diplomacinë shqiptare. E nisa fjalinë e parë me plotësorin kohor “më në fund”, sepse zoti Rama ka ndërtuar prej kohësh një diplomaci personale, një diplomaci në shërbim të pushtetit dhe fuqisë së tij kryeministrore të tipit të despotëve. Sipas fermanit të kryevezirit tonë prej sot diplomatët, ministrat, ambasadorët, zv.ministrat, drejtorët, administrata e shtetit, pra të gjithë qatipët e tij, nuk kanë të drejtë të takohen me diplomatë, nuk kanë të drejtë të udhëtojnë në vizita shtetërore jashtë vendit, nuk kanë të drejtë të flasin me të huajt pa lejen e Kryeministrit. Nëse takohen dhe bëjnë vizita zyrtare jashtë, të gjithë këta janë të detyruar të informojnë me shkrim sulltanin e portës sonë të ulët për ato çfarë kanë biseduar me partnerët ndërkombëtarë, cilat kanë qenë takimet formale e informale, çfarë është biseduar në fruhstucket, drekat e darkat e punës që janë shtruar, cili ka qenë reagimi e partnerëve e kështu me radhë. Kjo do të thotë se prej sot p.sh. Saimir Tahiri mund të udhëtojë vetëm me lejen e kryevezirit tonë në Uashington për të marrë pjesë në konferencat rajonale të sigurisë. Madje dhe Ditmir Bushati do të duhet të matet shumë herë që t’u kërkojë ndonjë takim diplomatëve të huaj ose të zhvillojë vizita jashtë vendit, sepse mundet që këtë ta refuzojë shefi i tij despot.
Kjo do të thotë se dhespoti ynë ka vendosur të kontrollojë gjithçka në marrëdhëniet me jashtë. Jo se nuk e kishte bërë më parë, porse tani këtë kontroll e ka zyrtarizuar edhe formalisht. Nuk ka më ekspertizë diplomatike në Shqipëri. Nuk ka më konsulta dhe diskutime për të formuluar qëndrimet tona lidhur me zhvillimet e ndryshme në rajon, në Evropë e në botë. Nuk ka më iniciativë diplomatike, madje diplomatët, ambasadorët duhet të jenë të kujdesshëm se mos ndërmarrin ose propozojnë iniciativa që bien ndesh me shijet e kryevezirit shqiptar. Nëse ndodh kjo i prêt fati i ambasadorit tonë në OSBE. Sulltani ynë i portës disko tashmë ka vendosur të luajë të gjitha rolet, edhe atë të presidentit, ka vendosur të emërojë e shkarkojë ambasadorë, gjeneralë e të gjitha nomenklaturat e parashikuara në kushtetutë e në ligj si kompetenca të Presidentit të Republikës.
Edhe diktatori kishte përcaktuar disa rregulla dhe u linte pak hapësirë, ndonëse te censuruar, ministrave të tij. Edi Rama është i pari despot në historinë e shtetit shqiptar, i cili e ka shpallur veten ministër e kryediplomat, që harton strategji e taktika gjithnjë në shërbim të imazhit dhe axhendës së tij personale. I përfolur si një politikan i paaftë në çështjet e politikës së jashtme e të diplomacisë kryeministri Edi Rama është gjendur si në çdo fushë tjetër para dilemës hamletiane “Të bëj një diplomaci të shtetit apo një diplomaci me të cilën t’u dëshmoj kundërshtarëve të mi se jam i aftë ta bëj”. Në këtë dyluftim në subkoshiencën e tij ai zgjodhi këtë të dytën: Të luajë rolin e despotit edhe në diplomacinë e shtetit.
Ai luajti dhe po luan këtë rol jo në funksion të një tradite të krijuar nga të gjitha qeverisjet, të majta e të djathta, në këto 25 vite. Mirë ose keq, qeveritë e kaluara kishin një strategji, kishin një objektiv strategjik sa i përket diplomacisë shqiptare dhe mundën të bëjnë që Shqipëria të bëhej pjesë e NATO-s, e KiE-së dhe organizmave të tjerë ndërkombëtarë, si dhe ta nisnin vendin për në dyert e Brukselit. Mirë ose keq, qeveritë e kaluara të të gjitha ngjyrave, pavarësisht prioriteteve të ndryshme strategjike në aleancat e krijuara, mundën të krijojnë një ekuilibër të admirueshëm në marrëdhëniet me fqinjët, aleatët dhe partnerët ndërkombëtarë. Edi Rama me despotizmin e tij në diplomaci dhe injorancën në këtë fushë i ka prishur të gjithë këta ekuilibra dhe i ka vënë të gjithë diplomatët nga ata të hierarkisë së lartë e deri te i fundmi në rresht që të provokojë e promovojë veten si “lider botëror”, nëse i referohemi batutës tallëse të Aleksandër Vuçiçit. Ai nuk ka lënë dhe nuk do të kursejë asnjë mjet, as dhe dronët e skenarizuar prej tij, për të demonstruar fuqinë e falsitetit të tij si despot.
Qeveritë në demokraci mund të kenë objeksion ndryshimin e politikave sociale, fiskale, ekonomike, të administrimit, si dhe në fushën juridike. Por nuk ndodh që të personalizohet dhe të privatizohet politika e jashtme dhe diplomacia e shtetit, nuk ndodh që çdo javë e çdo muaj të ndërrohen “partnerët strategjikë”, siç ndodh tani në Shqipëri. Praktikisht askush nuk mund të priste që ndonjë despot i këtij formati të vinte në pushtet e të ndryshonte politikat ndaj shqiptarëve në rajon, në stilin e diktatorit komunist. Të ndërtosh marrëdhënie të mira e “të shkëlqyeshme” vetëm me Serbinë dhe të sulmosh gjithë botën tjetër euro-amerikane, është lajthitje despotësh të marrë. Të ndërtosh një diplomaci të tillë që eliminon faktorin e Kosovës në marrëdhëniet me Serbinë, është punë prej Esat Pashë Toptani. Të marrësh përsipër nga deliri i madhështisë rolin e de Golit, kur Shqipëria me Serbinë nuk ka pasur asnjë histori si të Francës e me Gjermaninë, është marrëzi sulltanësh me delire. E krahasueshëm me paqen midis Parisit e Berlinit do të ishte një paqe e qëndrueshme midis Prishtinës e Beogradit.
Në veprimtarinë e tij politike kryeveziri ynë vetëm këtë gjest ka dëshmuar gjestin e afrimit me Serbinë dhe të konfrontimit me gjithë të tjerët, duke i dhënë Beogradit mundësinë të denigrojë politikat e Prishtinës dhe të përfitojë në politikat e saj kontinentale e rajonale. Edi Rama nuk na afroi më shumë me SHBA-të, përkundrazi u përpoq të na largojë prej tyre. U përpoq të na afrojë fillimisht me Ankaranë e shpejt na largoi prej saj. U përpoq më pas të na afrojë me Berlinin dhe në Vjenë vulosi distancën e tij me Evropën. Gënjeu se do të na bashkonte me Italinë dhe shkon atje e kallëzon barsoleta.
Kjo është diplomacia e despotit tonë, i cili dje u kërkoi zyrtarisht të gjithë ushtarëve të tij, të cilëve u jep rrogë, që të mendojnë me trurin e sulltanit, të shohin me sytë e despotit, të dëgjojnë me veshët e kryevezirit, të sillen në modelin e diktatorit. Prandaj dje ishte një ditë e zezë për diplomacinë e shtetit shqiptar, një ditë që do të sjellë një katastrofë diplomatike në marrëdhëniet e Shqipërisë me botën e civilizuar.