Pse rotacioni është i pashmangshëm?!

0
158

Nga Namir Lapardhaja

 

“Për të pasur pushtet varet nga gatishmëria për të hequr dorë prej tij…”, shkruante dikur Xhorxh Uashington. Nëse nuk je i aftë të heqësh vullnetarisht dorë, do të duhet të shpikësh “rrotën”, sepse je lidhur aq pazgjidhshmërisht me karrigen saqë largimi të duket tragjedi. Nuk do të kuptohej ndryshe dëshira e Edi Ramës, tashmë jo e fshehur pas gishtit, për të ndaluar me ligj koalicionet parazgjedhore. Ndonëse në dukje një trill shpëtimtar, nuk ka asnjë shpresë që “Rilindja” të vijojë të qëndrojë në pushtet.

Në fakt, ka kohë që nevoja për ndryshim nuk është një çështje që i përket vetëm opozitës politike. Ajo më shumë po vjen si një domosdoshmëri që Shqipëria të mos braktiset, që të mos varfërohet, që të mos vidhet nga një qeveri që ka harruar të merret me qytetarët e saj. Nevoja për një ndryshim pushteti gati sa nuk po thuhet haptazi nga ato zyra diplomatike që dikur ishin rreshtuar në mbështetje të një njeriu që mashtroi këdo, i rrethuar nga një media që iu përgjigj orkestrës së tij për të marrë pjesë në mashtrim, ashtu si dikur, në kohën e diktaturës, kur krijohej një “Shqipëri virtuale” e ku shqiptarët, pas transmetimeve në ERTV, krijuan atë anekdotën e dhimbshme: “Po ne, kur do ikim një herë në Shqipëri?”.
Shkrimtari i madh fancez, Honore De Balzak, tek “Lëkura e shagrenit”, thotë se pushteti, sado i madh që të jetë, nuk të mëson si ta përdorësh atë, porse të lë ashtu siç je prej natyre. Pra, për Balzakun, por edhe për filozofë të politikës, mbingopja me pushtet jo vetëm që nuk të bën më të mirë, më të përulur dhe më të drejtë, por zakonisht të shkakton trazime dhe trullosje, të humbet orientimin për të drejtën dhe të shtyn veç në gabime.

Shqiptarët e provuan në 2017 se çfarë do të thotë të drejtojë pushtetin vetëm një parti politike. Ashtu siç e provuan në zgjedhjet lokale të vitit 2019 se çdo të thotë të mungojë opozita dhe i gjithë pushteti vendor të jetë njëngjyrësh. Jeta e tyre jo vetëm që nuk u përmirësua, por taksat u rritën, mirëqenia u ul, varfëria u thellua, ekonomia është në pikiatë, investimet publike me impakt të drejtpërdrejtë në jetën e tyre, munguan. Ato u zëvendësuan nga babëzia dhe makutëria e vjedhjes nëpërmjet PPP-ve, realiteti u jetësua në 3D dhe ky vend ndriçoi vetëm në transmetimet e ERTV-së. Shprehja e komedianit Xhorxh Bernard Shou se “të majtët i duan aq shumë të varfrit, saqë sa herë që vijnë në pushtet, shtojnë radhët e tyre”, u shndërrua në profetike. Utopizmi i së majtës u zëvendësua nga korrupsioni dhe oligarkia, duke i varfëruar njëlloj të gjithë, pavarësisht nëse ishin socialistë apo demokratë.

Një ndër mënyrat që mund të vdesin demokracitë, argumentojnë profesorët e shkencave politike S. Levitsky dhe D. Ziblat në librin e tyre “Si vdesin demokracitë”, është aftësia e një kryeministri për të shkatërruar pikërisht procesin që e solli në pushtet.

Pra, për modelin Edi Rama, mbetet zgjidhje vetëm nëse shkatërrohen zgjedhjet, vetëm nëse ai kalon në Parlament ligje të tilla që t’i lejojnë të jetë një udhëheqës në vazhdim.

Edi Rama, me lëvizjet e tij të fundit politike, tregon se e ka këtë dëshirë. Ai deri më sot ka treguar se zgjedhjet mund t’i vjedhë dhe t’i manipulojë. Duket se këtë herë nuk ka më siguri edhe nëse vjedh në mënyrë të hapur. Sondazhet që ai i ka aq për zemër i tregojnë jo vetëm rënie, por i tregojnë një refuzim të pranisë së tij, duke e konsideruar si një e keqe që duhet të shkojë pavarësisht çmimit. Ndoshta Rama ëndërron që t’i pranojnë idenë e anulimit të zgjedhjeve, si e vetmja mënyrë për të vijuar të qeverisë. Kjo ndoshta është ëndrra që e mban më shumë në ankth kryeministrin që në këto shatë vite tregoi se vetëm për qytetarët nuk arrin dot të mendojë. Ai  thjesht ka ditur të ruajë traditën e udhëheqësve të tij shpirtërorë, që të krijojë realitet të ri e të mashtrojë bashkëqytetarët, duke shpallur grupe armiqësore apo duke kërkuar që të eliminojë bashkimin e kundërshtarëve të tij politikë, me shpresën se kështu mund t’i blejë disa prej tyre me çdo çmim.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here