Dështimin ekonomik të qeverisë nuk e mbulon dot propaganda…

0
157

VEHAP KOLA VEHAP KOLA

Qendra për Zhvillim Ndërkombëtar (CID) pranë Universitetit të Harvardit, e kontraktuar nga Instituti i Shoqërisë së Hapur, i njohur në vendin tonë si Fondacioni “Soros”, për të ofruar konsulencë ekonomike për qeverinë e Shqipërisë në një raportim të fundit tejkalon gjuhën akademike të autorëve dhe vesh me një vello komplimentesh performancën e ekonomisë shqiptare gjatë viteve 2013- 2018. Një produkt propagande më shumë se një punim akademik objektiv, ky dokument e quan rastin shqiptar të konsulencës së Riccardo Hausmann “një kthesë të jashtëzakonshme”.

Sipas këtij raporti (https:// growthlab.app/accelerating-groth-in-albania), ekonomia shqiptare gjatë pesëvjeçarit 2013-2018 përmirësoi treguesit e rritjes së GDP për frymë, uli papunësinë, u modernizua duke ulur peshën e punësimit në sektorin bujqësor, fuqizoi peshën e eksporteve në sektorin TIK dhe turizëm dhe ka marrë tipare më të theksuara të një ekonomie urbane.

Kur është fjala për ritmet e shumëfishuara të emigrimit drejt vendeve të BE-së gjatë këtyre 5 viteve, autorët ua vënë fajin mundësive më të mëdha që ofron tregu europian për rritjen e shpejtë të të ardhurave. Është shumë interesante të kuptohet se si Europa u bë një mundësi shumë më e mirë për rritjen e shpejtë të të ardhurave, pikërisht në vitin 2013 e në vijim?

Në fakt, Europa ishte në kulmin e një krize ekonomike e financiare, nga e cila ishte prekur edhe Shqipëria dhe mundësitë e ofruara prej tregut të përbashkët duhet të ishin më të pakta pas vitit 2013. Logjika na çon t’i kërkojmë shkaqet e ritmeve shqetësuese të emigrimit brenda vendit, në thellimin e padrejtësive ekonomike e politike dhe në rritjen e korrupsionit dhe nepotizmit.

Një studim i Gallup i vitit 2018 e rendiste Shqipërinë mes një grupi vendesh afrikane dhe aziatike, ku mbi 60% e popullsisë dëshironin të emigronin në një vend tjetër. Sipas studimit, kërkesa për të emigruar ishte rritur ndjeshëm pas vitit 2013. Nëse ekonomia shqiptare po per formonte me ritme “të jashtëzakonshme” siç pretendojnë autorët e punimit, ku po shkonin efektet e kësaj rritjeje nëse jo për të përmirësuar mundësitë e rritjes së të ardhurave për popullsinë?

Përgjigjen për këtë pyetje në e ofron Indeksi GINI (https://knoema.com/atlas/ Albania/topics/Poverty/Income-Inequality/GINI-index) i shpërndarjes së të ardhurave. Indeksi na thotë se pjesa e të ardhurave e përfituar nga 10%-ëshi më i varfër i popullsisë ra nga 3.7% në vitin 2012, në 2.9% në vitin 2014 për t’u stabilizuar në nivelin e 3% gjatë viteve 2015- 2017. I njëjti tregues provon se 10%-ëshi më i pasur i popullsisë e rriti kontrollin e tij mbi të ardhurat që prodhon ekonomia nga 22.9% në vitin 2012 (niveli më i ulët që nga 1996) në 25.5% në vitin 2014, duke u stabilizuar në vlerat e 25% për vitet 2015-2017.

Është, pra, e qartë se ndonëse treguesit e përgjithshëm të ekonomisë po tregonin shenja rigjallërimi, të gjitha përfitimet nga rritja po gllabëroheshin nga oligarkia, ndërsa popullsia e varfër po humbte të ardhurat me shpejtësi. Vetëm një tregues i tillë mund të shpjegojë largimin e mbi 500 mijë qytetarëve gjatë 7 viteve të fundit dhe dëshirën e 60% të shqiptarëve për t’u larguar nga Shqipëria.

Çuditërisht, raporti i studiuesve të “Laboratorit të Rritjes” pranë CID të Universitetit të Harvardit nuk e shpjegon këtë dukuri. Të mos i kenë ditur rezultatet e Indeksit GINI? E vështirë të besohet për studiues në një universitet kaq skrupuloz sa ai i Harvardit. Të kenë dashur të fshehin një të vërtetë të pakëndshme për qeverinë? Ndoshta po, pasi qeveria shqiptare është kliente e tyre në sajë të lidhjeve të Kryeministrit Rama me Fondacionin “Soros”, dikur si anëtar i bordit të këtij fondacioni në Tiranë dhe sot edhe si mik i ngushtë i themeluesit të tij.

Në raport, ndër faktorët më të mëdhenj të rritjes ekonomike gjatë kësaj periudhë vlerësohen investimet e huaja direkte dhe posaçërisht zëri i gazit dhe energjisë. Studiuesit e “Laboratorit të Rritjes” pranë CID dështojnë të njohin meritat reale të kësaj rritjeje, duke ia mveshur me të parë qeverisë Rama.

Në të vërtetë, elementi më me peshë në investimet e huaja direkte (FDI) përfaqësohet nga projekti TAP i gazifikimit, një kontratë e arritur me shumë mund nga qeveria Berisha në fund të mandatit të saj të dytë. Një tjetër element në zërin e energjisë përfaqësohet nga hyrja në prodhim e qindra hidrocentraleve të vogla, të ndërtuar gjatë periudhës 2010- 2013.

Raporti vijon me paraqitje rozë të disa treguesve të tjerë, si rritja e eksporteve nga 30.5% në 2012 në 33% në vitin 2017. Fakti që eksportet kishin rënë gjatë viteve të para të qeverisjes Rama, nuk i jep merita të veçanta rritjes së tyre të fundit. Fajin për pozitën e dobët të Shqipërisë në eksporte në raport me fqinjët, studiuesit ia lënë shkallës së ulët të kompleksitetit të ekonomisë, që matet nga Indeksi i Kompleksitetit Ekonomik. Por, ndërsa sektorët e infrastrukturës dhe energjisë kishin marrë një hov zhvillimi gjatë viteve 2007-2012, studiuesit nuk arrijnë të identifikojnë asnjë përgjegjësi të qeverisë Rama për mungesën e një politike ekonomike që diversifikon strukturën e ekonomisë kombëtare. Edhe kur raporti identifikon sektorë të ekonomisë ku vendi ka regjistruar një sukses të dukshëm, siç janë infrastruktura, edukimi dhe energjia, autorët u referohen të dhënave nga viti 2007 e në vijim, duke mbuluar kështu faktin që asnjë prej këtyre arritjeve nuk është një histori suksesi që i njihet procesit të konsulencës së CID dhe z. Hausmann. Të gjitha këto përmirësime shtrihen përpara ardhjes në pushtet të klientit të CID, z. Rama në vitin 2013.

Situata e krijuar nga pandemia COVID-19 dhe mungesa totale e një përgjigjeje nga ana e qeverisë Rama me instrumente financiare që shpëtojnë konsumin, përmirësojnë shërbimin shëndetësor dhe përshtatin sktrukturalisht ekonominë për një mënyrë të re të të bërit biznes, kalohen në raport me një premtim që qendra do të përdorë një instrument për identifikimin e investimeve të huaja direkte potenciale. Raporti nuk përmend faktin që Shqipëria është vendi që ka ofruar paketën më të vogël të ndihmës për ekonominë në të gjithë rajonin e Ballkanit, duke u renditur madje edhe pas Kosovës.

Si me heshtjen për tregues e fenomene të rëndësishme, ashtu dhe me paraqitjen rozë të një numri indikatorësh, raporti dëshmon se ai nuk është një punim akademik objektiv, por thjesht një produkt i propagandës qeveritare në kuadër të shërbimit, për të cilin qeveria dhe partnerët e saj i kanë paguar CID 3.5 milionë dollarë. Në të vërtetë, ekonomia shqiptare ka performuar aq keq gjatë 7 viteve të fundit, sa që ka detyruar pjesën më të madhe të popullsisë së saj të ikë ose të kërkojë mundësi për të ikur nga vendi. Të vetmit që e gjejnë Shqipërinë e këtyre 7 viteve më të begatë, janë oligarkët dhe klientët e qeverisë, që bëjnë pjesë në 10% të atyre që kanë shtuar përfitimet nga ekonomia gjatë kësaj periudhe.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here