Denoncimi me video: S’ka respiratorë, qytetarët po i blejnë vetë

0
186

Sistemi shëndetësor dhe situata pranë Spitalit Universitar “Shefqet Ndroqi”, po shkon me shpejtësi drejt një kaosi total.

Për të mbajtur në jetë familjarët e tyre, qytetarët janë detyruar të sigurojnë ushqime, ilaçe madje dhe pajisje oksigjenimi.

Këtë fakt tronditës e konfirmojnë dy qytetarë, ku me një pajisje oksigjenimi në duar, ata po i drejtohen derës hyrëse të spitalit “Shefqet Ndroqi”, na tregojnë se një familjar i tyre po trajtohet në terapi intensive prej disa ditësh.

 

 

Gjendja shëndetësore e familjarit të tyre është përkeqësuar, pasi siç pohojnë nuk i është ofruar oksigjenimi i rregullt.

Në luftë me kohën dhe jetën, qytetarët po derdhin para për aparatura që strukturat shëndetësore që duhet të ishin siguruar nga autoritetet që në nisje të pandemisë.

‘Duhet marrë veç aparatura. Filtron ajrin, bën 1500 euro. Maskën e kam blerë 200 euro’.

A keni garanci që aparati do të përdoret vetëm për prindin tuaj?

‘Nuk kemi fare besim. I çojmë ushqime dhe nuk e ushqejnë. Nuk merr vitaminat e duhura, i ka rënë imuniteti.’

‘Paguaj çdo infermiere nga 50 mijë lekë. Prindi më thotë më merr të vdes në shtëpi.’

Edhe kjo qytetare ka disa ditë që mundohet të marrë informacion për dy prindërit. Ajo ka udhëtuar nga Franca për t’iu gjendur pranë familjarit të saj.

‘Babain tim e mora qëparë me Viber. Ju e patë në çfarë gjendje ishte. Nuk shkon dot në tualet, nuk ka një infermiere që merret me të. Unë nuk e solla në këtë gjendje. Ata i kanë lënë aty dhe nuk merret njeri. I shohin që janë 69 vjeç dhe nuk u dhimbset. Ka temperaturë, nuk i japin ilaç. Të më thonë t’ia blej unë ilaçet të gjitha’.

‘Fatin për t’u dërguar ushqim familjarëve e kanë vetëm ata që paguajnë si në recepsionet e hoteleve…’

Në ambientet e spitalit Covid 2, efektivët e policisë dhe sigurimi privat kujdesen që media të mos filmojë dhe transmetojë dëshmitë e qytetarëve, shoqëruar edhe me kërcënime./tvt.al

 

 

 

 

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here