UEFA përcaktoi gjyqtarët për sfidën e Europa League, ku Skënderbeu do të presë në Elbasan Arena portugezët e Sportingut të Lisbonës. Kasta arbitrale e përcaktuar nga konfederata evropiane është e gjitha nga Estonia. Kryesor i sfidës do të jetë Kristo Tohver. Bilbili është vetëm 34 vjeç, me eksperiencë 4-vjeçare në futbollin e rëndësishëm, por që në jetë i ka bërë pak nga të gjitha. Nga diploma për Administrim Publik, te eksperiencat me Fondacionin Soros organizator i programeve sportive, menaxher projektesh për festivale të muzikës folk, apo menaxher i projektit për Kampionatin Evropian të Volejbollit për Universitete. CV-së së pasur të gjyqtarit i shtohen edhe masteri në Universitetin London City dhe kursi për Menaxhim në Arte. Kristo Tohver e nisi karrierën si gjyqtar në kategorinë e katërt në Estoni, ndërsa në 2010-ën drejtonte në ligën e dytë. Ngritja erdhi në vitin 2011, kur drejtoi finalen e Kampionatit Evropian për 17-vjeçarë ndërmjet Gjermanisë dhe Holandës. Tohver nuk është i panjohur për skuadrat shqiptare. Në fillim të këtij edicioni, ai drejtoi ndeshjen e turit të dytë të Europa League ndërmjet Kukësit dhe Mladost Podgorica (16 korrik 2015), ku nënkampionët e Shqipërisë u mposhtën 0-2 në shtëpi. Në edicionin 2014-2015 të Europa League bilbili drejtoi sfidën e turit të parë kualifikues ku Flamurtari fitoi 3-2 në Gjeorgji ndaj Sionit (3 korrik 2014). Tohver ka drejtuar një tjetër skuadër shqiptare edhe përpara tre edicioneve. Më 24 korrik 2012, ai ishte gjyqtari i sfidës së turit të dytë kualifikues të Champions League, ndërmjet Debrecenit dhe Skënderbeut, ku hungarezët fituan 3-0. Asistentë të bilbilit do të jetë Klaasen dhe Reinvald, ndërsa gjyqtarë të portave Saar dhe Frischer, edhe ata nga Estonia. Sfida ndërmjet Skënderbeut dhe Sportingut të Lisbonës luhet të enjten në Elbasan Arena, në orën 21. 05.