Po të shohësh komunikimet e fundit të Edi Ramës në Facebook, aty ku ai ka turbinën më të madhe të dhënies së mesazheve, zbulon se sërish është në kërkim të një armiku, veçse kësaj radhe e ka çuar edhe më thellë në të shkuarën gërmimin për fajtorin. Tani, përveç Saliut, për punët që nuk shkojnë mirë në vend, fajin e ka edhe Adil Çarçani. Nxjerr asi foto të vjetra nga ndonjë tubacion fshati, ku ndryshku paska zënë vend prej kohës së miqësisë shqiptaro-kineze dhe sot, falë dorës së tij divine ato zgafella po marrin jetë e uji po vërshon si në përralla. Madje i thotë një ndjekësi nervoz se ai s’mund të realizojë kaq shpejt punët që janë lënë pa bërë prej 100 vitesh.
Në këtë cohëz, mund të kuptohet skeleti i fabulës që Rama paska ndërmend të përdorë edhe më tej, ndoshta edhe në fushatë.
Pra, që ai po rregullon ato gjëra e sende që do të duhej t’i kish bërë Mbreti Zog, më tej Enveri, Mehmeti, Adili, dhe sigurisht Saliu.
Pra, Ramës i duhet kohë. Ai është në rregull. I pikuari i Historisë. Veçse kohë i lypset ende për ta treguar, edhe pse është prej vitit 1998 në pushtet.
Një përpjekje mjaft e trashë për të marrë amnisti për të paktën dy mandatet që ishte kryeministër, e sidomos për 4 vitet e fundit ku e pati krejt timonin në duart e veta.
Mungesa e një bilanci e ka kompleksuar keq.
Hedh me foto copëza investimesh andej-këndej, e të marra të gjitha bashkë nuk e bëjnë një gjë, edhe pse ka ezauruar deri tani 7 buxhete shteti.
Ka zënë vend kudo e ngado, se ai nuk bëri diçka që të mbahet mend në gjithë këto mote në krye të vendit dhe tenton të na mbushë rradaken me zbulesën e fundit, se paskësh marrë një Shqipëri të ndryshkur të kohës së Adil Çarçanit.
Ajo që duhet “legacy”, dhemb.
E Ramës do jetë një bosh i madh në rastin më të mirë. Se mbrapshtitë janë jo të vogla. E di mirë ai se kudo ku po rravgon këto kohë, ku ai nuk po bën asnjë hap para, si në infrastrukturë, integrim apo investime a kantiere të mëdha, janë trashëgimi e qeverisjes së Sali Berishës.
Sa më shumë rrëmon për gjetjen e fajtorëve, aq më shumë del në dritë kompleksi dhe frika që ka për mungesën e rëndë të një bilanci.
Të shohim sa do e ndihë tani parulla e re, fajin e ka Adil Çarçani, se fajin e ka Saliu e shtrydhi nga të gjitha anët dhe deri në fund e nuk i ngjiti për gjë./gazeta mapo