Me 11 shtator, të premten mblidhet Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste, ku do të merren vendimet politike për fushatën elektorale, lidhur me zgjedhjet e dekretuara tashmë, që do të mbahen me 25 prill të vitit të ardhshëm.
Çfarë pritet nga kjo mbledhje më me kërshëri, është ndryshimi i mundshëm i qeverisë.
Vetë Rama e ka bërë të ditur, se, ata që janë të lodhur do të lihen në stol, duke lënë të kuptohet se do të ketë lëvizje.
Ilir Beqaj, me detyra e përgjegjësi të reja të ngarkuara nga Kryeministri, u shpreh se derisa gjithë bota po ndryshon, nuk ka pse të mos ndodhë kjo edhe me qeverinë.
Dhe Asambleja është vendi i duhur.
Në befasi të flotë. Rama ka krijuar momente të tilla shpesh, ku dikush ikën e dikush vjen, dhe e gjitha merret vesh aty. Kjo ka ndikuar për të rritur autoritetin e Ramës në parti.
Është shumë e besueshme, se një nga ikjet më të forta nga qeveria, të jetë ajo e Ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj.
Prej kohësh flitet se raportet mes Ramës dhe Lleshajt nuk janë më ato të fillimit.
Në fillim të vitit, mendohej se do të ndodhte një rrokadë mes Lleshajt dhe Xhaçkës, por pandemia ngriu gjithçka.
Burime serioze pranë Ministrisë së Brendshme, bëjnë të ditur për gazetën Mapo se ka disa ditë që Lleshaj nuk ka sjelljen dhe humorin e zakonshëm. Pothuajse pjesa më e madhe e stafit ka kuptuar se me 11 shtator, do të njoftohet një Ministër i ri.
Rrethana që e bën edhe më të besueshëm këtë zhvillim, është se në vend të LLeshajt, Rama caktoi si drejtuese politikë të Qarkut të Lezhës, Lindita Nikollën, ndërkohë që Ministri raportohet se kishte nisur punë atje, takimet me strukturat dhe përgatitjet për zgjedhjet.
Janë edhe ministra të tjerë, që kanë ardhur në krye të pushtetit, pa mund, pa kontribut partiak, dhe që nuk janë elektoralë, madje kanë krijuar kosto për shkak të mungesës së komunikimit, apo arrogancës. Edhe ata mund të bien në gijotinën e 11 shtatorit.
Megjithatë, çdo gjë ngelet për t’u konfirmuar.
Nga ana tjetër, mëtonjësit për Ministër të Brendshëm, nëse largohet Lleshaj nuk janë pak.
Në korridoret e PS, përveç Xhaçkës, përflitet jo rrallë edhe Taulant Balla. /Mapo.al