12 pikëpyetje kritike për sovranitetin me 12 milje detare…

0
196
Nga Piro Ahmetaj 

Në respekt të qindra rekomandimeve, po ndaj oponencën: “12 pikëpyetje kritike për sovranitetin me 12 milje detare”, ku jam përpjekur të ndriçoj impaktet mbi Republikën e Shqipërisë të ligjit të miratuar nga qeveria greke.

Qeveria greke është sovrane që të miratojë ligjin për zgjerimin, por të drejtën sovrane me 12 milje, nuk mundet pa marrëveshje, ta ushtrojë në hapësirën detare me Republikën e Shqipërisë.

Edhe Enver Hoxha ishte “sovran dhe paranojak” kur vetëvendosi zgjerimin 15 milje (në ‘76) por anijet e vendeve që ndajmë kufij detare,të NATO dhe SHBA, nuk e duartrokitën, s’e njohën kurrë dhe gajaseshin me te drejtën sovrane (15 milje) të Repubikës së Shqipërisë.

Keshtu, qeveria Rama ne ikje, te mos shperfytyrohet ne debate publike si rasti ne Opinion dhe jo vetem, si dhe të mos vijoje te keqperdorë si kauze patriotiko – nacionaliste kete çeshtje me peshe gjeopolitike, por te permbushë detyrimet shteterore duke i prezantuar qeverise greke rezervat zyrtare per zgjerimin me 12 milje deri ne finalizimin e marreveshjes ndermjet dy vendeve tona!

Fatkeqësisht, per 8 vite ne pushtet, Rama ka zbuluar “armiq” por ka deshtuar me sukses te gjeje zgjidhje, ashtu njesoj si diktatori Hoxha, që ku nuk gjente nafte, aty kishte me siguri grup armiqesor!

Ndërsa, institucionet kanë përgjegjësi kushtetuese të informojnë qytetarët mbi gjendjen e grupit, produktin nëse ka, problematikat si dhe pritshmërinë e negociatave mes dy vendeve.

Për “patriotët me qillota dhe dylbi ushtarake”, theksoj se pas anëtaresimit në NATO, nuk ka asnjë pretendim territorial (border disputes) mes 2 vendeve tona dhe kështu thirrja nuk është as “t’u biem ne, as se do na bjerë greku e të tilla donkishotizma …”

Në të kundërt jam besimplotë se dy vendet që ndajnë vlera të përbashkëta, do të gjejnë zgjidhje euroatlantike për ndarjen e ZEE në interes të mirëqënies së 2 popujve.

Në përmbledhje, shpresoj që kjo shtesë qartësuese të kontribuojnë për të “mjekuar delirantët” dhe pragmatizuar qëndrimet zyrtare rreth kësaj çështjeje me peshë për sigurinë mbarëkombëtare. Kaq e thjeshtë është, edhe për të paditurit dhe për të gjithëditurit !

12 pikëpyetje për sovranitetin me 12 milje detare

Pas “heshtjes cinike” të qeverisë mbi riciklimin e krizës në Mesdhe, mungesës së frikshme të transparencës për ecurinë e negociatave për marrëveshjen e delimitimit të ujërave detare me Greqinë, papritur “u ndezën flakët patriotiko-propagandistike” të qeverisë Rama pro miratimit të ligjit nga Parlamenti grek për zgjerimin e ujërave territoriale në 12 milje detare.

Kryeministri dhe 2 anëtarë të grupit zyrtar të negocimit, zëvendëministri, z. Dervishi. si dhe ushtaraku i shumëkeqpërdorur, Meçollari, kanë rindezur një debat të zjarrtë, ku janë përfshirë politikanë, diplomatë, doktorë, hartografë, ekspertë të detit, tokës, hënës etj.

Në vijim të disa analizave strategjike që kam publikuar për krizën në rajon, po përpiqem që nëpërmjet 12 pikëpyetjeve të kontribuoj për të “qetësuar arsyet racionale” dhe pragmatizuar qëndrimet zyrtare rreth kësaj çështjeje me peshë kombëtare dhe interesat gjeopolitikë të Shqipërisë.

Pikëpyetja 1: A është qëndrimi i Kryeministrit dhe i 2 negociatorëve për të justifikuar dështimin e procesit apo qëndrim për të përgatitur opinionin publik mbi vendimmarrjen e pritshme?

Sigurisht, zgjerimi i ujërave territoriale të Greqisë ka qenë për 38 vjet (nga 1982) dhe është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare të detit, por konfirmoj se aplikimi i ligjit (12 milje) bëhet vetëm me marrëveshje me shtetet e interesuara, në këtë rast vetëm pas marrëveshjes me Republikën e Shqipërisë.

Image

Këtë element duket se e “harrojnë” Kryeministri dhe “histeria e 2 anëtarëve të komisionit”, duke deklaruar që ligji grek nuk ka efekte mbi detin shqiptar dhe mbi marrëveshjen që po negociohet. Ndërsa harta ilustruese, (bashkëngjitur) publikuar në media nga anëtari delikuent i komisionit, Meçollari, tregon se në veri të ishullit Othonoi, greku i ka shtrirë ujërat territoriale në 12 milje…

Pra, shteti që “duartroket” kur duhet të kundërshtojë, ka si objektiv të bombardojë opinionin publik me idenë e ligjshmërisë së ligjit grek, me qëllim që të justifikojë dështimin në negociata.

Pikëpyetja 2: Çfarë efektesh konkretisht ka marrëveshja ZEE midis Greqisë dhe Italisë?! Për ta qartësuar, e përsëris se marrëveshja midis Greqisë dhe Italisë ka efekt të drejtpërdrejtë për Shqipërinë, pasi në pikën veriore të saj cenon interesat e delimitimit të ujërave të Shqipërisë me Greqinë dhe Italinë (pika treshe, e cila duhet të përcaktohet me marrëveshje nga të tri vendet).

Prandaj, e përsëris, se ishte dhe mbetet e domosdoshmëri që Ministria e Punëve të Jashtme të kërkojë zyrtarisht nga të dyja vendet (Greqia dhe Italia) informacione shteruese mbi këtë marrëveshje.

Pikëpyetja 3: Pse është përgjegjës Kryeministri për deklaratën e zgjerimit me 12 milje?

Sigurisht, qoftë padija, qoftë deliranca apo qoftë gallatat, qoftë propaganda, nuk janë justifikime për dështimin e qeverisë Rama në procesin e negociatave me Greqinë.

E thënë më thjesht, kjo vendimmarrje “sovrane e Greqisë” i cenon interesat e Republikës së Shqipërisë, pasi kemi ende pretendimet reciproke të pazgjidhura për delimitimin e hapësirës detare mes dy vendeve.

Më keq akoma, me aprovimin e KM të zgjerimit të ujërave territoriale në 12 milje dhe siç ilustrohet në hartë nga “specialisti i detit” në komisionin e negocimit, u është dhënë efekt i plotë (12 milje) 2 ishujve, gjë e cila bie në kundërshtim edhe me vendimin e GJK!!

Pikëpyetja 4: Përse gjykoj se Kryeministri dhe dy negociatorët janë të papërgjegjshëm?

Besoj se opinioni publik e kujton kur Gjykata Kushtetuese (GJK) rrëzoi marrëveshjen e vitit 2009, me argumentin se “kishim humbur” disa qindra km2 sipërfaqe detare, e cila, në pjesën më të madhe, vinte në trekëndëshin e krijuar në veri të ishujve Othonoi dhe Erikusa.

Ky trekëndësh krijohej në zonën në afërsi të ujërave territoriale të Greqisë (atëherë 6 milje) deri në vijën ndarëse me ujërat tona në distancën 12 milje detare.

Image

Por, edhe sot e gjithë ditën, themelore në këtë “mosmarrëveshje”, mbetet fakti i dhënies së fuqisë së plotë të ishujve Othonoi dhe Erikusa në ndarjen e zonave detare.

Pikëpyetja 5: Çfarë ndodh në rastin e shtrirjes me 12 milje të ujërave territorialë të Greqisë?

Harku i ujërave territoriale të ishullit Othonoi do të bashkohet në maksimumin 12 milje me pikën e sipërme të trekëndëshit (pika 82.2, vendimi i GJK) dhe si rrjedhim do të vendosë në sovranitet të plotë të Greqisë pothuajse 60 % të trekëndëshit të përmendur si “të humbur” nga viti 2009.

Pra, zoti Kryeministër, me qëndrimin tuaj publik, qeverisë greke i “dhuruat në tavolinën” e negociatave minimizimin e efekteve të vendimit të GJK-së të Republikës së Shqipërisë dhe të ulni mundësinë e fitimit të saj në Gjykatën Ndërkombëtare nëse çështja do duhet të shkojë deri aty.

E thënë qartë, kjo ndodh vetëm sepse ju, me paaftësinë tuaj, u shprehët pro zgjerimit me 12 milje.

Prandaj, duhet urgjentisht një notë zyrtare, e cila kundërshton zgjerimin e ujërave territoriale me 12 milje detare në veri të ishujve Othonoi dhe Erikusa deri në arritjen e marrëveshjes

Pikëpyetja nr. 6: Pse deklaratat e Kryeministrit dhe 2 zyrtarëve për aprovimin e ligjit për zgjerimin në 12 milje janë në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese (GJK)?

E duartrokitur nga Kryeministri i Shqipërisë, qeveria greke arrin të zvogëloje zonën e diskutueshme për negocim në veri të 2 ishujve dhe ndërkohë rrit maksimalisht sovranitetin shtetëror grek.

Pika 87 e vendimit të GJK-së, në fjalinë e fundit përmend që delimitimi i detit territorial duhet të marrë në konsideratë “….prania ose jo e ishujve ….”, po ashtu edhe pika 92 e saj: “…edhe në delimitimin e detit territorial kërkohet zbatimi i parimit të Ekitesë”…

Zoti Kryeministër, me “duartrokitjet delirante” të ligjit të 12 miljeve, Ju i dhatë fuqi kontinentale 2 ishujve grekë, duke orientuar negociatat drejt “ndarjes së barabartë” (në pothuaj të 60% të rajonit verior) dhe jo ndarjes së drejtë, të cilën kërkon vendimi i Gjykatës Kushtetuese në pikën 89, 92 dhe 107.

Edhe më thjesht, për të gjithë të “gjithëditurit”, me këto deklarata Kryeministri, ndryshoni natyrën e negocimit, nga të “sovranitetit” në atë mbi “drejtat sovrane”, çka i vështirëson negociatat!

Pikëpyetja 7: Për “ishullin” Barketa?!

Diskutimet mediatike përqendrohen me të drejtë në efektet e shkëmbit Barketa. Madje, nëse i referohemi faktit që SHBA me Meksikën kanë rreth 100 vjet që negociojnë për rreth 2 km 2 hapësirë ujore, e bëjnë edhe më kritike vëmendjen në çdo detaj të procesit.

Por, në rastin konkret, orientimi i vëmendjes te shkëmbi Barketa është i qëllimshëm, për të shmangur vëmendjen kryesore nga rajoni verior, ku, në fakt, janë dhe zonat, të cilat synohet të bëhen kërkime për hidrokarbure dhe ka interesa të mëdha ekonomike. [1]

Për sa më sipër po shtroj edhe 5 pikëpyetje përmbledhëse shtesë:

8. A zvogëlohet hapësira e negocimit për ZEE dhe Shelfit Kontinental nga aplikimi i ligjit grek për zgjerimin e ujërave territoriale në 12 milje?!

9. Duke i rritur sovranitetin e ishujve Erikuza dhe Othonoi, a nuk mendoni se negociatat do të vështirësohen dhe janë në interes të Greqisë, pasi tashmë do të negociohet mbi “sovranitet” dhe jo mbi të “drejta sovrane”, siç ishte përpara miratimit të ligjit grek?!

10. Pse, me dijeni dhe aprovim të kujt (?), 2 anëtarë të grupit të negocimit të sipërpërmendur po vijojnë fushatën shpjeguese, në fakt pështjelluese në media?!

11. A nuk mendoni se nga ana shtetërore dhe diplomatike nuk duhen të shprehen individualisht, pasi zvogëlon dhe dëmton argumentet negociuese të grupit tonë?!

12. Së fundmi, përmbushni detyrimet kushtetuese si Kryeministër dhe ministër i Ministrisë së Punëve të Jahtme, mos bëni logje, por transparencë dhe informoni shqiptarët, kush është produkti zyrtar dhe nëse vijon të ekzistojë grupi zyrtar i negocimit (?), i cili kishte dhe ka diferencë ulëritëse ekspertize, krahasuar me ekipin elitar të palës greke(?), kur disa anëtarë janë larguar dhe për më keq, kur integriteti zyrtar i ekspertit kryesor (yllit) të këtij grupi (Meçollari), i vetëdiskredituar për precedentët me shërbimet sekrete të vendeve jomiqësore me interesat kombëtare, i saposhkarkuar nga drejtimi (pas rrënimit në 7 vite) të Forcave Detare, si dhe i është refuzuar certifikata e sigurisë nga institucionet e Republikës së Shqipërisë?!? [1]

Në përmbledhje, miratimi i ligjit grek për zgjerimin e ujërave territoriale në 12 milje, në veri të ishujve Erikuza dhe Othonoi, ka që ç’ke me të(!)efekte dhe peshë kritike në marrëveshjen me Shqipërinë.

Me këtë ligj dhe me duartrokitjen e tij nga qeveria shqiptare, shteti grek forcoi pozitat negociuese, duke “barazuar efektin e ishujve me tokën kontinentale”, si dhe duke zvogëluar dukshëm hapësirën e zonave ZEE dhe Shelfin Kontinental për negocim me Shqipërinë.

Qëndrimi i Kryeministrit shqiptar, duke “aprovuar me duartrokitje” ligjin grek dhe më posaçërisht, duke mos kundërshtuar zgjerimin e ujërave në 12 milje në veri të ishullit Othonoi dhe Erikusa, kërcënon të “imponojë” rezultate që do të jenë në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here