Aksidenti tragjik në Tunelin e Kërrabës/ 4 vajzat ishin nisur të festonin ditëlindjen e shoqes. Ekspertiza paraprake: Shoferi s’frenoi për asnjë çast në rrugë

0
161

TIRANË- Një ditë pas aksidentit tragjik në Tiranë-Elbasan, ku vdiqën dy vajza dhe 2 të tjera po luftojnë për të jetuar në spitalin Ushtarak, detaje tragjike janë zbuluar.

Burime për Dosja.al bëjnë me dije se 4 vajzat, që po udhëtonin në mjetin tip “Volskwagen” me targa AA 409 VE ishin nisur drejt Korçës për të festuar ditëlindjen e Denisa Dibrës, 25 vjeç, një nga të plagosurat e aksidentit. Festa e planifikuar nga shoqet e Dibrës u kthye në mort, pasi ato u përplasën nga shoferi, Behar Pema, i cili ishte i dehur dhe po kryente manovra të rrezikshme në rrugë.

Po të njëjtat burime  thanë se drejtuesi i mjetit nuk ka frenuar në momentin e përplasjes. Ekspertiza paraprake ka zbuluar se mjeti tip “Benz” me targa AB 209 AD, nuk ka ndaluar në rrugë. Shoferi Behar Pema, goditi nga pas makinën ku po udhëtonin katër vajzat, ishte me shpejtësi160 km në orë dhe mbi të gjitha thuhet se ai nuk ka frenuar.

Denisa Dibra, është e bija e gazetarit të RTSH në Shkodër, Edmond Dibra. Në gjendje të rëndë për jetë është edhe Nervida Garunja, 24 vjeçe, e cila në dëshminë paraprake në polici ka thënë se “Behar Pema po kryente manovra në rrugë, ecte dhe nuk mbante drejtimin”.

Ndërkohë që të dy vajzat janë në terapi intesive, ato kanë marrë plagë të shumta në të gjithë trupin, dhe janë nën vëzhgim të vazhdueshëm nga mjekët e Spitalit të Traumës. Dy viktimat,Lusinda Garunja, 19 vjeç dhe Xhaneta Qallia, 18 vjeç, të cilat ishin pasagjere në pjesën e pasme të makinës, nga ku erdhi dhe goditja e fortë e makinës tip “Benz”. Lusinda Garunja dhe Nervida Garunja ishin motra dhe mikesha me dy vajzat Dibra e Qallia.

Aksidenti ndodhi dje mbrëma, ku në dalje të Tunelit të Kërrabës në Elbasan, dy vajzat ngelën të bllokuara në makinë, dhe u desh ndërhyrja  e zjarrfikëses me mjetet prerëse për të nxjerrë vajzat nga mjeti i dëmtuar. Më shumë se 30 minuta, kaluan dy vajzat në makinë, ndërsa Garunja e Qallia humbën jetën në spitalin e Elbasanit. Shkaku kryesor i aksidentit tragjik dyshohet se ka qenë shpejtësia tej normave dhe gjendja e dehur e shoferit të “Benzit”. Behar Pema,  58 vjeç pas dy testeve të alkoolit kanë dalë mbi normën 0.93 mg/l testi i parë dhe 0.99 mg/ l testi i dytë. I cilësuar si përgjegjës për tragjedinë ai është arrestuar nga policia dhe do të përballet me ligjin për dy akuza. E para, “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor” dhe e dyta “Drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt” që solli edhe vdekjen e dy të rejave dhe plagosjen e rëndë të dy të tjerave./dosja.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here