Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali deklaroi dje se Presidenti i Republikës Ilir Meta po ndan dekorata për vota si dhe e quajti atë “gjenerali i ushtrisë së vdekur”.
I menjëhershëm ka qenë dhe reagimi i ish-deputetit të LSI-së Luan Rama, ku u shpreh se kjo është një ligësi dhe pafytyrësi.
Në një status në rrjetet sociale, ai tha se është ligësi dhe pafytyrësi t’i konsiderosh të rënët për lirinë e Shqipërisë “ushtri e të vdekurve”, e për shkak të nderimit shtetëror ndaj tyre, ta quash Presidentin e Republikës “gjenerali i ushtrisë së vdekur”.
Statusi i plotë:
LIGËSI DHE PAFYTYRËSI
Ligësi dhe pafytyrësi t’i konsiderosh të rënët për lirinë e Shqipërisë “ushtri e të vdekurve”, e për shkak të nderimit shtetëror ndaj tyre, ta quash Presidentin e Republikës “gjenerali i ushtrisë së vdekur”.
Të tilla deklarata i bëjnë vetëm frymorët kokëboshë e të marrë.
Ata që iu falën Shqipërisë me gjakun dhe jetën e tyre, meritojnë nderim dhe mirënjohje të përjetshme.
Sado t’i nderojmë e sado të shprehim mirënjohje ndaj tyre, gjithmonë do të jemi borxhlinj si popull e si komb përballë veprës sublime të dëshmorëve të atdheut dhe emrit të ndritur që ata kanë në historinë e kombit.
Qëndrimi ndaj të rënëve për Shqipërinë, është vija ndarëse mes patriotizmit si shprehje e vetëdijes shqiptare dhe kurvërimit politik, si qasje apo si qëndrim publik.