FMN: Pandemia kthen Shqipërinë dy vjet pas. Humbjet nuk do të rikuperohen para vitit…

0
113

Pandemia e Covid -19 e ka çuar ekonominë pas në nivelin e vitit 2018. Sipas të dhënave nga databaza e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) prodhimi i brendshëm bruto i Shqipërisë (PBB) do të jetë 14 miliardë dollarë, ose 1.24 miliardë USD më e ulët se në vitin 2018.

Për të arritur nivelin e vitit 2019 Shqipërisë i duhen edhe dy vjet, pasi Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar humbjet që krijoi pandemia nuk do të rikuperohen para vitit 2022, ku PBB -ja e vendit projektohet të jetë 16,1 miliardë dollarë.

Sipas parashikimeve të brendshme në Kuadrin makroekonomik të Ministrisë së Financave nivelin e ekonomik të pritshëm aktualisht të vitit 2023 Shqipëria do të arrinte në 2021 nëse kriza e Covid -19 nuk do të kishte ndodhur.

Në fillim të pandemisë, Fondi parashikoi se humbjet do të rikuperoheshin gjatë vitit 2021, pasi ekonomia do të rritej me 8 për qind. Por ky projeksion ka ndryshuar me rishikimin e detajuar të ekonomisë Shqiptare gjatë misionit të fundit të FMN, ku është arritur në përfundimin se ekonomia e Shqipërisë do të rritet pak më shumë se 5% më 2021.

Sipas raportit të fundit të FMN-së, tkurrjen më të fortë në rajon pritet ta ketë Mali i Zi me -12%, e ndjekur nga Kroacia, me -9% dhe më pas renditet Shqipëria në të njëjtat nivele me Kosovën (-7.5% secila).

Të tre shtetet bregdetare (Kroacia, Mali i Zi, Shqipëria) kanë një varësi të lartë nga turizmi, që ka qenë ndër sektorët më të goditur nga pandemia. Krizën pritet ta ndiejë më pak Serbia, që parashikohet të ketë një rënie prej -2.5%. Maqedonia do të tkurret me -5.4%, kurse Bosnja me -6.5%

Të ardhurat për frymë të shqiptarëve në 2020 pritet të ulen me 425 dollarë, ose me gati 8% në krahasim me vitin e mëparshëm sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Në terma nominalë, të ardhurat për frymë të çdo individi, me çmimet aktuale (në dollarë për frymë) pritet që në vitin 2020 të zbresin në 4,898 dollarë, nga 5,323 dollarë një vit më parë.

Në total, sipas shifrave të FMN-së, vendi pritet të humbasë 1.24 miliardë dollarë këtë vit, shumë që është sa 8% e të ardhurave vjetore në 2019-n.

Tendenca e rënies së të ardhurave për frymë po konstatohet në të gjithë botën, për shkak të pasojave që dha në ekonomitë globale karantina, me synim parandalimin e infeksionit të Covid-19 dhe pasigurive që ende po vazhdojnë, duke ngritur shumë pasiguri për të ardhmen./Monitor

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here